Lajme
58.2 % e zviceranëve votojnë për pensionin e 13-të: Një rezultat historik
Pro Pensionit të 13-të AHV kanë votuar 58.2 për qind të votuesve, në një pjesëmarrje rekord, rreth 58% të shtetasve me të drejtë vote
Votat janë numëruar dhe këto janë rezultatet përfundimtare: Pro Pensionit të 13-të AHV kanë votuar 58.2 për qind të votuesve, në një pjesëmarrje afër rekordit, 58% të shtetasve me të drejtë vote, transmeton albinfo.ch. Nga ana tjetër, nisma për zgjatjen e moshës së pensioneve është refuzuar nga 74.7 për qind e votuesve.
Nisma për pensionin e 13-të AHV parashikon që pensionistët të marrin një pension mujor shtesë – pensioni vjetor maksimal vjetor i pleqërisë do të rritet me 2,450 franga në 31,850 franga për individët dhe me 3,675 në 47,775 për çiftet e martuara.
Nisma tjetër ndërkaq planifikonte rritjen e moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë në 66 deri në vitin 2033. Dhe, pas kësaj kjo rritje do të lidhej me jetëgjatësinë mesatare.
Deri më tani, asnjë iniciativë e vetme e AHV/AVS (pensionet e moshës dhe të trashëgimisë) nuk ka qenë e suksesshme. Referendume të shumta kanë dështuar në kutinë e votimit. Rreth një duzinë nismash popullore mbi temën e AHV janë nisur që nga fillimi i mijëvjeçarit. Kanë qenë rreth tridhjetë të tilla që nga viti 1925, vit në të cilin qe miratuar neni kushtetues që krijonte AHV-në, shkruan srf.ch në një analizë të publikuar në lidhje me rezultatet e sotme.
Megjithatë, asnjë iniciativë e vetme nuk ka qenë e suksesshme – përveç asaj për pensionin e 13-të të AHV-së, që ka ndodhur sot. Pranimi nga populli votues i pensionit të 13-të të AHV-së është pra një zhvillim me rëndësi historike, transmeton albinfo.ch. Deri më tani, populli votues dhe kantonet kanë hedhur poshtë të gjitha referendumet për zgjerimin e AHV-së, por edhe ato për rregullimin e moshës së pensionit dhe burimet shtesë të parave për AHV-në.
Që nga fillimi i mijëvjeçarit, administrata dhe, në disa raste, parlamenti dhe elektorati janë marrë me 15 nisma mbi temën e AHV-së.
Sidoqoftë Po-ja e sotme për pensionin e 13-të AHV është më shumë se një po e zakonshme për një nismë popullore të iniciuar nga sindikatat. Ajo përbën tashmë një vendim historik: është nisma e parë e politikës sociale nga e majta që arrin shumicën.
Përveç kësaj, skema e mirëqenies sociale të AHV-së po zgjerohet, diçka që nuk ka ndodhur për rreth pesë dekada: Votimi pro pensionit të 13-të AHV rrit pensionet me mbi tetë për qind.
Është interesant ky krahasim: Tetë vjet më parë, sindikatat patën kërkuar një rritje prej dhjetë për qind me nismën “AHV plus” dhe ksihin dështuar rëndë, me gati 60 për qind që thanë jo. Prandaj, fitorja e sotme tregon me sa duket se ishte koha e duhur për elektoratin: në këto kohë të pasigurta me rritje të kostove të jetesës.
Presioni i problemit ishte me sa duket më i madh në Zvicrën latine sesa në Zvicrën gjermanishtfolëse – në Zvicrën frëngjishtfolëse dhe Ticino, shumica e votuesve për Po ishte e dukshme që më parë. Kjo ndarje që paraqitet pothuaj në çdo votim, shihet sidomos po u krahasuan komunat që kanë votuar pro dhe kundër. 10 komunat me 90 e më shumë për qind pro pensionit të 13-të janë në pjesën frankofone dhe atë italiane, shkruan albinfo.ch. Nga ana tjetër, 10 komunat ku kjo nismë ka shënuar humbjen më të thellë (80 e më shumë për qind) janë, pa përjashtim, në zonën gjermanishtfolëse.
Po kështu, kantoni në të cilin nismës së pensionit të 13-të i është dhënë vota më e lartë është kantoni frankofoin Jura, me 83% ndërsa kantonet e Zvicrës qendrore dhe asaj lindore (gjermanishtfolëse), të njohura si mjedise me shumicë konservatore, janë të vetmet që kanë votuar me shumicë kundër. Nga kantonet gjermanishtfolëse, më së shumti pro pensionit të 13-të ka votuar kantoni Baselstadt, me 65%.
Pensionet AHV janë ngritur për herë të fundit në vitin 1979
Pensionet e AHV u rritën për herë të fundit në vitin 1979, si një kompromis midis të majtës dhe forcave të djathta me synimin për futjen e modelit me tre shtylla në sigurimin e pensioneve. Që atëherë, pjesa e pensioneve të pleqërisë ka mbetur sa rreth një e treta e pagës mesatare.
Megjithatë, ndarjet politike kanë mbetur: këndej, e majta politike që donte të forconte AHV-në si shtyllën më sociale të pensioneve, andej partitë e djathta, të cilat gjithmonë i referoheshin shtyllës së dytë dhe të tretë.
Shtyhet pyetja e financimit
Pas po-së për pensionin e 13-të të AHV-së, politikanët mbeten të sfiduar edhe për çështjet e politikave financiare. Pensioni i 13-të do të çojë shpejt në kosto shtesë prej katër deri në pesë miliardë franga në vit, pa specifikuar tekstin e nismës se nga do të vijnë paratë.
Kjo me sa duket nuk e ka penguar elektoratin – me gjithë kundërfushatat masive nga partitë e djathta dhe shoqatat e biznesit.
Këshilli Federal tani mund të propozojë nëse financimi duhet të realizohet nëpërmjet kontributeve më të larta në paga apo taksave më të larta. Kjo aktualisht mbulon një të pestën e shpenzimeve të AHV.
Pra, në fund të gjithë ndoshta do të kontribuojnë – në një mënyrë apo në një tjetër.
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë