Integrimi

Carole dhe Musa, një dashuri e lindur në eter

Ishte Musa, i panjohuri i cili më telefonoi për të më pyetur për një kurs gjuhe në gjuhën shqipe. “Unë dëshiroj që gruaja ime të mësojë mirë gjuhën time” më tha ai, me krenari. Nga zëri i tij kuptohej se ishte një dashuri e madhe.

Kur e takova Carole, e kuptova përse Musa ishte aq krenar. Kur Carole flet për atdheun tim, mua më duket se po fluturoj mbi vendin tim. Kështu më ndodh vetëm kur i lexoj librat e Ismail Kadaresë…
albinfo.ch: Çfarë kanë të përbashkët kultura kosovare dhe ajo zvicerane ?

Carole dhe Musa: Shumë pak. Janë dy kultura të ndryshme. Në kulturën kosovare familja ka një vend më të lartë, këtu zviceranët ndryshojnë. Mirëpo në Zvicër jetohet ndryshe. Shumica e të rinjve që nga mosha 18 e 20 vjeçare janë të pavarur. Ndërsa në Kosovë jetojnë disa gjenerata nën një kulm. Por edhe kultura e të ushqyerit është e ndryshme

albinfo.ch: Çfarë të pëlqen ty në Kosovë, e çfarë Musës në Zvicër ?

Carole: Jam e befasuar për të mirë me Kosovën. Kur isha herën e parë, kam menduar se akoma gjithkah janë gjurmët e luftës. Kosova është një vend shumë i bukur, është keq që njerëzit i hedhin mbeturinat kudo nëpër natyrë. Po në anën tjetër i kuptoj, derisa ende është i pazgjidhur koncepti i mbeturinave, me të cilin shteti do të përkujdesej për to. Mendoj se Kosova ka shumë potencial, sikur shteti të punonte më shumë për kosovarët. Njerëzit janë të përzemërt, të shoqërueshëm. Shumica e njerëzve duken që janë të vendosur e me vullnet, edhe pse janë të varfër.

Musa: Në Zvicër më pëlqen mënyra se si çdo gjë është rregulluar, ndonjëherë madje ka si shumë rregulla. Po ashtu më pëlqen se Zvicra ka shumë ujëra, liqene e lumenj. Ka pastërti, shumica e njerëzve janë të përpiktë me kohën, me këtë më është dashur të përshtatem, sepse në Kosovë kjo nuk është prioritet. Më pëlqejnë oraret e rregulluara të punës dhe fakti se popullsia është mirë e organizuar. Njeriu ka mundësi të mëdha për t`u arsimuar dhe për të zgjeruar arsimimin.

albinfo.ch: Çfarë ju dallon ?

Në të vërtetë dallojmë shumë, megjithatë jemi të përshtatshëm me njëri tjetrin. Thonë se anët e kundërta tërhiqen drejt njëra tjetrës. Në thelb mendojmë njëjtë. Ne bisedojmë shumë me njëri tjetrin, dhe kjo është shumë e rëndësishme për raportin tonë. Kështu ne i shmangim keqkuptimet kulturore. Të dytë duhet të jemi të hapur, dhe të pranojmë gjëra të reja.

albinfo.ch: Ku ndjeheni më rehat, në Kosovë apo në Zvicër ?

Carole: Edhe pse me kënaqësi udhëtoj për në Kosovë, për të vizituar familjen e bashkëshortit tim, unë ndjehem më rehat në Zvicër. Zvicra është Atdheu im, unë kam jetuar këtu tërë jetën time.

Musa: Për këto dy vite që jetoj në Zvicër, ndjehem shumë rehat. Jam përshtatur më mirë se ç`e kam pritur. Ndoshta sepse unë kam jetuar në Gjermani, se jam shumë i hapur kundrejt njerëzve dhe gjërave të reja. Dhe jam mirëpritur në Zvicër, si nga shoqëria, po ashtu edhe familja e bashkëshortes sime. Edhe pse ndjehem mirë këtu, dhe rehat, Kosova është dhe mbetet Atdheu im.

albinfo.ch: Ku i kaloni pushimet ?

Carole: Derisa bashkëshorti im jetonte në Kosovë, çdo muaj kam shkoja për disa ditë atje. Shpesh huazonim një veturë, dhe hulumtonim vendet, kemi qenë në Shqipëri, në det, në Malin e Zi. Vitin e kaluar ishim në Francë, për këtë vit ende s`i kemi planifikuar pushimet. Sa është e rëndësishme për të vizituar familjen e tij, po aq më është e rëndësishme që jo të gjitha pushimet t`i kalojmë në Kosovë-sepse bota është e madhe dhe ka shumë vende të bukura për tu vizituar.

Musa: Të paktën njëherë në vit para së gjithash dëshiroj të vizitoj atdheun tim, familjen time, ndryshe, edhe me gruan time udhëtoj me dëshirë nëpër vende të ndryshme.

albinfo.ch: Ku dhe si jeni njoftuar ?

Carole: Është një tregim interesant. Musa ka punuar në qendrën e thirrjeve në Prishtinë. Ka shitur disa fletushka informative rreth stilit jetësor të Zvicrës kështu që dëshironte të ma shiste edhe mua një të tillë, dhe kështu u njohëm. Mirë më kujtohet se herën e parë kemi biseduar një orë në telefon, dhe kemi folur për botën dhe për Zotin. Diçka më fascinoi ky njeri. Ne kemi telefonuar, por edhe në rrjetin skype kur lejonte rryma në Prishtinë. Shpejt e kuptova se ndjenjat e mia për këtë njeri të panjohur po rriteshin çdo ditë e më shumë, prandaj pas dy muajsh udhëtova për në Prishtinë. Nuk e dija si ishte dhe çfarë më priste. Por ne kemi kaluar katër ditë të mrekullueshme, kemi biseduar shumë, për tu njohur sa më mirë, (edhe pse e kisha atë ndjenjën se ishim njohur përjetë) dhe kemi qeshur shumë. Kështu unë kam udhëtuar gjatë një viti, çdo muaj për në Kosovë, për të qëndruar së bashku disa ditë, dhe në korrik të vitit 2013, Musa më në fund mund të vinte në Zvicër. Dy muaj më vonë jemi martuar dhe deri tani dëshirojmë që çdo sekondë ta jetojmë së bashku. Dhe nuk ka qenë gjithnjë e lehtë të mbajmë një raport prej së largu. Ne kemi luftuar, dhe kemi fituar. Kjo na ka bashkuar ne.

albinfo.ch: Çfarë keni ditur më parë për kosovarët para se të njihnit bashkëshortin tuaj dhe çfarë mendoni tani, meqë e njihni më mirë?

Carole: Unë nuk kam ditur shumë për popullin e Kosovës. Natyrisht se kam pasur kontakt me kosovarët, por jo kontakte të afërta, dhe nuk kam qenë shumë e ballafaquar me kulturën dhe vendin. Para se të njihja Musën kam pasur një mendim të keq për kosovarët. Ka disa kosovarë që bëjnë gjëra të këqija, por edhe mediet kanë pjesën e tyre të fajit këtu, që zviceranet të kenë një mendim të keq për popullatën kosovare. Unë kam qenë e befasuar pozitivisht kur kam njohur popullin e Kosovës në Kosovë, por edhe shoqëria e familja ime e duan Musën shumë. Mendoj se ai është një kontribuues që shumë njerëz të ndryshojnë mendimin për kosovarët.

albinfo.ch: Si i vlerësojnë zviceranët kosovarët ?

Musa: Është e dhembshme, kur njeriu dëgjon shumë negativitete për ne. Edhe më e keqe është se shumë zviceranë kanë një mendim ekstrem për kosovarët përkundër faktit se shumica kanë shumë kontakte me ta. Së fundi nëse disa bëjnë gabime, dhe janë në medie, nuk mund të trajtohen njësoj 300 000 kosovarë që jetojnë në Zvicër. Do të ishte mirë që mediet të shkruanin edhe gjëra të mira për kosovarët, sepse shumë nga ta po bëjnë edhe gjëra të mira, por për gjëra të tilla nuk flet askush.

albinfo.ch: Si do ti quani fëmijët tuaj? Me emra zviceranë apo shqiptarë ?

Carole: Nuk kemi biseduar ende për këtë. Ne duam fëmijë… por jo muajt e ardhshëm. Bashkëshorti im është duke u arsimuar. Pasi ta përfundojë shkollimin, ne dëshirojmë të udhëtojmë, para se të planifikojmë për familje. I kam dy emra në kokë, por nuk dua t`i zbuloj. Mirëpo: janë emra shqip.

Musa: Unë gëzohem nëse fëmijët tanë do t`i quajmë (pagëzojmë) me emra shqiptarë.

albinfo.ch: A mundë t`a paramendoni të jetoni në Kosovë, të shpërnguleni prej Zvicres?

Carole: Sinqerisht: Jo! I kemi të gjitha në Zvicër, jemi mirë këtu. Unë nuk e njoh as gjuhën dhe s`do të kisha perspektivë punësimi në Kosovë. Unë jam e lumtur dhe falënderuese që Musa ka ardhur në Zvicër, që të jemi së bashku.

albinfo.ch: A ju pengon varfëria në Kosovë ?

Carole: Nuk më pengon varfëria. Mua më pengon: përse ka varfëri ? Kosova ka potencial por derisa qeveria nuk mundohet, do të mbetet kështu. Kosovarët janë punëtorë, punojnë me vullnet dhe mund të punojnë në punët e rënda. Por kur s`ka vende pune, çfarë të bëjnë ata? Popullsia kosovare nuk është e varfër sepse është dembele. Por nuk i jepet mundësia për të ndryshuar këtë gjendje, dhe kjo është e keqja. Sepse mendoj se janë një popull inteligjent dhe me vullnet të punës.

Musa: Secilit kosovar i pengon ky regjim korruptiv në fuqi, dhe popullsia po vuan shumë për këtë. Qeveritarët kanë mundur ta lulëzojnë vendin për një kohë të shkurtër, por ata nuk po bëjnë asgjë, ata po angazhohen për interesat e veta dhe të OKB, SHBA, BE e shumë vende të huaja që janë vendosur në Kosovë, dhe vendi po shfrytëzohet.

albinfo.ch: Sa e vështirë është gjuha për ju ?

Carole: Gjuha është shumë e rëndësishme për mua. Në fillim nuk e mendoja patjetër të mësoja gjuhën shqipe. Por mendimin e kam ndryshuar, kur ne kemi biseduar për fëmijë. Kur të kemi fëmijë, dhe bashkëshorti im flet shqip me ata, atëherë dua edhe unë të kuptoj. Nuk them se shqipja është gjuha më e mirë, por secila gjuhë që njohim është e mirë. Nuk është mirë që fëmijët tanë të mos dinë shqip, posaçërisht për shkak të gjyshërve në Kosovë. Prandaj mundohem të mësoj, edhe pse mjaft është vështirë. Por thuhet: nuk ka rënë asnjë mjeshtër nga qielli, ku është një vullnet, është një rrugë. Unë do t`ia dal.

Njohja në Call Center!
Musa ka punuar në qendrën e thirrjeve në Prishtinë. Ka shitur disa fletushka informative rreth stilit jetësor të Zvicrës kështu që dëshironte të ma shiste edhe mua një të tillë, dhe kështu u njohëm. Mirë më kujtohet se herën e parë kemi biseduar një orë në telefon, dhe kemi folur për botën dhe për Zotin. Diçka më fascinoi ky njeri. Ne kemi telefonuar, por edhe në rrjetin skype kur lejonte rryma në Prishtinë. Shpejt e kuptova se ndjenjat e mia për këtë njeri të panjohur po rriteshin çdo ditë e më shumë, prandaj pas dy muajsh udhëtova për në Prishtinë.

Fëmijët do të kenë emra shqip  
Carole: Nuk kemi biseduar ende për emrat e fëmijëve. Ne duam fëmijë… por jo muajt e ardhshëm. Bashkëshorti im është duke u arsimuar. Pasi ta përfundojë shkollimin, ne dëshirojmë të udhëtojmë, para se të planifikojmë për familje. I kam dy emra në kokë, por nuk dua t`i zbuloj. Mirëpo: janë emra shqip.