Opinione

Cilësia e arsimit të lartë interes madhor publik

Termi  cilësi (quality)  në dekadën e fundit është termi  që është përmendur dhe theksuar  shumë  shpesh, si në aspektin politik poshtu edhe në nivele të ndyshme  profesionale, akademike etj.  Sigurimi i  cilësise në punë, për të përparuar dhe   përmirësuar  proceset  dhe  rezultatet  janë  qëllimi thelbësor  i të gjithë atyre që duan të jenë të suksesshëm në punën e tyre . Në këtë kontekst , debatet që janë zhvilluar për  cilësinë në arsimin e lartë kanë qënë ndër më të bujshmet, gjithmonë në qëndër të vëmendjes të shumë qarqeve. Kjo edhe për arsyen sepse cilësia në arsimin e lartë është një koncept shumë i rëndësishëm, shumëdimensional dhe dinamik. Një nga studiuesit e njohur të kësaj fushe, Vroeijestijn (1995) do të theksojë :  “Koncepti i cilësisë së arsimit të lartë nuk është i ri: ai gjithmonë ka qenë pjesë e traditës akademike. Bota e jashtme tani thekson nevojën dhe shqetësimin për cilësinë sepse cilësia paraqet lidhjen në mes të arsimit të lartë dhe shoqërisë që po ndryshon’’.

Në këtë kontekst, edhe në sektorin e arsimit të lartë po ndodhin ndryshime të thella, shumëllojshmëri e përmbajtjeve të programeve studimore dhe të  aktiviteteve tjera. Rritet vëllimi i punës, sistemet e arsimit të lartë po kalojnë nga ato “elitare” në “masovike”, ku kemi rritjen e numrit të institucioneve arsimore  publike  dhe private si dhe rritjen e numrit të studentëve që në vitet e fundit është rritur në mënyrë drastike.  Në anën tjetër, burimet reduktohen, forcohen  kërkesat për llogaridhënie, rritet interesi i shtetit për të mbrojtur investimin e vet , si dhe kemi një  shqetësim global për cilësi dhe standarde.

Nisur nga ky kompleksitet ku nderthurja kauzale e shumë faktorëve determinon edhe kuptimin e këtij koncepti, shumë mendimtarë me të drejtë do  të konstatojnë se  “..në instancë të fundit, cilësia është një koncept filozofik” (Green, 1994).  Për të reduktuar këtë vlersim aksiomatik në kuptimin e përditshmërisë tonë, nisur nga kuptimi  i “cilësisë”( cilësia e procesit arsimor që u ofrohet studentëve) dhe definicionit të “standardit”(arritje aktuale ose rezultati i synuar), do të gjejmë rrugën drejt definimit të asaj që ne e quajmë “standard akademik” që merr kuptimin e “aftësisë  së  matshme për të përmbushur nivelin e specifikuar (standardizuar) të arrijes  akademike”.

Kuptohet që për të realizuar qëllimet, pra arrijen e standardeve  të dëshiruara ,janë të nevojshme realizimi  disa  aktiviteteve,veprimeve dhe procedurave. Thënë  thjesht, ky është një proces i vazhdueshëm që siguron zhvillimin dhe plotësimin e standardeve në kontinuitet.

Meqë  Magna Charta Universitatum   universitetet i definon si  “qendra të kulturës, dijes  dhe kërkimit shkencor”,  duke venë theksin në autonominë e tyre, ku deklarohet nevoja morale dhe intelektuale për pavarësi të institucioneve të arsimit të lartë  nga ana e  autoriteteve politike dhe e fuqive  ekonomike, realizimi i aktiviteteve të sipërpërmendura bëhet kompleks, por jo i pamundur.

Gjithashtu, duhet cekur se në kërkim të përshtatjes së tyre dinamike për përgjigje sa më adekuate ndaj sfidave të reja ato bartin përgjegjesinë kryesore edhe për kultivimin e kompetencave në punën profesionale dhe në transferin e njohurive dhe teknologjisë në një ambient global me shumësi diversitetesh.

Në këtë kontekst institucionet  e arsimit  të lartë në të njëjtën kohë ballafaqohen  edhe  me   problemin e  besueshmërisë  në aftësinë e instancave të tyre akademike që në mënyrë kritike të vlerësojnë punën e tyre vetanake  dhe të justifikojnë autonominë e besuar të institucionit, kurse  në anën tjetër të arsyetojnë  fondet  publike që ato i marrin. Nuk duhet harruar që ato janë përgjegjës ndaj të gjithë pjesëmarrësve tjerë ,të jashtëm, në arsimin e lartë: pra përveç studentëve edhe ndaj prindërve të tyre si dhe ndaj punëdhënësve potencialë dhe tatimpaguesve tjerë respektivisht shoqërisë.

Është e kuptushme që në këtë kompleksitet rethanash kujdesi ndaj cilësisë do të mund të arrihet nëse secila instance, në çdo nivel merr përgjegjësinë për punën që i takon, dhe në qoftë  se rezultatet e vlerësimit të çdo  aktiviteti (individual dhe  sistemor), merren  parasysh gjatë  definimit  të gjitha  vendimeve dhe akteve tjera gjatë planifikimi strategjik të  Universitetit.

Shikuar nga këndvështrimi i rrjedhave në arsimin e lartë në vendin tonë dhe në rajon, veç mangësive dhe dobësive tjera, forcën transformuse drejt një cilësie më të lartë e shton edhe konfuzioni mbi definimin  e cilësisë që vjen nga inercioni  i mentaliteteteve dhe mosgadishmëria tër tu ballafaquar me pikëpamjet moderne mbi këtë çështje. Harvey dhe Green kanë bërë kategorizimin  e konceptit të cilësisë në arsimin e lartë me qëllim lehtësimin dhe qartësimin metodologjik të kësaj fushe komplekse. Ndër disa kategori ata veçojnë si më prezente konceptin e “cilësisë si shmangje e gabimeve”(”zero errors”), cilësia si përmbushje e objektivave të caktuara(”fitness for purpose”), cilësia si përmbushje e një pragu (minimumi apo“threshold”) mes konceptesh tjera kategorizuese. Por ajo që në sferën e arsimit të lartë është më prezente, sillet mes dy tendencave , edhe atë:

– e  para, është ajo që kërkon të mbajë një qëndrim tradicional akademik  mbi cilësisë si “shkëlqyeshmëri”(“excellence”) duke pretenduar se “të qenit më i miri” është  garancion i mjaftueshëm i cilësisë, dhe

-të tjerët që bazojnë kuptimin mbi konceptin e cilësisë mbi  kërkesën për transformim (“quality as transformation”) me qëllim që  produkti  apo shërbimi  duhet të plotësojnë atë që në atë kohë definohet dhe njihet si nevojë ,pra të plotësojë nevojën, kërkesën dhe dëshirat e konsumatorëve ose klientëve. Duke vënë në dukje se kjo përmbush më së miri atë që definohet si interes publik që gërsheton dhe kyç interesin dhe përgjegjësinë e të gjithë faktorëve dhe  i mundëson arsimit të lartë të ngelet në nivelin e pritshëm të përgjegjësisë për shoqërinë në përgjithësi.

Duke u përqëndruar edhe këtu në kontekstin e ambientit tonë , nuk është veshtirë të identifikohet se tendencën e pare e përfaqësojnë ato institucione që kënaqen duke qënë “të parët” në “mahallën e tyre” duke mos vlerësuar punën e tyre në relacion me nevojat , kërkesat e kohës , dhe të hapsirës e cila padyshim shkon përtej “mëhallave tona”. Kurse të tjerët mjaftohen duke u ndjerë më lehtë kur shohin se ka edhe më keq se këta.  Rezultatin e  këtij mentaliteti, padyshim  që  e shohim në rangimet e univeristeteve tona  ku ata i shohim të notojnë “lartë poshtë” pa një lëvizje me ndonjë tendencë kuptimplote, që padyshim i shqetëson apo së paku duhet ti shqetësojë të gjithë faktorët respektivë (studentët, profesorët, qeverinë , taksapaguesit etj). Duhet theksuar që “përkundje” pa ndonjë përmirësim substancial kryesisht është evidente në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë(?!) aty ku edhe pritjet dhe nevojat e shoqërisë janë edhe më sensitive dhe bazike sikurse janë papunësia, zhvillimi i ulët ekonomik, migracioni, “brain drain”, shtimi i shkallës së varfërisë etj. Kjo gjendje nuk besoj që mund të lërë indiferent ndokënd.

Prandaj mendoj se është koha e fundit kur të gjithë faktorët të vlerësojnë drejt këtë gjendje të pakëndshme tonën, secili në kuadër të përgjëgjësive të veta të ndërmarrë hapat e duhura dhe pa hezitim ti qasemi përmirësimit të situatave me veprime konkrete, efikase dhe të matshme. Në të kundërtën gjeneratat që vijnë dhe historia ,  me të drejtë, do të na shpallin përgjegjës për dështimet dhe katandinë që mund të na ndodh.