CH-Ballkani

Cilat rrugë duhet t’i zgjedhin shqiptarët në Maqedoni?

Ditë më parë, duke kërkuar ca  materiale në arkivat e mia, hasa rastësisht në incizimet që i kisha bërë fjalimit të politikanit të ndjerë Arbër Xhaferi, kur u emërua,  më 1994, në kongresin e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), kryetar i ri i subjektit që doli nga disidenca e saj, respektivisht Partisë së Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve të Maqedonisë (PPDSH), e cila më vonë u shndërrua në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH). Më ka ndodhur t’i dëgjoj fjalët e betonuara që Arben Xhaferi i prononcoi atë natë, në orët e vona të përfundimit të kongresit në fjalë. Si student, i cili i ndiqja nga afër rrjedhat politike në vend, isha i impresionuar me vizionin e tij, objektivat që ai u zotua se do t’i realizonte si dhe angazhimin dinjitoz të tij.

Është fakt historik se krijimi i strukturës PDSH pati ndikuar dukshëm në artikulimin e kërkesave historike të shqiptarëve, dhe atë falë syçeltësisë dhe strategjisë së Arben Xhaferit, i cili kur pastaj u fut në pushtet me akolitin e tij, Menduh Thaçi, devijoi po ashtu nga qëllimet finale të strukturës që ai përfaqësonte. Mbi frustrimet që buruan nga mosarritjet e tyre si dhe falë konjonkturava të reja gjeopolitike regjionale që mundësuan luftën e 2001-ës, lindi një strukturë ushtarake-politike (UÇK), e cila u shndërrua pastaj në Bashkimin Demokratik Shqiptar (BDI) dhe që justifikonin legjitimitetin e tyre në dështimet e PDSH-së për të zgjidhur të drejtat që aspironin shqiptarët në atë vend.

Sot, 15 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, sërish dalin struktura të reja që justifikojnë subjektivitetin e tyre politik duke u thirrur në dështimet e partive politike në pushtet (si dhe të atyre që sillen në orbitë të saj) dhe të cilat tërësisht veprojnë në konturat që ua dikton lidershipi i partisë politike maqedonase që udhëheq atë vend qe nëntë vjet.

Është bërë, pra, tanimë traditë te shqiptarët e Maqedonisë që çdo 10-15 vjet të krijojnë formacione të reja politike dhe të zotohen se do t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e popullatës shqiptare, sepse struktura politike në pushtet nuk e bën atë. Edhe pse të gjithë janë të pajtimit mbi konstatimin e të keqes që e ka kapluar që me vite lidershipin politik shqiptar të BDI-së (për arsye të cilat edhe fëmijët e vegjël i dinë) si dhe dështimit të tyre total në jetësimin e mirëfilltë të  Marrëveshjes së Ohrit, e keqja në fjalë nuk luftohet pa strategji dhe koncepte politike të mirëfillta. Nuk binden shqiptarët e Maqedonisë apo atë diasporës se e keqja në fjalë luftohet me krijimin e strukturave të reja politike. Formacionet në fjalë madje si duket e kanë të vështirë ta konceptualizojnë ndryshimin që ata do ta bartin, vlerat evropiane që ata duhet t’i shndërrojnë në akte, vizionin politik që ata e ndajnë për fatin kolektiv të shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe ta definojnë strategjinë konkrete që do ta ndjekin për të arritur deri te qëllimet, të cilat mbeten po ashtu ende jo të qartësuara mirë.

Karshi regresit scioekonomik, kulturor dhe politik të pamohueshëm të shqiptarëve, ndryshimi për shqiptarët e Maqedonisë është i domosdoshëm. Mirëpo, është vështirë të bindet një audiencë që të mbështesin si duhet nisma të reja politike, përderisa partitë opozitare shqiptare nuk arrijnë të bashkërreshtohen me një platformë politike të përbashkët, ose së paku të argumentojnë publikisht përse ajo nuk bëhet. Kjo është thjesht irituese për secilin.

Rreziku real i këtij fragmentimi të përfaqësimit politik shqiptar në Maqedoni nuk është vetëm zbritja e numrit të deputetëve shqiptarë në parlament, por edhe përfaqësimi i mëtutjeshëm i partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë në baza lokale, respektivisht të krijimit de facto të Partive të Struganëve, të Tetovarëve, apo të Shkupjanëve-Kumanovarëve. Nëse përfaqësimi i shqiptarëve do të copëtohej në baza lokale, kjo do sillte pasoja edhe më të mëdha se ato të deritanishmet, sepse manipulimi me partitë politike shqiptare do të ishte ende më i lehtë. Merita e partive të deritanishme ka qenë që së paku, me disa përjashtime të vogla, e kanë shtrirë, në mënyrë më homogjene veprimin  e tyre kombëtar në tërë hapësirën shqiptare në Maqedoni dhe jo në nahi prej nga vijnë liderë e tyre.

Prandaj, thyerja e rrethir vicioz të sipërpërmendur mund të realizohet vetëm përmes tri rrugëve.
E para, nëpërmes një ndryshimi rrënjësor të udhëheqësisë së BDI-së. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Ali Ahmeti (mund apo do) t’i hapë seriozisht rrugë një udhëheqësie të re dhe nëse anëtarësia aktive e zhgënjyer e BDI-së arrin ta ndryshojë raportin e forcave për të krijuar hapësirë politike për ndryshime kadrovike nga brenda. Një gjë e tillë do ta shpëtonte BDI-në, por edhe PDSH-në, si dhe do të parandalonte fragmentimin e sipërpërmendur.

E dyta, pasi që ndryshimi i mësipërm konsiderohet nga shumica si utopik (sepse BDI qenka strukturë e personifikuar nga disa individë, pra e pareformueshme), atëherë strukturat e reja politike opozitare shqiptare me çdo kusht duhet të arrijnë të artikulojnë zërin e tyre në suaza të një platforme politike të përbashkët, ku qartazi do të diagnostikohen problemet, të definohen qëndrimet politike karshi strukturave shqiptare si dhe atyre maqedonase, të përcaktohen qëllimet, të qartësohen pa ambiguitet orientimet civilizuese dhe vlerat demokratike që do të mbrohen si dhe të afatizohen detyrat dhe obligimet e secilës palë. Nëse e arrijnë këtë, atëherë do ta kenë më se të garantuar mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë si dhe të diasporës.

E treta, një mobilizim i shoqërisë civile shqiptare, në vend dhe me mbështetje të diasporës, që do të kalonte nëpërmes organizimit të saj, me qëllim që të shtrohen problemet e sipërfolura në opinion, por edhe karshi aktorëve ndërkombëtarë, do të jepte po ashtu efektet jo të neglizhueshme. Ajo ndoshta do të ndihmonte në thyerjen e rrethit vicioz, në të cilin janë zhytur shqiptarët e Maqedonisë që nga fillimi i pluralizimit politik në atë vend.

Dr. Bashkim Iseni, politolog, drejtor i platformës Albinfo.ch