Lajme

50% të infermierëve në Zvicër janë të huaj

Gjysma e të gjithë personelit të infermierisë në spitalet, shërbimet e Spitex-it dhe shtëpitë për të moshuar në Zvicër përbëhet nga të huajt

Sipas një artikulli që ka botuar sot gazeta “NZZ am Sonntag”, në vitin 2018 në Zvicër 2900 persona të të dy gjinive kanë diplomuar në një shkollë përkatëse profesionale ose shkollë të lartë profesionale të kësaj fushe.

Gjatë po të njëjtit vit u janë njohur diplomat rreth 2700 infermiereve dhe infermierëve që kanë ardhur nga jashtë për të punuar në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Këto të dhëna “NZZ am Sonntag” i ka marrë nga Zyra Federale për Statistikë.

Përveç kësaj, gjatë vitit 2018 kanë filluar nga puna në institucionet shëndetësore zvicerane disa dhjetëra profesionistë të huaj të fushës pa pasur njohje zyrtare për profesionin e mbaruar.

Brenda dhjetë vjetëve të fundit në Zvicër janë njohur diplomat e më shumë se 21.000 infermierëve të huaj, shkruan më tutje gazeta.

Shumica e madhe e të huajve të kësaj kategorie janë nga Gjermania dhe Franca. Pas tyre vijnë ata nga India, Polonia, Rumania, Bullgaria, Filipinet, Kina etj.