Lajme

6 për qind më pak shtrime, spitalet të rezervuara për pandeminë

Ndalimi gjashtëjavor i trajtimit u ka kushtuar spitaleve midis 0.9 dhe 1.1 miliardë franga, shkruan shoqata "H+ Die Spitäler der Schweiz"

Në vitin 2020, numri i pacientëve të shtruar në spitalet dhe qendrat e lindjes në gjithë Zvicrën ka rënë për herë të parë që nga viti 2011. Ndërsa, krahasuar me një vit më parë, kishte saktësisht 5.8 për qind më pak shtrime në spital, ka njoftuar të premten Enti Federal i Statistikave (BFS), shkruan srf.ch.

Arsyeja e numrit më të ulët të rasteve është Covid-19, sqaron më tutje shoqata “H+ Die Spitäler der Schweiz”.

Kjo ka ndodhur, nga njëra anë, sepse Qeveria Federale ka vendosur ​​një ndalim trajtimi (për rastet “normale”) në pranverën e vitit 2020 gjatë valës së parë të COVID-19.

Ndërsa nga ana tjetër, për faktin se spitalet dhe klinikat duhej të trajtonin shumë pacientë me korona. Për këtë arsye, pacientët tjerë me ndërhyrje të planifikuara, për shkak të ngarkesës së madhe të punës nuk mund t’i trajtonin apo i trajtonin me vonesë.

Ndalimi gjashtëjavor i trajtimit u ka kushtuar spitaleve midis 0.9 dhe 1.1 miliardë franga, shton shoqata “H+ Die Spitäler der Schweiz” përcjell albinfo.ch. Kjo, për shkakun se spitalet kanë qenë të detyruara për t`i mbajtur kapacitetet spitalore të lira gjatë javëve të përmendura dhe për rrjedhojë t’i ofronin Qeverisë Federale dhe kantoneve shërbime rezervë.

Rënie ka pasur edhe në trajtimet ambulatore. Kjo rënie prej 3.1 për qind ka ndodhur edhe për shkak të ndalimit federal të trajtimit dhe shtyrjes së ndërhyrjeve, në favor të të sëmurëve me koronavirus.