Lajme

Shqiptarë-et që duan të jenë pjesë e vendimmarrjes në qytetin e Lozanës

Albinfo.ch ka intervistuar dy nga kandidatet në zgjedhjet për Asamblenë e Qytetit të Lozanës: Arlinda Rexhajn dhe Klesta Krasniqin nga PLR

Më 7 mars, qytetarët e Lozanës do të zgjedhin parlamentin e tyre ose Këshillin Komunal. Ai përbëhet nga 100 anëtarë dhe 7 bashkiakë. Janë disa shqiptarë që kandidojnë për zgjedhjet komunale të Lozanës.

Mes tyre veçojmë kandidatët si: Arlinda Rexhaj, Klesta Krasniqi,  PLR/FDP (Partia Liberale Radikale), Leonita Elshani, Afrim Beqa (vert libereaux), Mentor Ilazi (PLR), Musa Kamenica, Naim Smakiqi (PS) etj.

Këta janë kandidatë të partive që përfaqësojnë politikën zvicerane, por gjithashtu përfaqësojnë edhe komunitetin shqiptar, shumë i rëndësishëm në Vaud, Lozanë.

Albinfo.ch ka intervistuar kandidatet: Arlinda Rexhaj dhe Klesta Krasniqi, nga PLR.

Arlinda Rexhaj: Për ne si shqiptarë, ka rëndësi të profilizohemi në partitë zvicerane

Arlinda Rexhaj është 30-vjeçe, jeton dhe punon në Lozanë.  Ajo ka lindur në Kosovë dhe është rritur në Zvicër. Studimet i ka përfunduar në Lozanë, Master në Kontabilitet dhe Financa dhe Kontroll të Universitetit të Lozanës, në Fakultetin Ekonomik.

Punon prej 6 vjetësh si konsulente fiskale në firma internacionale me qendër në Lozanë.

“Kam dhe një aktivitet të dytë, e praktikoj Yoga-n dhe jap kurse të  Yoga-s nëpër studio të këtij sporti në Lozanë ose kurse private. Yoga është për mua një ekuilibër ndërmjet jetës profesionale, të cilën e kam shumë aktive dhe jetës personale”, tregon Arlinda për albinfo.ch ndërsa angazhimin në politikë thotë ta ketë bërë krejt spontanisht, sepse ka jetuar gjithmonë në  Lozanë dhe dëshiron të kontribuojë për zhvillimin e këtij qyteti.

albinfo.ch: Arlinda, është hera e parë për ju që po inkuadroheni në politikën zvicerane ?

Arlinda Rexhaj: Po, hera e parë është për mua. Votimet për Këshillin Komunal mbahen çdo 5 vjet.

albinfo.ch: Çka domethënë për ju si shqiptare të jeni e angazhuar si kandidate e Partisë Liberale?

Arlinda Rexhaj: Për mua është e rëndësishme sot si shqiptarë të profilizohemi në politikën zvicerane për ta prezantuar komunitetin shqiptar dhe më së shumti femrat, qofshin shqiptare a jo (qeshet). Këtu, si në Kosovë, ka parti politike të ndryshme. Unë jam në PLR-në. Vlerat e Partisë Liberale Radikale të Lozanës janë prosperiteti, zhvillimi, cilësia e jetës dhe siguria. Unë si kandidate e kësaj partie i ndaj plotësisht këto vlera, si dhe idetë e liberalizmit, si respektimin eindividualizmit dhe tolerancës.

albinfo.ch: Çka ofron dhe premton partia juaj ?

Arlinda Rexhaj: Mund t’i cek 3 shembuj për të pasur një ide se çfarë premton PLR-ja për të ardhmen e Lozanës. Janë, natyrisht, 3 propozime që i mbështes 100%:

– Mbështetjen dhe inkurajimin e firmave lokale dhe thjeshtësimin e procedurave administrative, sidomos zbritjen e tatimeve;

– Mbrojtjen e të drejtave dhe barazinë kundër diskriminimit;

– Renovimin e shkollave dhe mbështetjen e nevojave të familjeve për çerdhe.

Për më shumë informata për premtimet tona, ju propozoj linkun më poshtë:

https://bit.ly/3nih5E8

albinfo.ch: Si ndiheni kur dëgjon që janë gjithsej 7 kandidatë shqiptarë në kantonin e Vaudit?

Arlinda Rexhaj: Më vjen shumë mirë. Ndihem krenare kur shikoj popullin e origjinës sime që prek dhe kulmin, tek e fundit, është populli im.

albinfo.ch: Sa kanë të drejtë shqiptarët të votojnë, edhe nëse nuk e kanë pasaportën zvicerane ?

Arlinda Rexhaj: Për  zgjedhet e 7 marsit shqiptarët  kanë të drejtë të votojnë nëse banojnë në Zvicër për 10 vjet, prej të cilave në 3 vjetët e fundit duhet të kenë jetuar në Kantonin Vaud. Pa marrë parasysh ngjyrën e pasaportës, nëse ata i plotësojnë këto kushte, vota e tyre është e vlefshme për zgjedhjet komunale.

albinfo.ch: Si mund të votojnë?

Arlinda Rexhaj: Materiali për votim është dërguar me postë, normalisht 3 javë para votimeve të 7 marsit. Për Këshillin Komunal duhet të futet në zarf fletëvotimi, ku është e shkruar në mënyrë të qartë Lista 7 për mbështetjen e Partisë Liberale Radikale të Lozanës. Votat mund të dyfishohen për kandidatët e parapëlqyer. Mjafton që me dorëshkrim që lexohet lehtë të shtohet emri i njërit prej kandidatëve që gjendet në Listën 7 dhe, në këtë mënyrë, këtij kandidati ju i jepni 2 vota.

Në rastin kur votoni një tjetër parti, keni mundësi ta mbështeni kandidatin që dëshironi, edhe pse ky është në një parti tjetër. Mjafton që me dorëshkrim që lexohet lehtë të shtoni emrin e këtij kandidati në listën që e parapëlqeni.

albinfo.ch: Cila është thirrja juaj për komunitetin shqiptar në Lozanë?

Arlinda Rexhaj: Për ndryshime të sigurta dhe të vlefshme, Lozana ka nevojë sot të ketë më shumë kandidatë nga sicila parti.

I bëj thirrje komunitetit shqiptar të votojë me preferencë PLR-në, që ta konkretizojë programin e saj.

albinfo.ch: Sipas jush, çka i nevojitet më së shumti komunitetit shqiptar këtu në Lozanë dhe si do ta kërkoni votën e tyre, e cila është shumë dëmethënëse për ju.

Arlinda Rexhaj: Për komunitetin shqiptar është e rëndësishme:  zbritja a tatimeve, më shumë çerdhe për fëmijë; promovimi i aksesit në kulturë dhe në sport. I bëj thirrje komunitetit tim shqiptar të votojë për mua, e kështu t’i bëjmë këto ndryshime reale sa më shpejt. Ju faleminderit!

Klesta Krasniqi: Krenare që garoj si grua ndërmarrëse në këto zgjedhje

Kandidatja tjetër shqiptare për asamblenë e qytetit të Lozanës është Klesta Krasniqi. Ajo  punon si sipërmarrëse në Lozanë, në sektorin e hotelerisë.

48 vjeçja nga Lozana është e pasionuar dhe e përkushtuar ndaj mjedisit të biznesit tashmë rreth 25 vite. Banore në një lagje punëtorësh, nënë e 2 fëmijëve, e martuar prej 30 vitesh.

Ajo është anëtare e PLR, kryetare e shoqatës së tregtarëve të Place du Tunnel, (lokalitet në Lozanë). Po ashtu është eksperte dhe  konsulente në projektin Ripone Tunnel dhe anëtare e Gastrolausanne dhe Gastrovaud, për përfitimin e përvojave në konceptet, e ndërtimit dhe menaxhimit të institucioneve publike dhe aktiviteteve të shumta.

Njihet si grua aktive në menaxhimin e projekteve dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, e përpikët dhe rigoroze.

Albinfo.ch: Çfarë ju shtyri të bëheni kandidate e PLR në zgjedhjet për Asamblenë Komunale të Lozanës?

Klesta Krasniqi: Ndihem krenare, dhe mendoj se më ndihmon fakti që jam duke jetuar afër 29 vite në Lozanë dhe që kam një rreth të gjerë të cilin e kam krijuar përmes profesionit që e zotëroj.

Albinfo.ch: Por ju si një gastronome profesionale së bashku me bashkëshortin e juaj, çfarë ju ka shtyrë të hyni në politikë? Mendoni që deri tani përkrahja ndaj gastronomisë nuk ka qenë e mjaftueshme?

Klesta Krasniqi: Politika është një temë që më ka interesuar që nga koha e shkollës. Kam qenë edhe aktiviste madje në saje të shkrimeve politike dhe historike, u takuam me djalin nga Drenica që tani është bashkëshorti im.

Gastronomia në Lozanë ka pësuar dëme të mëdha me mbylljen nga Covid-19. Do të duhet shumë kohë për tu rimëkëmbur, si më parë.

Albinfo.ch: Jeni gruaja e parë shqiptare nga Shqipëria që kandidoni në politikën zvicerane. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Klesta Krasniqi: Të ju them të drejtën është kënaqësi kur shqiptarët arrijnë në sfera të ndryshme në diasporë e sidomos në politikën zvicerane. Jam e sigurt se në të ardhmen do të ketë të tjerë që do të prezantohen. Ne shqiptarët jemi të shkëlqyer në shumë sfera e drejtime.

Albinfo.ch: Çfarë ofron partia e juaj në favor të të huajve por edhe të gastronomisë në Lozanë ?

Klesta Krasniqi: PLR që e mbështes prej shume vitesh, lufton për  zhvillim, cilësi jetësore dhe siguri.

Për gastronominë e Lozanës është më shumë rëndësi qe ta përfaqësojë dikush. Më propozuan mua me që prej vitit 1992 jam në Gastrovaud dhe gastroLausanne. Nëse zgjidhem, misioni im do të jetë përkrahja për t`ua hapur dyert kolegëve të mi dhe për të rimëkëmbur degën e gastronomisë.

Albinfo.ch: A prisni përkrahjen e bashkatdhetarëve ?

Klesta Krasniqi: Bashkatdhetarët besoj që do më përkrahin mua dhe të gjithë kandidatët tjerë shqiptarë. Mbështetja e tyre është më e rëndësishmja.

Albinfo.ch: Cilat janë planet e juaja për të ardhmen?

Klesta Krasniqi: Ndër planet e mia për të ardhmen është kthimi sa më shpejt në atdhe. “Guri i rëndë në vend të vet”. Përkatësisht, duam të kthehemi ne Drenicë  dhe të ndajmë eksperiencën dhe energjinë tonë në zonat e pazhvilluara malore.

Albinfo.ch: Mesazhi i juaj për gratë shqiptare në Zvicër ?

Klesta Krasniqi: Mesazhi  im për gratë shqiptare në  Zvicër është  i thjeshtë: “Traditën e udhëheqjes e kemi të lashtë, jemi Teuta, kini besim në vetveten”. Pra si përfundim, votoni me 7 mars Listën 7 dhe listën 2 për Lozanën tuaj.

Zamira Bytyçi