CH-Ballkani

44 ambasadorët e vegjël të muzikës nga Gjakova

17 instrumentistë dhe 27 koristë nga Kosova kanë shfaqur një koncert në Binningen të Baseland-it së bashku me po kaq moshatarë të tyre nga Zvicra

 

Vargu i tyre është i gjatë dhe pamja që ofrojnë është impozante: rreth 100 nxënës, instrumentistë e koristë ngjiten në skenë nën duartrokitjet e qindra spektatorëve. Gjysma e artistëve janë nxënës të shkollës së muzikës, “Prenkë Jakova” të Gjakovës dhe gjysma tjetër, nikoqirë, nga Binningen-Botmingeni në afërsi të Bazelit.

Skena vërshohet nga një kombinim ngjyrash kuq-zi-bardh, të kostumeve të artistëve të rinj. Këto pamje do të mbeten gjatë në kujtimet e të gjithë pjesëmarrësve por në veçanti të atyre 44 nxënëseve e nxënësve gjakovarë që kanë ardhur për të dhënë koncert në Zvicër.

“Dua mëngjeset e majit” është kënga e parë korale me të cilën paraqiten koristët nën dirigjimin e Astrit Pallaskës. Pastaj vijnë këngët tjera të njohura nga tradita e muzikës korale shqiptare. Në kor, ashtu sikurse dhe në orkestër janë bërë bashkë nxënësit nga të dy shkollat.

Siç thotë Kastriot Sada, drejtor i shkollës së muzikës nga Gjakova, këtu janë 17 instrumentistë dhe 27 koristë nga Kosova. Ai më tutje tregon për albinfo.ch se si kanë koordinuar punën me shkollën nikoqire. “Disa muaj më parë ne i kemi marrë partiturat për këngët dhe pjesët instrumentale që i interpretuam sonte këtu. Po kështu edhe shkolla e këtushme ka marrë partiturat tona, kështu që ne kemi ushtruar në mënyrë paralele dhe kur kemi ardhur këtu, sigurisht e kemi pasur më lehtë të koordinohemi”.

Dorothea dhe George Fankhauser

Ndërsa për sjelljen në Zvicër të një grupi kaq të madh nga Kosova (44 nxënës plus 5 të tjerë), meritat i kanë çifti Dorothea dhe George Fankhauser, të cilët prej 12 vitesh angazhohen për të ndihmuar (kryesisht)  arsimin muzikor në Gjakovë dhe më gjerë, në Kosovë. Nderkaq, thekson Sada, ka qenë shkolla e këtushme muzikore dhe drejtoresha e saj. Letizia Walser që kanë mbuluar udhëtimin e mysafirëve nga Gjakova në Zvicër. E për strehimin dhe ushqimin e të gjithëve janë kujdesur familjet zvicerane, prindërit e nxënësve të cilët vitin e kaluar kanë qenë në Gjakovë me të njëjtin mision, mbajtjen e koncerteve të përbashkëta”.

Por a ka pasur ndonjë vështirësi të natyrës burokratike për të sjellë një grup kaq të madh nga Kosova në Zvicër, kur dihet regjimi i vizave të cilit vazhdon t`i nënshtrohet Kosova…?

“Jo, aspak, pasi që me aktivitetet tona janë të njoftuara  tashmë, si Ambasada e Zvicrës në Kosovë ashtu dhe institucionet e këtushme”, thotë  George Fankhauser i cili bashkë me të shoqen Dorothea është “fajtori” kryesor për zhvillimin e këtij dhe aktiviteteve tjera të kësaj natyre tash sa vite. Ai lavdëron sjelljen e nxënësve, duke iu referuar fjalëve mirënjohëse të familjeve mikpritëse. “Ne kemi pasur më pak nxënës se sa familje të interesuara për t`i strehuar ata”, thotë ai, i entuziazmuar me faktin se gjithçka po rridhte mirë në këtë aktivitet. P

Pastaj edhe vetë George ngjitet në skenë si “përforcim” për korin e përzier, i cili interpreton këngë nga literatura muzikore shqiptare dhe botërore.

Tre dirigjentët

Në program, veç këngëve të njohura shqiptare, të përpunuara, si “Kroi i fshatit tonë”, “Me lule t`bukura”, “Moj e bukura More” etj., bëjnë pjesë edhe vepra muzikore me kërkesa të mëdha, si:  “Air” e Bachut, “Hallellujah” e Händel-it, “Ode e Lumturisë” nga Simfonia e Nëntë e Beethovenit, “Adiemus” e Carl Jenkinsit etj. Dhe, nën dorën e sigurt të dirigjentëve:  Christian Reichert, Pëllumb Vula e Astrit Pallaska sfidat u kaluan me sukses, siç e tregoi edhe reagimi me entuziazëm i publikut në sallë, i përbërë kryesisht nga zviceranë.

Por, krahas sfidës artistike të kaluar me sukses, që paraqiste koncerti për nxënësit artistë nga Gjakova, një sfidë e llojit tjetër për ta ishte vizita në një vend si Zvicra. Çdo gjë që kanë parë ata gjatë kësaj jave në Bazel e rrethinë përbën një përjetim të paharrueshëm për ta. Është hera e parë që vijnë këtu dhe në çdo hap janë përcjellë nga dashuria, mikpritja dhe zemërgjerësia e nikoqirëve.

“Këtu kemi kaluar tepër mirë dhe çdo gjë për ne ka qenë e re, e pakrahasueshme me ato që kishim parë deri tash”, thonë për albinfo.ch Entela Qarkagjija dhe Endrit Berisha, dy nga nxënësit instrumentistë nga Gjakova. Ata sapo kanë zbritur nga skena, dhe duke mbajtur violinën respektivisht violonçelin në duar, duan një fotografi për kujtim. Nesër do të kthehen në Kosovë me kujtimet më të bukura nga Zvicra, Bazeli.

Për desert, çokolatat zvicerane 

“Na ka pëlqyer gjithçka: duke filluar nga qyteti, vozitja me tramvaj, me barkë nëpër Rajnë, rregulli në trafik, çdo gjë”, thonë Entela dhe Endriti. Ndërsa mikpritja në familjet e nxënësve zviceranë, është një kapitull më vete. Ata, bashkë me shkollën mikpritëse, përveç ushqimit e strehimit, kanë siguruar për mysafirët e tyre edhe shëtitje nëpër qytet, biletat e tramvajit, vizita në objekte të ndryshme turistike etj.

Nikoqirja e aktivitetit, drejtoresha e shkollës së Muzikës në Binningen-Bottmingen Letizia Walser ka përshëndetur në fund të gjithë ata që kanë kontribuuar për realizimin me sukses të këtij projekti. E vargu i tyre ishte i gjatë… Ajo ka pershëndetur edhe Ambasadën e Kosovës në Bernë, gjegjësisht zyrtarin e saj të lartë, Mustafë Xhemailin i cili ishte i pranishëm në koncert. Por, siç ka theksuar Walser, ditët e lodhshme por dhe të lumtura të kaluara bashkë, po kurorëzohen me një koncert të mrekullueshëm, që veç vlerave artistike shpërfaq edhe mesazhe miqësie e mirëkuptimi në mes vendeve dhe kulturave të ndryshme. “Sado të largëta që të jenë, ato i bashkon muzika dhe dashuria për artin”, ka thënë ajo në përmbyllje.

Dhe fare në fund, aktivitetin znj. Walser e ka përfunduar në mënyrën më të ëmbël të mundur: Duke u dhuruar nxënësve nga Gjakova nga një çokolatat zvicerane.