Lajme

60 mjekë e infermierë të tjerë shqiptarë nisen drejt Italisë

Shqipëria ka dërguar drejt Italisë kontingjentin e dytë të bluzave të bardha për t'i ardhur në ndihmë shtetit fqinjë në luftën kundër COVID-19.

Nga aeroporti i Rinasit mesditën e së hënës janë nisur drejt Italisë 60 infermierë për të dhënë kontributin e tyre për përballimin e situatës së pandemisë së coronavirusit.

Disa prej tyre janë të punësuar në institucione shëndetësore në Shqpëri, por ka edhe nga ata që nuk ishin punësuar ende.

Vendimi i tyre për t’u regjistruar dhe për të shërbyer në spitalet e Italisë, shpeshherë është kundërshtuar nga familjarët e tyre për shkak të rrezikut të infektimit. Por ka edhe nga ato infermierë që kanë marrë edhe miratimin e familjes.

Kjo është ndihma e dytë që Shqipëria dërgon në Itali sa u takon bluzave të bardha, ku më herët u dërguan 30 infermierë.

Italia është një nga shtetet më të prekura nga COVID-19, ku deri tani janë shënuar mbi 23 mijë viktima, shkruan TCH, përcjell albinfo.ch.