Tematike

Kur Vuçiqi portretizohet si “pëllumb i paqes” dhe “Vilhelm Teli serb”

"Botuesi i revistës “Weltwoche” e portretizoi Vuçiqin si një sjellës të paqes. Ai injoroi të kaluarën e autokratit. Publikut i pëlqeu", shkruan gazeta "Tages Anzeiger"

Me rastin e vizitës që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bëri dje në Cyrih dhe debatit që zhvilloi atje, me ftesë të botuesit të revistës “Weltwoche”, gazeta e njohur “Tages Anzeiger” ka publikuar një artikull të gjerë me tone kritike për despotin nga Beogradi, ose “Vilhelm Telin serb”, siç e ka quajtur me adhurim nikoqiri i tij, Roger Köppel.

Në vazhdim, albinfo.ch përcjell pjesë nga ky artikull.

Aleksandar Vuçiq zor se do të kishte një performancë të tillë para miqve të partisë së tij në Beograd. Kur ai dhe organizatori serb Roger Köppel hyri në sallën e hotelit të Cyrihut Dolder Grand, pothuajse të gjithë rreth 500 spektatorët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën.

Aty është edhe historiani kontrovers Daniele Ganser. Ai lavdëron Vuçiqin për refuzimin e sanksioneve kundër Rusisë si kryetar shteti evropian – ndryshe nga Zvicra.

I pranishëm është edhe ish-këshilltari federal, Christoph Blocher (“eminenca gri” e SVP-së dhe frymëzuesi i ksenofobisë në Zvicër, që nga fillimi i viteve `90).

Midis të ftuarve janë sipërmarrësi dhe politikani i SVP, Peter Spuhler (CEO i fabrikës së njohur të trenave Stadler Rail AG. V. J.) dhe Milorad Dodik, kreu i serbëve të Bosnjës, i cili është nën sanksione të SHBA-së.

Ai është veçanërisht i shqetësuar për lejen e SHBA-së për të përdorur armë me rreze të gjatë kundër Rusisë, transmeton albinfo.ch. “Putini nuk do të hezitojë të kundërpërgjigjet fort”, paralajmëron Vuçiq.

Ai vazhdimisht akuzon Perëndimin për hipokrizi, veçanërisht për çështjen e Ukrainës. Qeveritarët (perëndimorë) këmbëngulin për integritetin territorial të Ukrainës, por e injoruan atë në Serbi në 1999, shprehet ai.

“Megjithatë, dallimet mes luftës kundër Ukrainës dhe ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë janë të dukshme”, shpjegon gazetari i Tages Anzeiger. Në atë kohë, NATO ndërhyri për të parandaluar një gjenocid që po kërcënonte. Qeveria serbe shtypte brutalisht popullatën shqiptare të Kosovës, siç e ka hulumtuar me imtësi historiani Shkëlzen Gashi së fundmi. Rreth 12,000 njerëz kanë vdekur, duke përfshirë shqiptarë të Kosovës, serbë dhe minoritete etnike. Gashi përfshin aty edhe veprimet hakmarrëse të luftëtarëve të pavarësisë së Kosovës ndaj serbëve. As në Krime dhe as në Ukrainën lindore udhëheqja në Kiev nuk e ka trajtuar pakicën ruse apo ukrainasit rusishtfolës në një mënyrë të tillë”, bën diferencimin gazeta zvicerane.

Më tutje, Köppel e portretizon Vuçiçin si një ndërtues urash midis Lindjes dhe Perëndimit, si një zë i vetëm i arsyes në një botë luftënxitësish. “A janë të çmendur krerët e qeverive? A duhet t’i zëvendësojmë?”, pyet ai Vuçiqin.

Megjithatë, e kaluara e Vuçiqit në vitet ’90 nuk u diskutua aty. Kjo do të kishte dëmtuar rëndë imazhin e presidentit serb të “vizatuar” nga Köppel.

Më 20 korrik 1995, Vuçiq kishte mbajtur një fjalim në parlamentin serb që trondit edhe sot. Dhjetë ditë para atij fjalimi, trupat serbe të Bosnjës kishin pushtuar Srebrenicën dhe kishin vrarë pothuajse 8,000 burra dhe djem myslimanë. Vuçiq kishte thënë: “Për një serb të vdekur do të vrasim njëqind myslimanë”. Ky mesazh u drejtohej shteteve perëndimore të NATO-s, të cilat kërcënonin me sulme ajrore mbi pozicionet serbe në Bosnjë.

Në të njëjtin vit, Vuçiq vizitoi unazën e rrethimit rreth Sarajevës. Një video e tregon atë me të dënuarin për kriminel lufte Vojisllav Sheshel. Snajperët serbë vranë 11,500 njerëz atje, duke përfshirë 1,600 fëmijë, siç e shikonte bota.

Karriera politike e Vuçiqit në atë kohë po merrte hov. Nga viti 1998 deri në vitin 2000 ai ishte ministër i informacionit nën despotin Slobodan Millosheviq.

Edhe pas rënies së Millosheviqit, Vuçiq u tregua i pandreqshëm. Pas vrasjes së kryeministrit të orientuar nga perëndimi Zoran Gjinxhiç në vitin 2003, Vuçiq donte ta riemërtonte bulevardin Zoran Gjinxhiç me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç. Videot e tregojnë atë me një etiketë me emrin “Bulevardi Ratko Mlladiç” në krye të nacionalistëve që bërtasin.

“Nuk kam turp të them: Kam ndryshuar. Vetëm gomarët nuk ndryshojnë”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për “SonntagsBlick” në vitin 2017.

E vetmja pyetje kritike e mbrëmjes u dërgua paraprakisht nga një lexues i “Weltwoche”. A nuk është e vërtetë që Vuçiq po ushqen konfliktin me kosovarët. Ai ka thënë se me siguri kundër tij po protestojnë para hotelit Dolder.

Por, në fakt, ata nuk protestuan para Dolderit, por u takuan në sheshin e “Rathaus Platz” të Cyrihut. “Zvicra nuk duhet të nderojë autokratët dhe miqtë e kriminelëve të luftës”, thuhet në një deklaratë nga demonstruesit. “Autokratët si Vuçiq dhe Dodik, të cilët nuk distancohen as nga Millosheviqi, as nga Putini, nuk kanë vend këtu!”.

Paraqitja u problematizua edhe në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut. Asamblisti  i PS, Reis Luzhnica, lexoi një deklaratë, ku ai e konsideron “sinjal fatal” faktin që Vuçiqit i është dhënë një platformë në Cyrih. Ftesa jo vetëm që legjitimon regjimin autokratik të Vuçiqit, por edhe “tallet me viktimat e krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha asamblisti me rrënjë kosovare.

Paraqitja e Vuçiqit është pjesë e ngjarjeve të ngjashme të organizuara nga Roger Köppel, i cili duket se ka zhvilluar një debulesë për autokratët. Në nëntor 2023 ai ftoi kryeministrin hungarez Viktor Orban në Dolder, duke iu drejtuar “Ti je një nga modelet e mia të roleve”.

Me adhurim dhe me ode të ngjashme Köppel i është drejtuar edhe Putinit, të cilin e ka takuar kohë më parë në Soçi. Me atë rast ai i ishte drejtuar  atij “Unë kurrë nuk kam parë një udhëheqës të staturës tuaj të komunikojë në këtë nivel për kaq gjatë dhe kaq vonë në mbrëmje. Urime, kjo është fantastike!”.

Në krahasim, lavdërimi i fundit i Köppel për Vuçiqin duket pothuajse modest. Ai e quan atë “Vilhel  Teli serb”, i cili lufton me fjalë në vend se me hark.

Sipas një zëdhënësi të Kancelarisë Federale, Vuçiç do të takohej të enjten (sot) me Presidenten Federale, Viola Amherd dhe ministrin e Drejtësisë, Beat Jans. Kjo është një vizitë joformale mirësjelljeje dhe jo pritje zyrtare shtetërore.