Integrimi
Shqiptarët e Opfikonit mbështesin kandidimin e Qëndresës për ekzekutivin e komunës
Asamblistja e njohur e kësaj komune, njëherësh deputete e Kantonit të Cyrihut, Qëndresa Hoxha-Sadriu, kandidon për herë të parë edhe për ekzekutivin e komunës
Opfikoni është një komunë me rreth 20 mijë banorë, në Kantonin e Cyrihut. Brenda kësaj komune llogariten edhe lokalitetet e përngjitura me Opfikonin, si Glattbrugg-u dhe Glattpark-u. Komuna ka një diversitet të theksuar nacionalitetesh, ndërsa vetëm komuniteti shqiptar me rreth 2000 banorë përbën rreth 10 për qind të gjithë popullatës.
Por nuk është vetëm kjo përqindje që e bën këtë komunë të veçohet nga shumë të tjera. Është diçka tjetër: përfaqësimi politik i komunitetit shqiptar këtu është në përputhje me përqindjen që ky komunitet ka në popullatën e gjithmbarshme, shkruan albinfo.ch. Madje, shqiptarët, me 4 asamblistë nga 36 sa i ka gjithsej asambleja, janë të “mbipërfaqësuar” në legjislativin e komunës. Por, edhe pse kjo përbën një arritje të konsiderueshme, shqiptarët e Opfikonit duan më shumë. Për të realizuar këtë, aktivistët politikë nga Partia Socialdemokrate (SP) nga kjo komunë, në tubimin me bashkatdhetarë që u mbajt në mbrëmjen e të shtunës shpalosën ambiciet e tyre për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 27 mars.
Shaban Haliti
Pos kandimit të një numri të madh shqiptarësh për asamblenë komunale, komuniteti i këtushëm shqiptar kësaj radhe shkon një hap më tej: asamblistja e njohur e kësaj komune, njëherësh deputete e Kantonit të Cyrihut, e para shqiptare në këtë post, Qëndresa Hoxha-Sadriu, kandidon për herë të parë edhe për ekzekutivin (qeverinë) e komunës.
Marc Andre-Senti
Siç u tha në takimin e mbrëmshëm, ky është hap i pritshëm kur dihet bagazhi i madh politik i politikanes së re. Ajo ka të gjitha cilësitë e duhura për të qenë në këtë post por edhe më shumë. “Sikur të kërkohej përshkrimi se si duhet të duket një këshilltare komunale (qeveritare) ai do të përfaqësohej në mënyrë ideale nga figura e Qëndresa Hoxha-Sadriut, u shpreh Ibrahim Zahiri. Ai është edhe vetë asamblist dhe aktualisht kandidat për edhe një mandat të ri por nga një grupim tjetër politik. Ai përfaqëson partinë e nivelit lokal, GV (Gemeinde Verein ose, shqip, Shoqata Komunale).
Taulant Faniqi (SP)
Qëndresa Hoxha-Sadriu: Ja përse kandidoj për ekzekutivin e komunës
Ndërsa vetë kandidatja, Qëndresa Hoxha-Sadriu tha se “edhe pse përfaqësimi ynë në asamble është shumë i mirë, kjo nuk mund të thuhet për atë në ekzekutiv. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët por edhe me komunitetet tjera, me prejardhje të huaj: asnjëri nga përbërja e sotme e qeverisë komunale nuk vjen nga kjo kategori, shkruan albinfo.ch. Por, sipas saj, edhe më keq duket gjendja në përfaqësimin gjinor: Nga 7 këshilltarët. Vetëm një është grua. Për këtë arsye është koha e duhur për të sfiduar këtë gjendje, duke shpallur kandidaturën për ekzekutiv.
Më tutje, Qëndresa Hoxha-Sadriu ka shpalosur synimet për punën si pjesë e ekzekutivit të komunës, ku sigurisht nuk mund të mungonte angazhimi i saj për qytetarët me prejardhje të huaj, arsimin dhe të drejtat e grave. Ajo ka shpjeguar pastaj në hollësi se si duhet të votohet, gjegjësisht anën teknike të votimit.
Fatmir Zahiri (GV)
Në tubim ka marrë pjesë edhe kandidati tjetër për ekzekutivin e komunës dhe njëherësh edhe për postin e kryetarit të ekzekutivit, Marc Andre-Senti. Ai edhe në mandatin e deritashëm është pjesë e qeverisë komunale. Senti ka mbështetur kandidaturën e Qëndresa Hoxhës-Sadriut, duke u shprehur në favor të përfshirjes sa më të madhe të politikanëve me prejardhje të huaj, në, përfaqësimin politik, edhe në ekzekutiv.
Ibrahim Zahiri (GV)
Ndonëse i organizuar nga SP, në këtë takim u është dhënë hapësirë edhe kandidatëve nga partitë tjera. Kështu, para të pranishmëve është prezantuar edhe grupi prej shtatë kandidatëve shqiptarë të GV-së si dhe kandidati po ashtu nga FDP, Afrim Veliu. Ky i fundit është shprehur për vlerat liberale që përfaqëson si pjesë e një partie liberale që është por ka theksuar se për të ka më shumë rëndësi zgjedhja e njeriut të duhur në vendin e duhur. Dhe, në këtë kuptim, ai bëri thirrje për të votuar njerëzit e komunitetit tonë, pavarësisht nga partia.
Afrim Veliu (FDP)
Përveç kandidatëve për asamblenë komunale, në këto zgjedhje votohen edhe kandidatët për organin komunal të mbikëqyrësit të arsimit “Schulpflege”. Në këtë post karakteristik për Zvicrën, i cili që qëndron në mes të ekzekutivit dhe legjislativit dhe që i nënshtrohet zgjedhjes së drejtpërdrejtë, kandidojnë edhe dy shqiptarë: Shaban Haliti dhe Lule Agushi. Shaban Haliti ushtron këtë post tashmë dy mandate ndërsa Lule Agushi kandidon për herë të parë. Të dy janë kandidatë nga SP-ja.
Program artistik për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Tubimi i mbajtur të shtunën në Opfikon i është kushtuar po ashtu edhe shënimit të përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë pjesë të programit, drejtuesi i tij, Shaban Haliti ka bërë një përmbledhje të historisë që i ka paraprirë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ku ka përfshirë shekujt e aspiratave të shqiptarëve për liri dhe shtypjen e dhunshme të këtyre aspiratave. Prandaj, pavarësimi i Kosovës, i realizuar falë përpjekjeve të mëdha politike, luftarake dhe paqësore, është një kurorëzim i synimeve shekullore të shqiptarëve.
Arben Hoxha & Edona Pajaziti
Në pjesën festive të mbrëmjes ka pasur një recitim kushtuar atdheut nga një nxënës i shkollës shqipe si dhe interpretim të disa këngëve emblematike të traditës së këngës popullore shqiptare nga këngëtarja Edona Pajaziti, shoqëruar me kitarë nga Arben Hoxha.
Asamblistët aktualë dhe kandidatët
Aktualisht në Asamblenë Komunale të Opfikonit bëjnë pjesë katër shqiptarë: Qëndresa Sadriu (SP), Ibrahim Zahiri (GV), Ola Sinani (SP) dheTaulant Faniqi (SP). Ndërsa kandidatë të SP-së për të qenë asamblistë, përveç të lartpërmendurve është edhe Lirona Sadriu. Shaban Haliti dhe Lule Agusi janë kandidatë për postin e mbikëqyrësit arsimor të komunës.
Për GV garojnë: Fatmir Zahiri, Ibrahim Zahiri, Fitore Shabani, Arbëresha Pacolli, Isah Pacolli, Ahmet Mehmeti Ardian Hajdini. Për FDP: Afrim Veliu; Për CVP: Shpend Fazliu.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër Nga 1 janari 2025, konsumatorët do të mund të ndryshojnë modelin e tyre të sigurimit kur...
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor