Shqipëria

324 persona të kthyer për një javë

Mësohet se janë kapur gjithsej 19 persona në kërkim

Policia Kufitare e Rinasit, ka intensifikuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë si dhe për përmirësimin çdo ditë e më shumë të shërbimit që ofron për qytetarët.

Gjatë javës që kaloi nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas janë evidentuar 20 vepra penale, në fushën e “Falsifikimit të Pasaportave apo Letërnjoftimeve”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, si dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.

Mësohet se janë kapur gjithsej 19 persona në kërkim, për llogari të Drejtorive dhe Komisariateve Vendore.

“Në kuadër të bashkëpunimit me vendet e BE-së për parandalimin e azilkërkimit, gjatë javës që lamë pas janë përpunuar në kategorinë “deportiv”, 324 shtetas të kthyer nga vendet e BE-së, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil politik, apo janë kapur pa dokumente qëndrimi. Janë refuzuar në dalje nga Republika e Shqipërisë 62 shtetas, pasi nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, njofton policia, përcjell albinfo.ch.

Gjithashtu iu është refuzuar hyrja 10 shtetasve të huaj, që dyshohet se udhëtonin me dokumente të falsifikuara.

Janë proceduar penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit 11 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin jeshil në mënyrë të paligjshme nga pika të ndryshme të kalimit kufitar dhe janë kthyer “deportiv” nga policitë homologe.