Kosova

5 monumente të reja në Europë në nder të Heroit Kombëtar

Vendosen monumente të Skënderbeut në tri komuna të Kalabrisë

619-vjetori i përkujtimit të lindjes së Skënderbeut është festuar me përurimin e disa monumenteve të reja në disa qytete të ndryshme të Europës dhe Ballkanit.

2 buste të reja dhe një shtatore e Skënderbeut janë vendosur në komunat arbëreshe në jug të Italisë. San Sofia, San Basile dhe Zangarona, në rajonin e Kalabrisë, janë tri qytezat që do të kenë nga një monument të heroit kombëtar.

Gjatë këtyre ceremonive i pranishëm ka qenë edhe presidenti Bajram Begaj.

Por, jo vetëm në Itali, Gjergj Kastrioti do të ketë një bust të ri edhe në Hungari. Pas atij që është në parkun qendror të Budapestit, kryeqytetin hungarez, një bust i Skënderbeut është përuruar edhe në qytetin Eger.

Gjithashtu një monument madhështor i Skënderbeut është përuruar pak ditë më parë edhe në Gjakovë, ku të pranishëm ishin drejtues lokalë të pushtetit vendor.

Sakaq, qyteti i radhës europian që do të ketë një shtatore të heroit kombëtar të shqiptarëve pritet të jetë Parisi. Lajmi u dha gjatë një vizite të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Paris, vetëm pak ditë më parë.

Për të kujtuar datën e lindjes së Gjergj Kastriotit në Shqipëri dhe Kosovë janë mbajtur disa ceremoni përkujtimore.