Kosova

55,000 doza të vaksinës Pfizer arrijnë sot në Kosovë

Numri i vaksinave që aktualisht ka Kosova në dispozicion

Në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur numrin e vaksinave që aktualisht janë në dispozicion për qytetarët. Vitia bëri të ditur se sot pritet të arrijnë 55 mijë doza Pfizer, në bazë të kontratës së nënshkruar.

“Janë 38 mijë e 610 vaksina të kompanisë Pfizer në IKSHPK, por ka edhe një numër të konsiderueshëm që e kalon diku 10-15 mijë që janë në komunat përkatëse për dozën e dytë apo që janë furnizuar në fundjavën që e lamë pas. Të kompanisë AstraZenca në IKSHPK janë 132 mijë e 438 vaksina, duke llogaritur edhe mbi 5 mijë vaksina nëpër komuna. Nesër, sipas asaj që thashë që në fillimjavë na vijnë vaksina nga kompania Pfizer, sipas kontratës bilaterale presim që të na vijnë edhe 55 mijë doza të reja për këtë javë”, tha Vitia.

Ndryshe edhe bashkëpunëtori i kryeministri Kurti, Arianit Beqiri, ka treguar se sot do të arrijnë këto vaksina.

“Në stoqet tona për momentin janë: 38,610 vaksina Pfizer në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK). Mirëpo, janë edhe +15,000 vaksina që janë nëpër komunat përkatëse.  132,438 vaksina AstraZeneca. Sot pritet të vijnë rreth 55,000 doza të reja”, ka shkruar Beqiri në Facebook.

Ndryshe sot në tërë territorin e Kosovës kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID-19, pas situatës së rënduar.