Integrimi

Fëmijët e internateve

Nëpër internate të ndryshme të Zvicrës gjenden të rinj e të reja shqiptare, të cilët e kanë humbur kontrollin për fatin e tyre

Ajo mbyll dritaret, ndez një qiri, ulet, merr frymë thellë dhe nis të flas: «Kjo atmosferë më ndihmon që të rrëfej historinë time qetë dhe pa kërkuar shpëtim në gjithë ato medikamente që mi ka dhënë mjekja ime», thotë Nexhmije H*. (19). Ka një vit që shitësja, me origjinë nga një katund kosovar, i është kthyer «jetës normale». Së paku për momentin.  «Shpesh çohem e hutuar, e bërë lloç nga djersët», fikson shikimin drejt shtratit të saj dhe vazhdon: «së paku çdo natë të tretë ëndërroj, jo nuk ëndërroj, por jam në jetën time të mëhershme, sikur koha të mos kishte ecur fare». Pse Nexhmija ikë dhe ka frikë nga e kaluara e saj? 

DHUNA SI PROMOTOR

Historinë e saj, ajo e nis nga një mbrëmje shkurti të vitit 2005. Nexhmija atëherë ka qenë katërmbëdhjetëvjeçare. «E di që, kur u zgjova në fund të shtratit ishin duke pëshpëritur disa njerëz të panjohur. Ndër ta ishte një polic, të tjerët ishin personel i spitalit», thotë ajo. Në spital Nexhmija përfundon pas një përleshjeje të rëndë brenda familjes. «Babi im…», e bën një pauzë me sy të mbyllur dhe «…babi im, gjatë ditës më kishte parë me do shok e shoqe duke u endur nëpër qytet. Nënës sime unë i kisha thënë se do jem tek do shoqe për t’i bërë detyrat e shtëpisë. Kur u ktheva në shtëpi pashë nënën duke qarë. Fytyra e saj ishte plotë vija të kuqe. Ishin gjurmët e gishtave të babit. Ai më kapi për flokësh dhe…». Nexhmija nuk donë të përshkruaj në detaje atë natë. Ka qenë nata më e tmerrshme e jetës së saj – thotë ajo.

Ditëve të ardhshme, prokurori për të rinj i Bernës vendos: Prindërve të Nexhmijes u merret e drejta e përkujdesjes për shkak dhunës së ushtruar në familje. Enti për të Rinj do të jetë tash e tutje shtëpia dhe familja e saj. Pasojnë internate, azile fëmijësh. As kontaktet e shpeshta me policinë nuk kanë munguar. Nexhmija nuk ka ditur se si të sillet me «lirinë» e saj. Shpesh ikë nga internatet dhe kalon ditë të tëra nëpër «miq e mikesha», në shoqërinë e të cilëve nuk mungojnë as narkotikë të ndryshëm dhe alkooli. Kështu jeton ajo deri në ditën e kolapsit, kur e helmuar përfundon në spital. Enti Social për të Rinj revidon vendimin e tij: Nexhmije H. humb statusin e viktimës dhe pajiset me stampën e «të résë që edukohet rëndë». Me të drejtë?.

«Jo», kundërshton ajo dhe «unë kam qenë çikë shumë e sjellshme. Vetëm njëherë më ndodhi që t’i thyejë rregullat dhe menjëherë më dënuan me internate». Procesverbalet e Entit për të Rinj flasin diçka krejt tjetër. Sipas tyre Nexhmija disa herë thyen rregullat e «azileve», duke u zhdukur për ditë të tëra pa paralajmërim.

DHIMBJA DHE KOKËFORTËSIA E PRINDËRVE

«Çka? Kush jeni ju?» na bërtet prindi i Nexhmijes në telefon. Përpiqemi t’ia sqarojmë edhe njëherë butë kërkesën tonë. «Kush është ajo? Nuk kam e as që kam pasur ndonjëherë vajzë me emrin Nexhmije». Na mbyll telefonin. Pas një ore thirrëm sërish. Kërkojmë takim me të. Më në fund pranon. Me një kusht: Nexhmija nuk duhet të jetë as në afërsi. Pas një ore në restorantin «Pronto» të Bernës. «Ajo ma ka prish jetën. Ma ka marrë fytyrën. E këta të Jugendamtit veçse presin që të na rrëmbejnë fëmijët», kështu plot mllef Arsim H*, i cili nuk mohon të jetë sjellë brutalisht ndaj familjes së tij, atë natën e përshkruar nga Nexhmija.

«Ka qenë hera e parë, pasha Zotin», përbetohet ai. Një përbetim që poashtu nuk përkon me raportet dhe protokollet e organeve të involvuara. E Nexhmija? Burri qanë. «Ka qenë çikë shumë e sjellshme», thotë duke belbëzuar Arsim H. dhe braktis tavolinën. Pas një ore na thirr sërish në telefon. «Mos ma merrni fytyrën edhe më shumë», na thotë duke na lutur që mos ia bëjmë storien publike. Merremi vesh disi.

Kasollja-internat «Ferme Imaginaire»

PROCEDURA DHE INTERNATET

Në Effingerstrasse 2,  të Bernës na thonë diçka tjetër, sa i përket procesit të «rekrutimit» të të rinjve, diçka krejt ndryshe nga ajo siç e shpalon Nexhmija: «Ne bëjmë planin resocializues pas vendimit të Prokurorisë për të Rinj. Paragjykimet se ne shpejtë dhe pa menduar mirë i ndajmë fëmijët nga familjet e tyre nuk qëndrojnë», kundërshtojnë nga «Meer – haus» i Bernës. Nga rastet tjera që ne hulumtojmë rreth kësaj teme e dimë se procedurat e tilla janë të koklavitura dhe se një vendim aty për aty është gati i pamundshëm. Në asnjë rast tjetër, që ne jemi duke hulumtuar nuk na mbeti përshtypja sikur organet përkatëse të kishin bërë ndonjë padrejtësi. Frustrimi i të afërmve të Nexhimjes ndaj organeve është i natyrshëm, mirëpo jo edhe korrekt.

Dhoma e ndejës në «Ferme Imaginaire»

Dhoma e fjetjes

25 minuta larg Bienit gjendet «La Ferme Imaginaire», në fshatin Champoz, ku Nexhmija ka kaluar një kohë të konsiderueshme të saj. «Me kuajt e kisha më së miri», thotë plotë cinizëm ajo. Internati është një kasolle kuajsh, e përshtatur sipas konditave të Enteve që kanë të bëjnë me risocializimin e vajzave që nuk «edukohen lehtë» dhe gjendet nën patronatin e Qendrës resocializuese «Sternen» të Erlenbach-ut.

Bernhard Eichenberger

«Shumica e të rinjve dhe të rejave që vijnë tek ne kanë një biografi të tillë», thotë Bernhard Eichenberger, udhëheqësi administrativ i internateve të Qendrës në fjalë. Më shumë rreth rastit konkret Eichenberger nuk donë të thotë. Përgjegjësi për media, shefi i tij, gjendet aktualisht në pushime. 

«SHUMICA MBETET RRUGËVE»

«Plotë nga shokët dhe shoqet e mia, mund të them shumica e tyre nuk kanë arritur të stabilizohen», dinë Nexhmija. Pas absolvimit të një praktike në Migros ajo e ka të garantuar punën si shitëse aty. E pyesim se ku qëndron burimi i forcës që e motivon atë ta marrë jetën sërish në dorë. «Ndoshta familja ime më pranon sërish. Nuk e di. Të gjithë e kemi tepruar atëherë. Sidomos unë dhe babi». Është kjo dëshira e saj supreme. «Po», thotë ajo dhe na tradhton edhe diçka më shumë. «Edhe një burrë të mirë, mundësisht që nuk rreh gra», na thotë ajo duke veshur mantelin e shitëses në njërin nga Migroset e qytetit të Bernës.

*Me kërkesën e familjes së involvuar në hulumtimin tonë emrat e tyre janë ndryshuar nga redaksia.