Kosova

Sarrazin: Të shfrytëzohet situata në veri për të shtyrë para dialogun

Përfaqësuesi i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarazin, tha se kriza në veriun e Kosovës duhet shfrytëzuar për të nxitur me tej dialogun Kosovë-Serbi.

Këto deklarime ai i bëri gjatë një diskutimi virtual të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, ku shprehu zhgënjimin që Procesi i Berlinit, megjithëse i rigjallëruar së fundi, falë një angazhimi më të madh të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit, nuk ka arritur të japë rezultate më të mëdha.

Kriza në veriun e Kosovës duhet të shërbejë për t’i dhënë një shtysë përpara dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tha përfaqësuesi i qeverisë gjermane për Ballkanin Manuel Sarazin gjatë një diskutimi virtual që u organizua nga Këshilli i Atlantikut me seli në Uashington.
Kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar, në vend që këto vende t’i hapin gropa njëri-tjetrit duke rrezikuar që i gjithë rajoni të bjerë brenda tyre”, theksoi diplomati gjerman.

“Ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi për ta çuar dialogun përpara duke marrë parasysh propozimin evropian me të cilin po punojnë zoti Lajçak, zoti Borell dhe kancelari gjerman së bashku me presidentin francez. Kjo është një mundësi e madhe që duhet shfrytëzuar, në vend që këto vende t’i hapin gropa njëri-tjetrit duke rrezikuar që i gjithë rajoni të bjerë brenda tyre”, tha Sarazin tutje gjatë diskutimit.

Ai shtoi se Procesi i Berlinit që kishte si objektiv forcimin e lidhjeve mes Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të BE-së, u rigjallërua me qeverinë e re gjermane dhe me nisjen e luftës në Ukrainë. Takimi i fundit i mbajtur në tetor në Berlin dhe më pas takimi i nivelit të lartë në Tiranë përfunduan me arritjen e disa marrëveshjeve që do kenë ndikim në jetën e qytetarëve të Ballkanit. Por, zoti Sarazin shprehu zhgënjim që kjo atmosferë pozitive e krijuar, nuk solli më shumë rezultate pozitive për rajonin.

Nganjëherë duhet edhe hapa të vegjël, si ajo me lëvizjen e lirë apo çmimet e thirrje telefonike ‘roaming’ që u arrit në Tiranë dhe të mos harrojmë t’i zbatojmë këto hapa të vegjël”
“Ndoshta kemi arritur të rigjallërojmë procesin e Berlinit, dhe duhet ta vazhdojmë atë, por unë shpresoja që kjo atmosferë pozitive të sillte më shumë rezultate në lidhje me tema të nxehta. Por, ende kemi kohë, ndaj le të qëndrojmë optimistë dhe besnik idesë që nganjëherë duhet të bëjmë edhe hapa të vegjël, si ajo me lëvizjen e lirë apo çmimet e thirrje telefonike ‘roaming’ që u arrit në Tiranë dhe të mos harrojmë t’i zbatojmë këto hapa të vegjël”, tha më tej Manuel Sarazin./voa