Lajme
35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit
Më 9 nëntor Gjermania feston 35 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.
Një ngjarje që ndryshoi botën. Një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje.
Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, pra fundin e RDGJ-së, u zhduk nga harta politike kampi real-socialist në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 shënon një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe të Evropës.
Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi nga një ballkon i Reichstagut (parlamenti) në Berlin se Gjermania ishte tashmë Republikë.
Monarkia e perandorit Wilhelm II kishte marrë fund: “Punëtorë dhe ushtarë, ndërgjegjësohuni mbi kuptimin historik që sjell kjo ditë. Ka ndodhur diçka e padëgjuar: Do të hasim punë të mëdha dhe të vështira. Gjithçka për popullin, gjithçka me popullin. Nuk do të lejohet të ndodhë asgjë që mund të cenojë nderin e lëvizjes punëtore. Jini të bashkuar, të sinqertë dhe të përgjegjshëm. E vjetra dhe e krisura – monarkia – u shemb. Rroftë e reja, rroftë Republika e Gjermanisë”.
09.11.1923
Demokracia e re në Gjermani pati një fillim të vështirë. Të majtët dhe të djathtët donin ta rrëzonin atë sa më parë. Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermani dhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore.
09.11.1938
Gjatë kësaj lufte hebrenjtë u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi makineria për asgjësimin e plotë të tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet e hebrenjve u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqendrimi. Pogromi u quajt në mënyrë cinike “Reichskristallnacht” dhe do të shërbente si “provë e parë gjenerale” për Holokaustin. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në radhën e ditëve historike gjermane.
09.11.1989
Një kontrast gjigant ishte 9 nëntori 1989, dita e rënies së Murit të Berlinit. “E pabesueshme” ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të RDGJ-së iu hapën krejt papritur kufijtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e RFGJ-së dhe të disa vendeve evropiano-lindore duke kërkuar azil politik. Presioni për të lehtësuar mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të RDGJ-së kishte muaj që rritej nga dita në ditë.
Por me atë që ndodhi më 9 nëntor 1989 nuk kish llogaritur askush: Kur gjatë një konference ndërkombëtare në Berlinin Lindor u deklarua, se do të hynin menjëherë në fuqi ligje të reja për lëvizjen e lirë, nuk kishte më asnjë mundësi për t´i ndaluar masat. Dhjetëra mijëra njerëz kaluan menjëherë kufirin e brendshëm të qytetit të ndarë Berlinit. Gëzimi ishte në kuptimin e plotë të fjalës “pakufij”.
Pas kësaj nate nuk kishte më kthim pas. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shembjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkroi për herë të katërt historinë gjermane – por këtë radhë histori të mrekullueshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as vështirësitë që solli në Gjermani rënia e Murit të Berlinit. Krijimi i unifikimit së brendshmi ka nevojë për më shumë kohë se sa ribashkimi shtetëror. /DW
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?