Lajme

4 vjet e 4 muaj burg për rastin më të rëndë të korrupsionit në administratën zvicerane

Dënimi maksimal që mund të shqiptohej për këtë rast nga Gjykata Penale Federale ishte shtatë vjet e gjysmë heqje lirie

Gjykata Penale Federale në Bellinzona ka përmbyllur sot njërin nga rastet më të mëdha të korrupsionit në historinë e administratës federale zvicerane. Ajo ka dënuar një ish -punonjës të Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (Seco) me katër vjet e katër muaj burg.
Ai kishte marrë ryshfete prej më shumë se 1.7 milionë frangash, shkruan srf.ch.

Rasti qe zbuluar në vitin 2014, trasnmeton albinfo.ch. Shefi i atëhershëm i departamentit në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike (Seco) kishte dhënë kontrata të çmuara të IT dhe në këmbim ka marrë para, bileta futbolli VIP dhe udhëtime.

Bëhet fjalë për porositë e IT me vlerë prej gati 100 milionë frangash dhe ryshfete prej mbi 1.7 milion frangash. Edhe tre sipërmarrës të përfshirë në këtë aferë u desh të përgjigjeshin  në gjykatën penale federale për shkak të ryshfetit të pretenduar.

Procesi filloi në fillim të gushtit. Zyra e prokurorit federal kërkoi katër vjet burg plus një gjobë për punonjësin e akuzuar kryesor Seco. Dënimi maksimal që mund të shqiptohej për këtë rast ishte shtatë vjet e gjysmë heqje lirie.

Aktakuza ka mbi 400 faqe

Në aktakuzën prej 400 faqesh, vetëm lista e dhuratave që akuzohet se ka pranuar zyrtari, zë disa faqe.

Ky është një nga rastet më të mëdha të korrupsionit në historinë e administratës federale të Zvicrës dhe si i tillë dëmton reputacionin e kësaj administrate, shkruan prokurori federal në aktakuzë.

Ky proces është përpjekja e dytë për të ngritur akuzë lidhur me rastin. Vitin e kaluar zyra e prokurorit federal kishte hedhur poshtë aktakuzën e parë për shkak të pasaktësive të konstatuara.