Uncategorized

BE-ja, plan radikal për të parandaluar fluksin e refugjatëve

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) janë duke menduar një “plan radikal” për të ndaluar fluksin e emigrantëve nëpërmjet Ballkanit , duke propozuar bllokim të plotë të kufirit të Maqedonisë me Greqinë, në mënyrë që autoritetet greke të detyrohen të punojnë urgjentisht për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Evropës, shkruan gazeta britanike “Financial Times”, përcjell albinfo.ch.

Të hënën këtë mund ta diskutojnë ministrat e brendshëm të BE-së, thotë “Financial Times”, derisa Komisioni Evropian (KE) dhe Gjermania janë të gatshëm të mbështesin propozimin e Sllovenisë që do të ndihmojë Shkupin për të mbyllur kufirin me Greqinë dhe kështu të parandalohet fluksi i pakontrolluar i emigrantëve.

Të mërkurën pikëpamjet tashmë janë shkëmbyer nga ambasadorët e misioneve të shteteve anëtare në Bruksel, të cilët kanë përgatitur axhendën e takimit të ministrave të brendshëm të BE-së, të hënën në Amsterdam, ku temë kryesore do të jetë fluksi i emigrantëve nëpërmjet rrugës perëndimore të Ballkanit.

Propozimi slloven drejtuar udhëheqësve të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor ka të bëjë me ofrimin e ndihmës së drejtpërdrejtë Qeverisë së Shkupit për të marrë forcimin e mbikëqyrjes në kufirin me Greqinë dhe për të stopuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm.

Shumë ekspertë evropianë kanë arritur në përfundimin se mbyllja e kufirit maqedonas-grek, në fakt, do të izolonte Greqinë nga zona Shengen dhe pjesa tjetër e Bashkimit.