Lajme

Festë e zbehtë për 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ndryshe nga herët tjera, sot në kryeqytetin e Kosovës kishte më pak njerëz, dhe sheshet ishin më pak të dekoruara. Opozita po përgatite për protestë gjithëpopullore  

Me parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive elitë të Policisë së Kosovës nëpër sheshin “Zahir Pajaziti”, filloi zyrtarisht festa e 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Por ndryshe nga herët tjera, sot në sheshin e Prishtinës kishte më pak njerëz, dhe sheshet ishin më pak të dekoruara.

Kjo festë e pavarësisë, sivjet është shumë e zbehtë, pasi opozita katër orë më vonë, ka paralajmëruar një protestë gjithëpopullore për rrëzimin e Qeverisë. E gjithashtu është hera e parë që Kuvendi i Kosovës nuk mblidhet në një seancë solemne, për të nderë të shpalljes së pavarësisë.

Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se është koha për të tejkaluar dallimet dhe për t’u bërë bashkë për ta shkruar një kapitull të ri të shtetit tonë.

“Shtetndërtimi kërkon vullnet, dashuri edhe shpirtërore, ku duhet dëshmohet që secili është i barabartë para ligjit. Kosova është dhimbja dhe krenaria jonë, ku kujtojmë gjenerata të tëra që kanë sakrifikuar për lirinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Sot është një ditë feste e gjithë shtetit, festë e secilit që jeton në Kosovë dhe atyre që e ndjejnë këtë shtet kudo qofshin. Sot është festë dhe festat bëjnë bashkë të gjithë në dialog që për të ndërtuar shtetin, pa dhunë”, ka thënë Jahjaga.

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pas një rrugëtimi të gjatë dhe pas një lufte të përgjakshme të vitit 1998-1999 me forcat serbe të Sllobodan Milosheviqit. Në këtë luftë u vranë më shumë se 11 mijë qytetarë, u dogjën më shumë se 200 mijë shtëpi dhe u depërtuan dhunshëm në Maqedoni e Shqipëri më shumë se 1.1 milion kosovarë.

Lufta solli një administratë 8 vjeçare ndërkombëtare (UNMIK) e cila përgatiti institucionet kosovare për pavarësim. Ndërsa deri në vitin 2012, pavarësia e Kosovës u mbikëqyr nga një mision tjetër i BE-së. Tani Kosova drejtohet nga institucionet e veta vetëqeverisëse, por aktualisht po ballafaqohet me një krizë politike dhe përplase të forta ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Bllokada parlamentare, me hedhje gazi, protesta të dhunshme e arrestime të deputetëve kanë nisur në shtator të vitit 2015 dhe po vazhdojnë akoma. Opozita po këmbëngulë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke marrë shkas dy marrëveshjet e fundit të qeveritarëve me Serbinë dhe malin e Zi, ndërsa koalicioni po kërkon dialog për tejkalimin e krizës.

Kjo krizë u reflektua edhe në festën e pavarësisë. Qytetarët po e presin me shumë zhgënjim këtë krizë, ndërsa simboli i pavarësisë së Kosovës i njohur si “New Borrn” që gjendet në qendër të kryeqytetit, sivjet është ngjyrosur me tela me gjemba dhe e mbështjellë me zinxhirë.

Madje deri mbrëmë kishte përplasje ndërmjet komunës së Prishtinës që udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës, sa i përket stolisjes së sheshit me flamuj shtetëror. Vetëvendosje nuk e pranon flamurin e shtetit të Kosovës, por vetëm atë kuq e zi të shqiptarëve. Prandaj ka insistuar qeveris që të vendosën flamujt e shtetit.