CH-Ballkani

7 milionë nga Zvicra për të zgjidhur problemin e mbeturinave në Pollog

Çështja e mbeturinave në rajonin e Pollogut në Maqedoni pritet të zgjidhet përfundimisht përmes një projekti zviceran dhe UNDP-së. Në bazë të marrëveshjes, Qeveria Zvicerane do të lëshojë një grant prej 7 milion eurosh për rinovimin e deponisë në Rusino të Gostivarit. Këtë ditë më parë e bënë të ditur Ministri i Ekologjisë Bashkim Ameti dhe kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi.

« Nuk është shkuar me koncesion por me projekt shtetëror përmes një agjencie zvicerane dhe ne i falënderojmë që e kanë pa të udhës të investojnë sepse është një projekt shumë i shtrenjtë» deklaroi për alsat m Teuta Arifi , kryetare e komunës së Tetovës.

Megjithatë as Ameti dhe Arifi nuk sqaruan nëse përmes këtij investimi do të zgjidhet përfundimisht problemi me mbeturinat në rajonin e Pollogut.

«Standardizimi i deponisë nënkupton ndërtimin e shumë objekteve, kaptazheve për trajtim të ujërave të zeza dhe mbeturinave e kështu me radhë, pra një zgjidhje afatgjate për deponinë – nënvizoi Bashkim Ameti.

Rajoni i Pollogut për vite të tëra po përballet me pika joligjore të grumbullimit të mbeturinave, një pjesë e të cilave, shpesh kanë përfunduar nëpër fushat e Pollogut.

Hapja e tenderit për marrjen e ofertës më të mirë ka ndodhur dy herë para 2 vitesh, por pa u sqaruar asnjëherë si duhet, tenderi është mbyllur, ndërsa konkurruesit, veçanërisht kompania gjermane Hinkel, si ofertuesi më i mirë, nuk ka fituar tenderin për shkak të neglizhencës së krerëve të Komunave të Pollogut.