Uncategorized

Arsimi i sëmurë nga leukemia, ka nevojë urgjente për ndihmë

Para se transplantimi të bëhet, familja duhet t`i sigurojë edhe 247 mijë euro të tjera. «Burimet tona kanë shterruar», thotë i dëshpëruar vëllai i Arsimit

Arsim Azemi është 36 vjeç dhe baba i katër fëmijëve. Ai jeton dhe punon në Kosovë dhe është goditur nga një lloj agresiv i leukemisë. Gjendja e tij është aq e rëndë sa që mjekët e kanë kthyer në shtëpi «për të vdekur».

Por vellai i tij që jeton në Gauting, Gjermani, landi i Bavarisë nuk është pajtuar me këtë fat. Ai e ka sjellë Arsimin në Gjermani, ku ai po trajtohet që nga tetori në klinikën Grosshadern, shkruan wochenanzeiger.de. «Është sqaruar se ai ka nevojë urgjente për transplantimin e qelizave staminale (palca e eshtrave)», thotë Angelika Siegmund nga Gautingu, e cila e njeh mirë familjen Azemi.

Arsimi është trajtuar me kimioterapi. «Për trajtimin dhe qëndrimin në spital familja jonë deri tash ka paguar rreth 93 mijë euro», thotë vëllai i Arsimit, i cili natyrisht, duke qenë nga Kosova, nuk ka sigurim shendetësor.

«Arsimi ka nevojë urgjente për një transplantim e qelizave staminale», thotë vëllai, Xhaviti dhe shton se një dhurues me qeliza shumë të përafërta tashmë është gjetur brenda familjes», transmeton albinfo.ch. Por, para se transplantimi të bëhet, familja duhet t`i sigurojë edhe 247 mijë euro të tjera, për t`i paguar paraprakisht.

«Burimet tona kanë shterruar», thotë i dëshpëruar vëllai i Arsimit. Ndërsa Angelika Seigmund thotë se e ka tronditur rëndë ky rast. «Nuk mund ta kuptoj se si dikush këtu në Gjermani duhet të vdesë vetëm për mungesë të parave për trajtim». Unë megjithatë shpresoj se do të ketë ndihma për Arsim Azemin, sepse këtu bëhet fjalë për shpëtim të një jete dhe me këtë, edhe për të ardhmen e katër fëmijëve të tij.