Integrimi

Botohet për herë të parë Libri – Doracak për Shkollat e Mësimit Plotësues

Material didaktik për mësuesit/et e mësimit plotësues në diasporë

Zvicra, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës e më gjerë, ka qenë dhe mbetet prej shekujsh vend shumetnik dhe shumëgjuhësh, vend i kryqëzimit të pandërprerë të popujve, gjuhëve dhe kulturave, plot ishuj etnolinguistikë, me shtegtime e lëvizje të pandërprera, që e bëjnë tepër interesante situatën gjuhësore të këtij vendi.

Rrjete të SHMP ka në Zvicër në 23 gjuhë ku qindra e mijëra fëmijë të mërguar për mes valëve të ndryshme të detyruara apo të vullnetshme marrin njohuritë në gjuhën e nënës.

Mësimi i gjuhës amtare luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin gjuhësor të fëmijës që rritet në kushtet e dygjuhësie së mërgimit. Shkenca në bazë të studimeve të bëra këshillon që fëmijës mos t’i përjashtohet gjuha e nënës nga mësimi sepse atij do t’i mungojë baza për të mësuar gjuhën e dytë.

Këto ditë për herë të parë në Zvicër është botuar Libri – Doracak i Shkollave të Mësimit Plotësues.

Kjo platformë didaktike është realizuar në kuadër të Projektit “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes” në SHLP, Cyrih. Projekti është udhëhequr nga autori Prof. Dr. Dr. Basil Schader në bashkëpunim me ekspertë zviceranë dhe pedagogë të shquar të Evropës Perëndimore si: Ingrid Gogolin, Hans H. Reich, Andreas Helmke. Gjithashtu ka gjetur bashkëpunim me MASHT e Kosovës dhe me mësimdhënës të mësimit plotësues. Teksti është botuar në gjermanisht, do të botohet në disa gjuhë tjera si anglisht, portugalisht, turqisht, serbo/kroatisht, boshnjakisht dhe në shqip, pritet të dal së shpejti, mars. Libri udhëzues synon tu vijë në ndihmë të gjithë mësuesve që punojnë në mësimin plotësues jo vetëm në Zvicër por kudo në Evropë

Hartimi i këtij teksti ose Didaktika e SHMP u shërben të gjithë mësimdhënësve që donë të ngritin cilësinë e mësimit plotësues si dhe ta ndërlidhin më mirë me mësimin e shkollës së rregullt.

Çfarë do të gjeni në këtë Libër didaktik të SHMP?

Materialet përfshijnë 6 pjesë të ndërtuar në dy seri: në Libri – Doracak (185 faqe) synon të sqarojë pikësynimet e përgjithshme dhe të veçanta të mësimit dhe pesë fletore didaktike të veçanta. Ky libër paraqet pikat thelbësore të pedagogjisë aktuale, didaktikës dhe metodikës të shoqëruar me shembuj konkret nga MP. Përfshinë: Bazat dhe Sfonde. Çështje të lidhura ngushtë me

  • Veçoritë dhe sfidat e mësimit në gjuhën e  prejardhjes
  • Raporte të përvojave dhe shembujve konkretë për mësimin dhe planifikimin.
  • Çështje thelbësore, të pedagogjisë, të didaktikës dhe të metodikës nëvendet e emigracionit.

Pjesët tjera 5 fletore me nxitje didaktike ( rreth 68- 88 f.). Mësuesi/ja këtu do të gjejë materiale dhe udhëzime të nevojshme për të realizuar mësimin në nivelin e kërkesave të sotme, të njohura praktikisht për fushat kryesore të formimit gjuhësor të nxënësit si: zhvillimi i aftësisë për të shkruar, për të lexuar, për të folur gjuhën amtare standarde, për të pasuruar njohurit ndërkulturore, strategji dhe teknika të mësimdhënies. Fletoret janë të titulluara si :

Nxitje didaktike: 1. Përkrahja e të shkruarit në gjuhën amtare..

Nxitje didaktike : 2. Përkrahja e të lexuarit në gjuhën e prejardhjes

Nxitje didaktike: 3. Përkrahja e kompetencës ndërkulturore në Mësimin e Gjuhës së prejardhjes.

Nxitje didaktike: 4. Përkrahja e të folurit në gjuhën e parë.

Nxitje didaktike: 5. Dhënia e strategjive mësimore dhe teknikave mësimore në MGJP .

Duke punuar me materialet e reja didaktike, mësuesit/et do të njihen me metodat që duhet zbatuar gjatë zhvillimit të MP në klasë. Ai/ajo duke shfrytëzuar edhe përvojën vetjake, si edhe duke pasur parasysh shpjegimet e dhëna në këto libra, si edhe duke pasur parasysh specifikën konkrete të formimit të përgjithshëm gjuhësor të nxënësve të tij, do të ndërtojë orë mësimore të këndshme që nxitin interesin e fëmijëve për të mësuar dhe që synojnë përvetësimin gradual të gjuhës amtare me gojë dhe me shkrim.

Me ndihmën e këtij materiali të bollshëm didaktik padyshim do të përmirësohet cilësia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Nexhmije Mehmetaj