Shkurt.ch

9 nga 10 pleqtë zviceranë jetojnë të pavarur, në shtëpitë e tyre

Pro Senectute parasheh se me rritjen e jetëgjatësisë së zviceranëve, shpenzimet e përkujdesjes shëndetësore të të moshuarve, në vitin 2030 do të shkojnë në 10.5 miliardë franga nga 7 miliardë sa janë sot

Nëntëdhjetë për qind e njerëzve të moshuar në Zvicër vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e tyre. Sipas një studimi të realizuar nga Pro Senectute, ky trend nuk pritet të ndryshojë as në të ardhmen.

Studimi tregon se aktualisht madje edhe personat në pleqëri të thellë, ose në moshën mbi 85 vjeçare, afër 60 për qind jetojnë në shtëpitë e tyre dhe janë të pavarur. Kjo përqindje do të mbetet konstante dhe do të ketë në të ardhmen pasoja vendimtare për koston e përkujdesjes për ta, shkruajnë mediet zvicerane.

Ndonëse në Zvicër ka mjaft oferta për përkujdesje të të moshuarve të përmendur, problemi është se ato duhen të paguhen nga vetë xhepi i atyre që i shfrytëzojnë ose, siç ndodh ndonjëherë, ndihmë ofrojnë edhe familjarët dhe fqinjët.

Pro Senectute tërheq vëmendjen rreth ngritjes së çmimeve që vjen si rezultat i plakjes së shoqërisë. Ajo parasheh se me rritjen e jetëgjatësisë së zviceranëve, shpenzimet e përkujdesjes shëndetësore të të moshuarve, në vitin 2030 do të shkojnë në 10.5 miliardë franga nga 7 miliardë sa janë sot.

Prandaj duhet të rregullohet në mënyrë të qartë se kush dhe cilat shërbime i financon. Aktualisht shumica e shpenzimeve për përkujdesje të të moshuarve mbulohet nga Sigurimi Shëndetësor. Ndërsa në këtë përkujdesje nuk llogaritet edhe ndihma në amvisni dhe në punë burokratike.