Bota

31 të vrarë në sulmin terrorist në Stamboll

Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se ka vënë në dispozicion një numër telefoni të Konsullit të Përgjithshëm në Stamboll, për të adresuar çfarëdo pyetjeje dhe nevoje

31 persona u vranë në një sulm me bomba dhe me të shtëna armësh në Aeroportin Ataturk të Stambollit, bëri të ditur guvernatori i qytetit, ndërkohë që njoftohet edhe për 60 të plagosur.

Ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, i tha Radios Evropa e Lirë se misioni diplomatik i Kosovës në Turqi, edhe në Ankara, edhe në Stamboll, është në kontakt me autoritetet turke, por deri tani nuk ka njoftime nëse në mesin e viktimave ka shtetas të Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se ka vënë në dispozicion një numër telefoni të Konsullit të Përgjithshëm në Stamboll, për të adresuar çfarëdo pyetjeje dhe nevoje.

“Tre sulmuues vetëvrasës kanë kryer sulmin”, ka thënë guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin.

Policia turke ka shtënë me armë zjarri për të ndaluar sulmuesit në një hyrje të aeroportit, njofton Reuters. Bëhet e ditur se sulmuesit mund të kenë aktivizuar mjetet shpërthyese në hyrje të terminalit ndërkombëtar.

Reuters citon dëshmitarë të kenë thënë se persona të armatosur kanë shtënë edhe nga vendparkimi i aeroportit.

Pamjet televizve tregojnë auto-ambulanca dhe taksi duke bartur të plagosur nga aeroporti.

Aeroporti “Ataturk” është aeroporti më i madh dhe më i ngarkuar në Turqi. Më shumë se 61 milionë pasagjerë e kanë përdorur atë në vitin 2015.

Sipas korrespondentëve në terren, aeroporti, prej kohësh, është parë si një objektiv i cenueshëm. Atje ka skanerë X-ray, por kontrollet e sigurisë për makina janë të kufizuara.

Në muajin dhjetor, një shpërthim në pistën e aeroportit tjetër të Stambollit, Sabiha Gokcen, ka vrarë një punonjës pastrimi.

Dhuna në Turqi është rritur prejse armëpushimi midis shtetit dhe militantëve kurdë ka kolapsuar në korrik të vitit 2015.

Për disa sulme me bomba atje e kanë marrë përgjegjësinë edhe militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

T