Integrimi

Dita Botërore e Mësuesit 2022, nën hijen e krizës arsimore në Zvicër

Taulant Lulaj së bashku me albinfo.ch hedh dritë mbi temën në kontekstin e shkollës fillore zvicerane dhe u tregon lexuesve të interesuar se pse duhet të bëhet gjithmonë dallimi nga fëmija në fëmijë kur bëhet fjalë për nevojat arsimore

Sipas një sondazhi të UNESCO-s, e cila është nismëtare e Ditës Botërore të Mësuesit, një në dhjetë mësues në mbarë botën i mungon trajnimi i duhur dhe në të njëjtën kohë UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) deklaron se arsimi i kualifikuar është i mundur vetëm me mësues të kualifikuar.

Taulant Lulaj, një mësues i dëshmuar dhe me përvojë nga Cyrihu, tund kokën me një shprehje serioze të fytyrës dhe tregon mirëkuptim për situatën alarmante. Së bashku me albinfo.ch, z. Lulaj hedh dritë mbi temën në kontekstin e shkollës fillore zvicerane dhe u tregon lexuesve të interesuar se pse gjithmonë duhet të bëhet dallimi nga fëmija në fëmijë kur bëhet fjalë për nevojat arsimore.

albinfo.ch: Z. Lulaj, si do të prononcoheshi ju rreth motos së këtij viti për Ditën Botërore të Mësimdhënies?

Taulant Lulaj: Mendoj se situata aktuale e shkollës fillore publike zvicerane është e veçantë. Shkolla është në një udhëkryq dhe nevojiten urgjentisht zgjidhje që ajo të vazhdojë të përmbushë misionin e saj social në të ardhmen. Megjithatë, “krizën e tanishme”, e cila karakterizohet veçanërisht nga mungesa e mësuesve, e shoh si një mundësi, me kusht që palët e përfshira të kërkojnë realisht së bashku zgjidhje të qëndrueshme dhe të arsyeshme.

Nëse e marrim fjalë për fjalë moton e Ditës Botërore të Mësuesit, do të duhej të vihej në pikëpyetje rrënjësisht koncepti i edukimit. Çfarë u nevojitet vërtet fëmijëve dhe të rinjve për të bërë të mundur integrimin e suksesshëm social? Edhe në këtë rrafshin më të vogël, më të drejtpërdrejtë, ndryshimet pozitive janë të mundshme nëpërmjet një mësuesi të vetëm.

Në bisedat me prindërit dhe organizatat e prindërve, kam vënë re se gjithnjë e më shumë prindër po mendojnë për shkolla private ose për “homeschooling” (shkollimin në shtëpi). Kjo më shqetëson mua personalisht, por nga ana tjetër mund të kuptoj edhe motivet dhe frikën e prindërve. Mungesa e mësuesve të trajnuar do të përkeqësohet në vitet e ardhshme, prandaj, për mendimin tim, fakultetet pedagogjike, kantonet dhe politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi. Një shkollë fillore që dështon gjithashtu rrezikon paqen tonë sociale dhe prosperitetin tonë në Zvicër.

albinfo.ch: Zoti Lulaj, sipas faqes suaj www.dua-beratung.ch, përveç trajnimit si mësues, ju keni edhe një Master në Arsimin për Nevoja të Veçanta. Pse duhet të specializoheni në nivelin Master për të qenë në gjendje të punoni me kompetencë me fëmijët me nevoja të veçanta? Fëmijët me nevoja të veçanta në shkollë kanë nevojë në fakt për detyra më të thjeshta dhe për më pak shkollë, si e shpjegoni nevojën për specializim profesional në këtë rast?

Taulant Lulaj: Duke pasur njohuritë e nevojshme edukative të posaçme lidhur paaftësinë në të nxënë ose vështirësitë në sjellje, mësimdhënia dhe mbështetja mund të mendohet në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Nëpërmjet diagnostikimit mbështetës të orientuar nga burimet, mund të dihet se ku qëndron realisht një fëmijë dhe, me anë të një plani mbështetës, zhvillohet se nga duhet të shkojë rruga mësimore e fëmijës, në mënyrë që ai të mund të përparojë në zhvillimin e tij personal dhe akademik. Këto nuk janë domosdoshmërisht “detyra më të lehta” ose me “më pak shkollë”.

Përzgjedhja kompetente e detyrave të përshtatshme, të cilat i shërbejnë mbështetjes së planifikuar dhe të cilat përshtaten me nivelin e të mësuarit të fëmijës, është thelbësore në mënyrë që një fëmijë të sfidohet në mënyrë të mjaftueshme, por jo dhe të mbingarkohet. Rrallëherë e shoh si zgjidhje “më pak shkollën”, pasi kjo ua pamundëson veçanërisht këtyre fëmijëve, të cilët disi tashmë ndihen të stigmatizuar, integrimin social në klasë. Ata në këtë mënyrë nuk janë pjesë e klasës, por nganjëherë janë vetëm mysafirë. Kjo duhet të parandalohet me çdo kusht. Në fund të fundit, ne njerëzit thjesht duam të jemi në gjendje t’i përkasim diçkaje.

Imagjinoni mungesën e një kompetence të veçantë arsimore si kjo: nuk do të dëshironim të shkonim te mjeku me një sëmundje në krah, i cili do të fillonte thjesht të na jepte njëfarë mjekimi derisa disa muaj më vonë t’i vinte ideja për të parë nga afër krahun dhe aty të veprojë në mënyrë konkrete, selektive. Ne mund edhe të mos kthehemi kurrë te ky mjek pas terminit të parë, por në shkollë fëmijët dhe të rinjtë nuk e kanë këtë zgjedhje. Ata në raste të tilla do të mund të mbyllen në vete ose të rebelohen dhe kështu të mbeten edhe më shumë në rrugën që nuk duhet.

albinfo.ch: Në bisedën para intervistës ju folët për vëzhgimin tuaj se disa prindër refuzojnë të pranojnë ndihmë nga shkolla. Nga ana tjetër, ka prindër që bëhen të padurueshëm nëse fëmijës së tyre u njihet nevoja për mbështetjen e shkollës, por ai futet në listën e pritjes së shkollës, sepse, për shembull, mungojnë logopedë, mësues kurativë ose mësues të DaZ ose mësuesit e lëndëve tashmë kanë klasa të plota. Disa prindër përdorin mësues të jashtëm privatisht për të adresuar nevojat e veçanta të fëmijëve të tyre. Si e shpjegoni këtë mospërputhje?

Taulant Lulaj: Unë supozoj se kjo ka të bëjë shumë me karrierën e tyre shkollore (të prindërve) dhe me sfondin kulturor. Brezit të diasporës shqiptare që tashmë ka fëmijë të moshës shkollore i është dashur të kalonte nëpër sistemin socialist shkollor në Jugosllavi. Marrëdhënia ishte në vetvete asimetrike, pasi shkolla ishte në shërbim të regjimit socialist. Kështu, mund të konsiderohen me fat ata, prindërit e të cilëve kanë pasur sa më pak lidhje me shkollën. Në Zvicër, megjithatë, është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim ose të paktën një dialog ndërmjet prindërve dhe mësuesve. Vetëm kështu mund të arrijmë më shumë, së bashku, për fëmijën. Është kundërproduktive nëse prindërit ose mësuesit nuk mendojnë shumë për njëri-tjetrin. Kjo, një fëmijë që i konsideron të dy palët si të tijat, pra si  prindërit ashtu dhe mësuesin, mund ta sjellë në një konflikt të çuditshëm lojaliteti.

Nga ana tjetër, shumë prindër janë edhe vetë “fëmijë të djegur” sepse shumë shpesh kontaktohen nga mësuesit e fëmijëve të tyre, sidomos kur ata kanë probleme në sjellje. Duke qenë vetë baba, për mua do të ishte tepër stresuese të ndodhesha në këtë situatë. Dhe, nëse nuk ta njihja sistemin arsimor zviceran, aq më tepër. Mungesa e mësuesve të përmendur e përkeqëson këtë situatë, pasi mësuesit shpesh nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si të merren me çrregullimet ose nevojat e veçanta (edukative) në klasë. Pasojat e kësaj janë sanksionet e vazhdueshme dhe përjashtimet nga shkolla, të cilat sjellin pak ose aspak apo çojnë te dërgimi i fëmijës në një shkollë speciale.

Mungesa e mësuesve është mjaft e keqe, por mungesa e profesionistëve të arsimit special si edukatorë specialë, logopedë apo mësues të DaZ është një tragjedi. Nga kjo situatë vuajnë hallkat më të dobëta të sistemit shkollor, gjë që do të hakmerret te brezat e ardhshëm.

Në kushtet e mungesës aktuale (të mësimdhënësve) i kuptoj prindërit që evitojnë masat e tilla. Ashtu siç u përmend shembulli i mësipërm me mjekun, dikush duhet të dijë se çfarë po bën ai aty, përndryshe fëmija do të “vuloset” si nxënës me nevoja të veçanta për një kohë të gjatë dhe asgjë nuk do të fitohet. Për shkak të kësaj situate, shkollat ​​kanë nevojë urgjente për mbështetje të jashtme, të cilën ne e ofrojmë në hapësirën e posaçme arsimore me këshilla të DUA-së.

albinfo.ch: A ekziston ndonjë histori suksesi me ndonjë nxënës me nevoja të veçanta, i cili, nëpërmjet burimeve të shkollës, ka arritur suksesin e tij individual akademik?

Taulant Lulaj: Raste të tilla ka pasur padyshim në karrierën time si mësues klase dhe mësues i arsimit special. Krahas njohurive të specializuara dhe mbështetjes speciale arsimore, dua të theksoj edhe një gjë: këndvështrimin e paparagjykuar dhe vlerësues ndaj këtyre fëmijëve dhe të rinjve. Shumicën e kohës, këta të rinj kanë burime të jashtëzakonshme të cilave nuk do të mund t’i qaseshe pa pasur këtë perspektivë. Unë kam pasur nxënës që kishin prindër që punonin me ndërrime. Këta të rinj siguronin që vëllezërit e motrat e tyre më të vegjël të ngriheshin me kohë dhe të ishin gati për shkollë. Gjatë drekës, ata kujdeseshin krejtësisht vetë për drekën dhe darkën. Edhe përtej ditëve të shkollës, ata kujdeseshin dhe ushqenin vëllezërit e motrat e tyre dhe merreshin me përgjegjësi me paratë e ushqimit, në mënyrë që të kishte mjaftueshëm për një ditë. Këta të rinj nuk duhet të përshkruhen si të pabesueshëm, për shembull, vetëm sepse, duke pasur këtë përgjegjësi të madhe, diçka nga shkolla ju ngelet anash. Nëse një mësues tregon se fëmija ose i riu është i rëndësishëm për të dhe nxënësi e ndjen këtë, këtu ka një potencial të madh. Për mua, suksesi është arritur kur të gjithë janë të lumtur që vijnë në shkollë dhe ndihen pjesë e saj.

Suksesi më i dukshëm bëhet më i qartë pas shkollimit të detyrueshëm. Në shkollimin profesional, atributet dhe karakteristikat personale janë më të rëndësishme. Këtu këta nxënës mund të provojnë veten. Nga ana shkollore sigurisht që këta varen nga mbështetja e mëtejshme, gjë për të cilën kanë të drejtë gjatë gjithë viteve të shkollës, por, sapo mbaron shkolla, kjo ndihmë nuk ekziston më, edhe pse sfidat dhe ndryshimi i vazhdueshëm i roleve nga zanatmarrësi në punonjës, në shkollën profesionale kërkon shumë nga nxënësi. Përmes www.myndset.ch ne dëshirojmë të sigurojmë mbështetje pedagogjike speciale dhe shoqërim edhe gjatë stazhit (praktikës). Rezultatet e deritanishme janë shumë premtuese.

albinfo.ch: Shikuar nga këndvështrimi i fëmijës, cila do të ishte mënyra më e dëshirueshme që prindërit të përballen me “nevojat e veçanta” të fëmijëve të tyre dhe pse?

Taulant Lulaj: Është e rëndësishme që të ndalet ky tabuizim dhe të mos bllokohemi para faktit se ky fëmijë ka nevojë urgjente për mbështetje. Një vetë-sabotim i tillë kompleks rëndon çdo familje në planin afatgjatë. Është më e rëndësishme të pranosh situatën dhe të jesh gjithmonë pranë fëmijës. As prindërit dhe as fëmija nuk mund të bëjnë asgjë për këtë dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin se si prind ke dështuar diku në edukim. Njohja është hapi i parë, hapi tjetër është të dini se si të merreni me të dhe ku të kërkoni ndihmë nëse keni nevojë. Me www.myndset.ch, që është një ofertë speciale për integrimin e punës në arsim, unë mbështes të rinjtë me nevoja të veçanta në kërkimin e tyre të praktikës dhe gjatë gjithë periudhës së praktikës. Prindërit me prejardhje migrimi në veçanti nuk janë aspak të njohur për ekzistimin e këtyre ofertave të vlefshme të  mbështetjejes, siç është për shembull mbështetja e ofruar nga këshillat e karrierëslidhur me IV. Do të doja t’i ndihmoja pa pagesë këta prindër, sepse kjo është një çështje që e kam për zemër dhe çdo ditë shoh se çfarë është e mundur të bëhet vetëm me këtë mbështetje për të rinjtë.

Çfarë është më e rëndësishme? Të mbështetësh pretendimin se gjithçka është në rregull ndërkohë që fëmija është gjithmonë i dështuar apo ndoshta fëmija është me aftësi të kufizuara por  ju të mësoni si ta trajtoni atë dhe të jeni të suksesshëm në jetë si çdo tjetër? Unë do të doja të mbështes prindërit në këtë pikë.