Shkurt.ch

70 për qind të zviceranëve blejnë përtej kufijve

Këto blerje ua ulin tregtarëve zviceranë fitimin për 3.2 miliardë franga në vit. 2.5 miliardë shkojnë vetëm në blerje të ushqimit

Nëse jeni i huaj në Zvicër dhe praktikoni që pazaret t`i bëni në vendet fqinje, ku çdo gjë është më lirë, nuk ka pse t`ju brejë ndërgjegjja. Ju madje në këtë rast jeni në shoqëri të mirë!

Janë plot 70 për qind të zviceranëve që e bëjnë të njëjtën gjë, pra blejnë në shitoret e vendeve të afërta fqinje. Këto blerje ua ulin tregtarëve zviceranë fitimin për 3.2 miliardë franga në vit, konstaton një studim i bërë nga ndërmarrja këshillëdhënëse Fuhrer&Hotz, që e transmeton swissinfo.ch.

Sipas studimit në fjalë, 2.5 miliardë franga u shkojnë zviceranëve vetëm në blerje të ushqimit jashtë Zvicrës.

Zviceranët nga Zvicra gjermane më shumë parapëlqejnë të blejnë në shitoret e firmave gjermane Aldi dhe Lidl. Po këto shitore dhe të tjera, të njohura për çmimet e ulëta, preferohen edhe nga frankofonët.

Gjithsesi, konstaton studimi, çmimet e ulëta të mallrave janë arsyeja kryesore për të blerë jashtë vendit.

Një gjetje interesante e publikon Fuhrer&Hotz kur pohon se nuk janë shtresat me të ardhura të ulëta ato që mbizotërojnë në mesin e blerësve jashtë vendit. Është madje e kundërta: për të blerë artikuj të përdorimit të përditshëm, ata që më së shpeshti kalojnë kufirin, janë pjesëtarët e shtresës së mesme. Ndërsa për blerjen e veshmbathjes, konsumatorët më të rregullt e më të mëdhenj janë ata që bëjnë pjesë në shtresat më të larta.