Lajme

Inaugurohet hidrocentrali i financuar nga diaspora

Të shtunën është inauguruar hidrocentrali “Albaniku III”, i cili ofron 4.3 megavatë me një shtrirje të rrjetit prej 8.3 kilometrash.

Hidrocentrali është vendosur në fshatin Selac të Shalës së Bajgorës në Mitrovicë.

Kryeinvestitori i ndërmarrjes, Gani Nuhiu, në inaugurimin e hidrocentralit “Albaniku III” tha se ndihet i nderuar të prezantojë projektin e tij, transmetojnë mediat në Prishtinë.

Ai shtoi se ky hidrocentral u financua edhe nga diaspora.

“Ky projekt me 4.3 megavatë nuk është shumë, por nuk është edhe pak, kur dimë që Kosova ka nevojë për këto investime. «Albaniku 3» është instaluar dhe kemi shtrirë rrjetin 8.3 km dhe lidhemi me gjigantin tonë kur dikur mburremi me të, me Trepçën tonë”, tha Nuhiu.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në këtë inaugurim tha se energjia alternative që e kanë bërë këta investitorë do të ngritë produktin vendor dhe se ky është një gjigant ekonomik për vendin tonë.

Veseli iu ka bërë thirrje qytetarëve në diasporë që të vinë dhe të investojnë në Kosovë, sepse edhe ata mund ta zhvillojnë Kosovën dhe institucionet do t’i përkrahin, sepse ata janë garancia më e ndershme e zhvillimit të vendit.