Shqipëria

7 nxënës nga Shqipëria, në Qendrën e kërkimeve bërthamore në Gjenevë

Gjatë këtij kursi, nxënësit do të mësojnë më shumë për fizikën atomike, fizikën bërthamore si dhe do të marrin pjesë në eksperimentet që do të zhvillohen në këtë qendër

Ambasada Italiane në Tiranë ka dërguar për një kurs 3-ditor 7 nxënës shqiptarë të gjimnazeve “Ismail Qemali” dhe “Themistokli Gërmenji” në Qendrën e kërkimeve bërthamore në Gjenevë.

Të rinjtë në CERN do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre në fizikën bërthamore, atomike si dhe do të vihen në sfidë me nxënësit e tjerë, njoftojnë mediat shqiptare. Ambasadori italian, Alberto Cutillo, i apasionuar pas Fizikës, u ka dhënë një mundësi të artë disa nxënësve dhe mësuesve që janë të interesuar në kërkimet shkencore.

Seksionet dygjuhëshe italo-shqiptare të 3 gjimnazeve, të Tiranës, Shkodrës dhe Korçës, kanë arritur të krijojnë një observator astronomik, duke bërë të mundur që 7 nxënës të përjetojnë një eksperiencë unike dhe inovative në Qendrën evropiane për kërkimet shkencore në Gjenevë.

Gjatë këtij kursi, nxënësit do të mësojnë më shumë për fizikën atomike, fizikën bërthamore si dhe do të marrin pjesë në eksperimentet që do të zhvillohen në këtë qendër. Në fund të kursit, të gjithë nxënësit do t’i nënshtrohen një testi final për të zgjedhur 6 prej tyre që do të marrin pjesë në konferencën e CERN-it.