Literaturë

Shkodra, Prizreni, Cyrihu dhe një lidhje që (ende) i mungon letërsisë shqiptare

Në pasditen letrare që u mbajt të shtunën, më 4 mars në biblioteküen "Pestalozzi" u prezantua poetja Vlora Ademi dhe poeti e eseistit Primo Shllaku

Një poet, dramaturg, studiues nga Shkodra dhe një poete nga Prizreni, shpalosin krijimtarinë e tyre në një bibliotekë zvicerane, të drejtuar nga një grua shqiptare, në një takim letrar të organizuar dhe udhëhequr nga një poet shqiptar që jeton në Zvicër. Ky është konstelacioni që po bëhet i zakonshëm në kohën kur qenia kombëtare nuk është e kufizuar brenda kufijve të kombit a të shtetit.

Në pasditen letrare që u mbajt të shtunën, më 4 mars në bibliotekën Pestalozzi, në Cyrih, drejtoreshë e së cilës është Suela Jorgaqi, u bë prezantimi i poetes Vlora Ademi dhe poetit, dramaturgut e eseistit Primo Shllaku, nën drejtimin e poetit Bujar Salihu.

Në qendër të takimit letrar ishte libri i parë i Vlora Ademit “Katërdhetë e pak”, i cili ka bërë një bujë me botimin dhe pastaj ribotimin e tij, brenda pak muajve. Për librin dhe për personalitetin krijues të Vlora Ademit ka folur gjerësisht profesor Primo Shllaku, duke e veçuar atë si një prurje të veçantë në letërsinë e re shqiptare, shkruan albinfo.ch. Fakti që vëllimi me poezi është botuar në Tiranë, dhe për më tepër, në një shtëpi botuese elitare si “Onufri”, i jep këtij libri një dimension shtesë, atë të komunikimit, ndryshe, mjaft të “hollë”, në mes të dy krahëve të letërsisë shqiptare, në Shqipëri dhe atij jashtë saj.

Shllaku, duke folur para publikut ka gjetur dhe vënë në pah shumë vlera në poezinë e Vlorës, të cilën ai e cilëson si poezi që, duke u mbajtur për trungun kombëtar, tregon megjithatë prirje të lidhjes me letërsinë bashkëkohore të përbotshme.

Një trend i dallueshëm që po shfaqet kohëve të fundit në krijimtarinë letrare, kryesisht në poezi, është të shkruarit në dialektin gegë. Këtu bën pjesë edhe Vlora Ademi dhe shkrimi në dialekt ja shton autenticitetin dhe sharmin poezisë së saj.

Ndër poezitë që Shllaku ka veçuar si më të fuqishme, tronditëse me mesazhin e saj ka qenë poezia “Atë ditë m’u çor drita e syve”. Kjo poezi, sipas tij thyen trendin e vajtimit për të këqijat që na kanë shkaktuar të tjerët, edhe në luftën e fundit, dhe drejton gishtin tregues edhe nga “të tanët”. Fjala është për përjetimin tragjik të një gruaje të përdhunuar, shkruan albinfo.ch. Ajo përballet me situatën ekstreme, të rëndë, ekzistenciale kur përveç përdhunuesit, duhet të fajësojë edhe burrat e familjes së saj, të pranishëm aty, të cilët nuk ndërmorën asgjë kundër këtij akti dhe në fund akuzon edhe “Atë”, duke menduar Zotin.

“Tue qenë tema e përdhunimit letrarisht e ezaurueme, ngrihet në te si kreshtë e egërsueme ligështia e viktimave. Apostrofa e poetes prek qiellin me thonj. Vetmia ekzistenciale e përmbys heroizmin. Tue u lidhë drejtpërdrejt me nji tjetër majë të poezisë, me Fishtën dhe zemërimin e tij të pangushëllueshëm, autorja guxon blasfeminë:

Asnjani nuk e qiti hapin me i dalë para fatit tim as burri

as vllaznit as baba

as Ai.

Tue qenë ‘Ai’, me germë të madhe, vetë Zoti, a nuk duket se Ademi po ec nëpër teh?”, ka shkruar Shllaku për këtë poezi.

Autorja, Vlora Ademi ka folur gjithashtu rreth qasjes së saj me librun e posabotuar, burimet e frymëzimit, mbështetësit e saj për të ecur në rrugën e letërsisë etj. Aromat e fëmijërisë, të vendlindjes, e kaluara e afërt dhe gjithçka e përjetuar, duke kaluar nëpër laboratorin e saj krijues, është shndërruar në vargjet që bëjnë librin e saj “Katërdhetë e pak”…

Në bashkëbisedimin që drejtuesi i takimit letrar, Bujar Salihu ka zhvilluar me mjaft kompetencë, me Shllakun, janë prekur mjaft tema, duke filluar nga bashkëpunimi, kryesisht i munguar në mes të letërsisë shqiptare të dy krahëve e duke vazhduar me fatin ose përgjegjësinë e shtuar që ka një krijues që rritet “nën hijen” e prindërve dhe familjarëve të tij të shquar, siç është rasti i Primo Shllakut, biri i një aktori e regjisori të njohur (Lec Shllaku) dhe nipi i një përkthyesi të shquar të letërsisë klasike (Gjon Shllaku).

Mysafiri nga Shkodra me këtë rast ka thënë se të rritesh “nën hije” të tillë është sa bekim aq dhe mallkim. Fat, sepse ke predispozita të krijuara “brenda shtëpisë” për tu zhvilluar ndërsa mallkim, sepse prindi i shquar ka vënë “stekë” të lartë, të cilën ti duhet ta kapërcesh, për të dalë nga hija e tij.

Ndërkaq bashkëpunimin në mes të “dy letërsive” shqiptare, Shllaku e gjykon si të “vakët” dhe aspak të mjaftueshëm. Ai me këtë rast ka kujtuar se, për shkaqe (politike) që dihen, letërsia e zhvilluar jashtë kufijve të shtetit shqiptar, deri në vitet `90 të shekullit të kaluar, ka pasur të përbashkët vetëm gjuhën, me letërsinë e krijuar brenda kufijve, shkruan albinfo.ch. Formimi, orientimi, modelet krijuese kanë qenë shumë të ndryshme në të dy anët e kufirit. Ky “dualitet” për fat të keq, sipas tij, vazhdon të ekzistojë.

Shllaku, “shpëtimin” e sheh te orientimi tashmë i përbashkët i të dy krahëve letrarë drejt modeleve letrare perëndimore, evropiane e më tej, që ndjekin krijuesit e rinj, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova, Maqedonia e gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Kjo pritet të bëjë shkrirjen, “asimilimin” në një letërsi unike, shqiptare.