Integrimi
Diaspora shqiptare, sërish nën ethet e fushatave elektorale
Zgjedhjet kantonale që do të mbahen në shkurt dhe prill në disa kantone të Zvicrës, kanë mobilizuar mërgatën shqiptare sërish në mbështetje të kandidatëve të saj. Albinfo.ch ka kontaktuar dhe prezanton shumicën e kandidatëve me prejardhje shqiptare të këtyre zgjedhjeve
Më 28 shkurt 2016 në St. Gallen do të bëhet zgjedhja e Parlamentit të ri kKntonal. Në garë për të fituar një ulëse në Parlamentin e Kantonit tashmë dihen emrat e tetë shqiptarëve të nominuar.
Kurse më 10 prill 2016 do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin e ri të Kantonit Thurgau. Në listat zgjedhore të partive të këtij kantoni janë nominuar katër emra shqiptarë.
Disa prej të nominuarve në Kantonin St. Gallen kanë krijuar tashmë grupet e punës që do të udhëhiqen nga koordinatorët, në mbështetje të fushatës, raporton albinfo.ch.
Socialdemokratët kanë më së shumti shqiptarë në listat e tyre zgjedhore. Janë pesë kandidatë me prejardhje shqiptare që synojnë në tri zona zgjedhore të fitojnë një ulëse në parlamentin e kantonit.
Krahas SP-së, që ka në listë emra si gazetarin Etrit Hasler deputet që synon mandatin e dytë dhe nënkryetarin e partisë, Arbër Bulllakajn, një kandidat tjetër mjaft mirë i përgatitur është dhe poeti dhe publicisti Isuf Sherifi. Më tutje në ketë listë janë edhe Jona Xhemajli e diplomuar në Prishtinë dhe kontabilistja nga Rorschachu, Adelina Muhagjeri.
Me nga një kandidat me prejardhje shqiptare garojnë edhe tri parti të tjera të mëdha. SVP ka profesorin Ambroz Rrustemi, FDP, inxhinierin Egzon Zhuta dhe CVP studentin e universitetit të St. Gallenit, Veton Rrasaj.
Ambroz Rrustemi: „Me SVP-në, kundër paragjykimeve të kësaj partie për shqiptarët“
Risi në këto zgjedhje përben angazhimi i ish kryetarit të Forumit Rinor të LDK-së në Zvicër, Ambroz Rrustemi. Me partinë SVP ai po tenton ta thyejë akullin e paragjykimeve në këtë parti ndaj komunitetit shqiptar.
Ambroz Rrustemi është 30 vjeç dhe përvojën e tij politike në LDK e bart si kandidat i krahut të djathtë në partinë konservative, SVP. Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me të, të cilën do ta botojmë në shtojcën e storjeve për zgjedhjet kantonale.
Egzon Zhuta, FDP: „Angazhohem për një Zvicër të pavarur dhe liberale“
Egzon Zhuta është nominuar në listën Rheintal të partisë liberale FDP. „Unë i njoh problemet e diasporës shqiptare këtu, pasi që vetë jam njëri prej tyre, prandaj unë kërkoj votën e tyre“, shprehet ai. Nëse zgjedhem deputet, unë do të angazhohem për një Zvicër të pavarur dhe liberale“, thotë Zhuta për albinfo.ch.
Veton Rasaj CVP, sërish në garë
Në partinë e kristian-demokratëve, CVP-PDC, të kantonit të St. Gallenit, kandidon politikani i ri, Veton Rasaj, i cili ka qenë pjesë edhe e garës për zgjedhjet nacionale të tetorit në vitin e kaluar.
Etrit Hasler (SP): „Angazhohem për të dobëtit“
Etrit Hasler, deputeti aktual nga Partia Socialdemokrate synon edhe një mandat. Ai garon në zonën St. Gallenit dhe angazhohet për të dobëtit. „Unë i përfaqësoj tashmë gati 12 vjet të dobëtit dhe të pambrojturit në Asamblenë e St. Gallenit dhe në Parlamentin e Kantonit St. Gallen“, shprehet ai. Hasler angazhohet për migrantët, për ata që rroga nuk u mjafton për të jetuar dhe për ata që vetë nuk mund të mbrohen, ka thënë ai në një intervistë për albinfo.ch
Arbër Bullakaj (SP), ndër kandidatët më të fortë të zonës së tij
Arbër Bullakaj, bën pjesë në zonën e Wilit dhe me mbi 17 mijë vota të fituara në zgjedhjet e fundit nacionale, konsiderohet njëri ndër kandidatët me të fortë të zonës së tij që mund t`i fitojë zgjedhjet për deputet kantonal. Pikat e tij më të forta janë në fushën e financave dhe në politikën e integrimit. Po ashtu, ai është angazhuar për barazi gjinore dhe shanse të njëjta pë të gjithë. Bullakaj është një politikan që po fiton mbështetje të madhe në mesin e anëtarëve të Partisë Socialdemokrate. Ai ka zhvilluar njëherësh fushatën më masive në kuadër të kësaj partie. Vetë strukturat me të larta partiake kanë vlerësuar lartë organizimin e fushatës zgjedhore të komunitetit shqiptar në mbështetje të Arbërit dhe Partisë Socialdemokrate.
Isuf Sherifi (SP), kandidati me mbështetje të fuqishme të shqiptarëve të St. Gallenit
Isuf Sherifi, bën pjesë në zonën e St. Gallenit. Ai ka marrë një mbështetje të fuqishme elektorale nga migrantët shqiptarë të St. Gallenit me rrethinë.
Në hapje të fushtës së tij dhe të Jona Xhemajlit, nuk ka mjaftuar hapësira e sallës së restorantit Adler për të gjithë të interesuarit.
Tekstin për kandidatin Isuf Sherifi do ta publikojmë të ndarë për shkak të interesimit të madh të partisë për ta futur atë në listën zgjedhore dhe interesimit të mërgimtarëve për ta mbështetur kandidaturën e poetit dhe publicistit Isuf Sherifi.
Jona Xhemajli: Për bashkëpunim mes të rinjve të huaj dhe atyre vendës
Jona Xhemajli, e nominuara e socialdemokratëve në zonën St. Gallen angazhohet për një sistem më të avancuar politik në zhvillimin e rinisë përmes arsimit. Ajo ka lindur në Biel/Bienne të Zvicrës dhe pas luftës është kthyer me prindërit për të jetuar në Kosovë. Në Prishtinë ajo ka mbaruar studimet në gazetari, komunikimi masiv. Jona ka disa vite që është kthyer serish në Zvicër për të jetuar dhe vepruar politikisht. Përmes angazhimi të saj politik në Partinë Socialdemokrate ajo synon të sjellë një frymë të re bashkëpunimi mes të rinjve të huaj dhe vendës.
Adelina Muhaxheri (SP/PS), kandidatja që mund të befasojë
Adelina Muhagjeri është kandidatja që mund të befasojë në këto zgjedhje. Ajo jeton në një zonë votuese ku numri i votuesve të huaj, gjegjësisht me prejardhje shqiptare është mjaft i madh dhe si e nominuara e vetme shqiptare për zonën zgjedhore Rorschach, ajo mund të kalojë lehtësisht konkurrentët e saj partiak dhe të sigurojë një ulëse në Parlamentin e ri Kantonal.
Adelina ka bërë një vlerësim rreth votave të mundshme. Me rreth 42 mijë banorë zona e Rorschachut ka rreth 20 mijë votues ku me tepër se një mijë shtetas zviceranë kanë prejardhje shqiptare, thotë ajo. “Mua më duhen rreth 1500 vota për të fituar dhe nëse angazhohemi të gjithë ne do të fitojmë vendin e tretë“, deklaron ajo në hapje të fushatës zgjedhore të hapur te shtunën në klubin „Plisat“ në Rorschach.
Mes tjerash përgatitja e saj në hapje të fushatës zgjedhore u cilësua nga të pranishmit si më e mira nga të gjithë kandidatët me prejardhje shqiptare.
Fushatën e saj zgjedhore do ta koordinojnë Qamil Çekaj dhe Afrim Maliqi.
Nëse arrin të zgjedhet si deputete kantonale ajo premton të angazhohet në fushën e të drejtave të grave, duke kërkuar lehtësim në riintegrim në tregun e punës. Integrimi i migrantëve si dhe të drejtat e tyre janë prioritet i punës së saj. Adelina premton po ashtu se do të angazhohet për një politikë familjare me më tepër kushte, me kosto të ulët për fëmijët.
Alban Imeri (BDP), shqiptari mysliman që dhuron biskota për Krishtlindje
Në kantonin Thurgau kandidatët që dihen deri më tani janë: Alban Imri (BDP), Nazmije Ismajli (FDP), Besim Kauz (BDP) dhe Enis Asani (BDP)
Alban Imeri, BDP, zona Romanshorn, është një djalë i ri që sjell më së shumti përvojë politike në mesin e kandidatëve me prejardhje shqiptare që synojnë Parlamentin e Kantonit Thurgau.
Motoja e tij zgjedhore është: „Në harmoni të bashkuar“. Sipas Albanit motoja e tij nënkupton harmoni mes zviceranëve dhe të huajve, të djathtëve dhe të majtëve. Partinë dhe angazhimin e tij ai e sheh në mes të të djathtës dhe të majtës, që kërkon bashkëpunimin në interes të qytetarëve me të dyja palët. Ndryshe Albani njihet edhe si kereograf dhe valltar i njohur i shoqatës „Sharri“, në Romanshorn.
Fushata zgjedhore e Albanit ka filluar në dhjetor duke tërhequr vëmendjen edhe të medieve lokale kur ai me një karrocë të mbushur me biskota dhe qirinj ua ka shpërndarë kalimtarëve me një letër urimi të krishtlindjeve.
„Si mysliman që jam, aksioni im është vlerësuar shumë. Të gjithë më kanë uruar që unë si mysliman kam dalë t’ua uroj krishtlindjen qytetarëve zviceranë. Mbi 200 afishe kam shpërndarë duke ju dhuruar në urimin tim për krishtlindje qirinj dhe biskota“, tregon studenti i universitetit të Cyrihut ETH në drejtimin për inxhinier të makinerisë.
Albani ka kandiduar edhe dy herë më parë në kuadër të partisë së tij BDP. Herën e parë për asambleist dhe të dytën për deputet kantonal ku i kanë munguar 300 vota e që i bie 150 votues duke pasur parasysh se secili kandidat mund të votohet dy herë.
Në mbështetje të kandidatit të BDP-së, Alban Imeri, një grup i vogël mërgimtarësh me në krye koordinatorët Njiazi Osmani dhe Alirahmi Nuhiu do të zhvillojnë fushatën zgjedhore të kandidatit të tyre për zgjedhjet kantonale që do të mbahen më 10 prill 2016. Por para se të vendoset për parlament, Albani është në garë të ngushtë për t’u zgjedhur në komisionin për natyralizim të të huajve dhe kërkon ta votojnë më 28 shkurt për të hyrë në këtë komision.
Nazmije Ismajli, FDP: „As majtas, as djathtas por drejt“
Nazmije Ismajli nga FDP, do ta sfidojë veten serish në zgjedhjet kantonale për Parlamentin e Kantonit Thurgau. Vajza me prejardhje nga Tetova është kontabiliste me profesion dhe krahas studimeve për ekonomi në një shkollë të lartë në St. Gallen, punon në kompaninë e sigurimeve, „Helvetia“.
„Në politikë unë kam një rrugë dhe ajo është rruga liberale; as majtas, as djathtas, por drejt“, është shprehur ajo kohë më parë për albinfo.ch
Besim Kauz, BDP: Kundër komplikimit të procedurës për natyralizim
Besim Kauz BDP, është nominuar nga partia BDP në zonën Weinfelden. Politikani thotë se do të angazhohet nëse zgjedhet deputet kantonal që procesi i natyralizimit të të huajve të mos komplikohet sipas propozimeve të SVP-së së Blocher-it.
Kohë më parë ai është shprehur për albinfo.ch se shqiptarët kanë bërë shumë për Zvicrën, andaj nuk duhet lejuar që kjo të rrënohet nga njerëz të pandërgjegjshëm.
„Ne shqiptarët kemi bërë shumë për Zvicrën dhe do të mundohemi që të mos na i mbulojë gjërat e mira ndonjë problem i vogël që mund t‘i ndodhë çdokujt. Mendoj se jemi të fuqishëm për të treguar se mundemi edhe shumë më shumë, si për shembull, të depërtojmë edhe në politikë“, thotë kandidati për deputet kantonal.
Enis Asani BDP, zona Frauenfeld, nuk kemi arritur ta kontaktojmë.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës