Lajme
8 vendet për t’u vizituar në shtator, mes tyre edhe një zviceran
Megjithëse Evropa është magjike në çdo periudhë të vitit, shtatori mund të jetë koha e përsosur për të udhëtuar
Shtatori në Evropë sjell temperatura më të freskëta, më pak vizitorë dhe çmime më të lira, duke e bërë këtë një muaj të përsosur për të eksploruar gjithçka që ofron ky rajon.
Lart, në Evropën Veriore ose në male, shtatori sjell ajër të freskët dhe fillimin e ndryshimit të gjetheve të pemëve, ndërsa Evropa Jugore ka ende ditë të gjata dhe të ngrohta, ideale për t’u çlodhur në plazhet e pastra.
Nëse dëshironi disa pushime në qytet gjatë fundjavës, pushime në mal ose disa ditë të fundit në plazh përpara fillimit të dimrit, shtatori është koha e përkryer për të bërë pushimet tuaja në Evropë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
- Romë, Itali
Nuk ka periudhë më të mirë të vitit sesa shtatori për të vizituar qytetin magjik të Romës, kur nxehtësia dhe lagështia e korrikut dhe e gushtit ndihen më pak. Ky sezon është i përsosur për të vizituar destinacione të njohura, të tilla si Vatikani apo Koloseu, dhe nuk ka asnjë periudhë të vitit që nuk do të ishte e përshtatshme për të shijuar ushqimet italiane.
Ata që kanë pak më shumë kohë në dispozicion për të vizituar Italinë duhet të konsiderojnë të shkojnë në veri, nga Roma në Firence ose në Venecia, apo në jug, në Sorrento ose Napoli.
- Split, Kroaci
Spliti është një zgjedhje ideale për pushime në shtator, megjithëse shpesh ai anashkalohet nga vizitorët për shkak të qytetit shumë më të njohur kroat, Dubrovnikut. Ai është qyteti i dytë më i madh në Kroaci dhe ndodhet përgjatë bregdetit të bukur të Adriatikut.
Shtatori është koha e mrekullueshme për ta vizituar këtë qytet, pasi do të ketë më shumë freski përgjatë rrugëve historike të tij dhe më pak turistë që vijnë për ta parë atë. Për pamje më të bukura të të gjithë qytetit dhe gjirit, mund të ngjiteni në kullën e kambanës te Katedralja e Shën Domnius, e cila është katedralja më e vjetër katolike në botë.
- Krakov, Poloni
Krakovi është një perlë e mrekullueshme dhe njihet si një nga destinacionet më të lira të Evropës për t’u vizituar, pasi ҫmimet çuditërisht nuk janë shumë të larta këtu. Ky është një qytet i bukur historik, me një shesh të mrekullueshëm të tregut kryesor që ndodhet pikërisht në qendër të qytetit.
Në këtë shesh ndodhet bazilika e famshme gotike e Shën Marisë, e ndërtuar në shekullin XIV, si dhe Salla e Pëlhurave, një vepër e Rilindjes e ndërtuar në shekullin XVI. Në shtator, megjithëse i nxehti do të ketë rënë, prodhimet e freskëta do të vazhdojnë të gjenden në tregjet lokale, duke e bërë këtë periudhë të mrekullueshme për të vizituar ish-kryeqytein e Polonisë.
- Ishujt grekë
Shtatori konsiderohet si muaji i fundit i sezonit të verës në Ishujt Grekë, kështu që është periudha e përkryer për të përfituar disa oferta të mira dhe për të shmangur vapën përvëluese, bashkë me turmat e turistëve. Me më shumë se 200 ishuj, vizitorët në këtë rajon kanë një shumëllojshmëri zgjedhjesh.
Santorini është një nga ishujt më të njohur për ata që vijnë për herë të parë në këtë rajon dhe nuk është e vështirë të kuptosh arsyen kur shikon pamjet mahnitëse të liqenit të kraterit, ndërtesat e bardha dhe plazhet me rërë të zezë.
Korfuzi është gjithashtu një tjetër ishull i njohur, me fshatrat e vegjël, me zonat e ullishteve dhe me disa nga plazhet më të bukura të Evropës. Sifnos, një ishull më pak i njohur, është një zgjedhje e shkëlqyer për gastronominë, me revitháda-t e tij të famshme (qiqrat e pjekura) dhe mastello-n (mish qengji me verë të kuqe dhe kopër).
- Budapest, Hungari
Budapesti është një tjetër qytet i mrekullueshëm për t’u vizituar në shtator, kur temperaturat kanë rënë, pasi shumë nga hotelet me ҫmime të lira nuk kanë ajër të kondicionuar. Ka kaq shumë pamje të bukura për të shijuar dhe aktivitete për të bërë në këtë kryeqytet të jashtëzakonshëm.
Një mundësi unike për të parë qytetin është duke lundruar me varkë përgjatë lumit ose duke vizituar ishullin Margaret në mes të lumit Danub.
Budapesti organizon gjithashtu një sërë festivalesh argëtuese në shtator, duke përfshirë Festivalin e Verës Hebraike, i cili nxjerr në pah filmat, muzikën, artin dhe letërsinë hebraike, Festivalin Fois Gras, ku vizitorët mund të provojnë një shumëllojshmëri të mëlҫive të patës në stilin “foie-gras” nga prodhuesit vendas, ose Festivalin Ndërkombëtar të Verës në Budapest ku vizitorët mund të degustojnë verëra lokale hungareze.
- Galway, Irlandë
Një tjetër qytet ku zhvillohen shumë festivale gjatë muajit shtator është Galway në Irlandë. Më i famshmi prej tyre është Festivali Ndërkombëtar i Galway për Frutat e Detit, i cili është festivali i dytë më i famshëm irlandez pas Ditës së Shën Patrikut.
Eventi është i mbushur me aktivitete argëtuese që lidhen me frutat e detit, duke përfshirë garat e ngrënies së tyre, kampionatet e hapjes së midhjeve dhe demonstrimin e gatimit të tyre. Festat dhe konkurset janë të shpërndara në të gjithë qytetin dhe muzikantët folklorikë performojnë në skena përgjatë gjithë festivalit.
Për sa i përket gastronomisë, Galway është një nga vendet më të mira për t’u vizituar në shtator.
- Sevilla, Spanjë
Sevilla është një destinacion i bukur gjatë gjithë vitit, me arkitekturën e saj të stilit barok, Katedralen mahnitëse të Sevilles dhe sheshin e mrekullueshëm Plaza de España.
Shtatori është një periudhë veçanërisht interesante për të vizituar këtë qytet, për shkak të festës së përballjes me demat, Feria de Pedro Romero.
Gjatë gjithë ditës, njerëzit vërshojnë në rrugët e qytetit, të veshur me kostume tradicionale të lojërave me demat, dhe gjithçka përfundon me ndeshjen me demat në sheshin kryesor.
- Interlaken, Zvicër
Zvicra është një vend jashtëzakonisht i bukur, dhe, për ata që e vizitojnë për herë të parë, Interlaken është një destinacion i përkryer për të parë disa nga peizazhet më të shkëlqyera që mund të ofrojë Zvicra qendrore. Interlaken, që do të thotë “midis liqeneve”, i përshtatet emrit të tij dhe është i vendosur pikërisht midis dy liqeneve mahnitëse, Thun në perëndim dhe Brienz në lindje.
Ka kaq shumë aktivitete për të bërë brenda ose përreth liqenit, duke përfshirë lundrimin, windsurfing, paragliding, hipizëm dhe golf. Qyteti është një destinacion i përkryer për të eksploruar më tej malet e këtij rajoni. Shtatori në Interlaken sjell më pak turistë dhe ofron temperatura më të freskëta për ecje, por gjithsesi mjaftueshëm të ngrohta për aktivitetet në liqen.
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Që nga janari, sigurimet shëndetësore rriten me 6 për qind Çmimi mesatar i primeve të sigurimit shëndetësor është 378,70 franga në muaj. Për të rriturit, një...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel