Lajme

Kosovë, OJQ-ve të dyshimta u ndalet veprimtaria

Rreth 14 organizatave joqeveritare që zhvilluan veprimtari në Kosovë, u ndërpritet veprimtaria nën dyshimin se po prejudikojnë ekstremizëm fetarë

 

Menjëherë pas përfundimit të luftës (1999), Kosova ka qenë një “oazë” për shtrirjen e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Në mesin e tyre, rreth 14 organizata ishin nga Arabia Saudite, që zhvilluar veprimtaritë e tyre në disa qytete e fshatra të Kosovës, e që më vonë dolën se përveç humanitetit kishin diçka më të “madhe”.

Në muajt e fundit të vitit 2015, Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së vendit dhe duke u bazuar në informacionet nga Policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, kishte urdhëruar tërheqjen e lejes për ushtrimin e veprimtarisë për këto 14 organizata joqeveritare.

Këshilltari politik i ministrit të Brendshëm të Kosovës, Shkodran Manaj, thotë për REL se ato organizata janë urdhëruar të ndërpresin veprimtarinë, pasi që është konsideruar se kanë paraqitur rrezik për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

“E gjithë kjo procedurë është bërë në pajtim me Ligjin për lirinë e asociimit për OJQ-të, dhe udhëzimin administrativ për regjistrimin dhe funksionimin e organizatave joqeveritare në Kosovë”, thotë Manaj.

Pas kërkesave nga autoritetet kompetente, organizata Al-Wakaf al Islami, dhe rreth 13 të tjera të ngjashme kanë pushuar veprimtarinë e tyre.

Në njërin nga vendimet e marra nga Ministria e Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, ministri kjo që bën licencimin e OJQ-ve, thuhet se këto organizata kanë bërë shkelje edhe të normave juridike të statutit, në bazë të të cilit janë regjistruar.

“Ministria e Administratës Publike, përkatësisht Departamenti i OJQ-ve, nuk e ka bërë çregjistrimin e asnjë OJQ-je. Por, me një vendim kemi pezulluar veprimtarinë e tyre deri në një vendimin tjetër. Fjala është për 13 OJQ. Veprimtaria e OJQ-ve është pezulluar me kërkesë të organit kompetent të sigurisë”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga ministria.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, theksoi se një numër i organizatave të tilla nuk kanë vepruar ashtu siç e kanë pasur misionin, por kanë vepruar ndryshe, duke propaganduar dhe duke shtrirë ndikimet e tyre edhe në aspektin fetar.

“Kur e them këtë, nuk them vetëm për ato organizatat nga Lindja, por njëjtë kanë vepruar edhe ato nga Perëndimi. Numri i tyre ka qenë bukur i madh, edhe pse ne nuk mbajmë ndonjë evidencë. Ato organizata, derisa kanë predikuar çështje të tjera siç është edhe çështja fetare, vërehet ndikimi i tyre në indoktrinimin e të rinjve tanë”, tha ai.

Lista e Organizatave Joqeveritare ndaj të cilave Departamenti për OJQ/MAP, me datë 26 tetor 2015, në bazë të kërkesës së Organit kompetent të sigurisë ka marrë vendim për pezullimin e veprimtarisë së tyre: Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA); Al-wakaf al Islami; Kalliri i Mirësisë; Sinqeriteti; Çelësi; Pema e Bamirësisë; Kosova Aid Devolopment (KAD); Rinia Istogase; Hektari-He; Njëshmëria; Parimi; Gurma;  Mesxhidi Studentor.

Veprimtarinë e dyshimtë të disa organizatave, e sidomos të asaj Al-wakaf al Islami, disa hoxhallarë thonë ta kenë vërejtur shumë herët.

Idriz Bilalli, imam i xhamisë në qendër të qytetit të Podujevës, thotë se pas dyshimeve të para për veprimtarinë e organizatës Al-wakaf al Islami, është informuar Bashkësia Islame e Kosovës. Bilalli thotë se organet kompetentët në BIK, kanë bashkëpunuar me organizatën në fjalë.

“Al-wakaf al Islami, ne me kohë e kemi vërejtur se kjo organizatë po i favorizon disa individë, që veç sheshazi kanë dalë edhe publikisht me ato qëndrimet krejt ndryshe (ta praktikojnë fenë) nga ajo që ne e kemi pa dhe jemi mësuar këtu. Dhe, e kemi parë thjesht që është shumë e njëanshme dhe është destruktive dhe ne nuk kemi pasur bashkëpunim me ta”, tregon Bilalli.

Nga ana tjetër, Mejdi Bektashi, ish-anëtar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregon se derisa ka qenë në atë pozitë, ka pasur dyshime për disa institucione mikrofinanciare, të cilat në Kosovë veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar me mjete të dyshimta.

“Kanë qenë dy apo tri institucione mikrofinanciare që kanë qenë kryesisht me kapital nga shtetet e Gjirit Persik. Unë e di se dy nga to që kanë operuar në Prishtinë dhe në pjesën e Drenicës, janë mbyllur nga organet kompetente, në këtë rast ka qenë Njësia për inteligjencën financiare. Puna e tyre është bllokuar së bashku edhe me disa organizata joqeveritare që kanë përkrahur këtë fushëveprim të këtyre agjencive apo organizatave joqeveritare”, shpjegon Bektashi.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ka pasur edhe organizata të tjera nga shtetet arabe, që kanë ardhur në emër të mirësisë, por që kanë ushtruar frymë radikale ndër shqiptarë. Madje mediat në Prishtinë kanë përmendur disa nga këto organizata që kanë qenë të lidhura apo financuara drejtpërdrejt nga “Al Qaeda”.