Kosova

300 ushtarët britanikë nisin ushtrimet në Kosovë

Kontingjenti ushtarak britanik, i përbërë nga më shumë se 300 trupa, që arriti mbrëmë në Kosovë, ka filluar menjëherë trajnimet për siguri.

KFOR-i ka njoftuar se personeli i Mbretërisë së Bashkuar, sot në Kosovë ka zhvilluar trajnime për të testuar procedurat e mbështetjes mjekësore.

Përmes postimeve në X nga ana e KFOR-it thuhet se këto trajnime janë kyçe për të mbrojtur standardet më të larta operative dhe gatishmërinë për të trajtuar të gjithë skenarët e mundshëm të sigurisë.

“Sot, personeli i Mbretërisë së Bashkuar i caktuar në forcat rezervë në mbështetje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO kreu aktivitete trajnimi për të testuar procedurat e mbështetjes mjekësore për operacionet”, thuhet në postimin e KFOR-it, përcjell albinfo.ch.

“Këto aktivitete të rregullta trajnimi janë kyçe për të mbrojtur standardet më të larta operative të KFOR-it dhe gatishmërinë për të trajtuar të gjithë skenarët e mundshëm të sigurisë”.

Këto trajnime parashihet të vazhdojnë deri në fund të tetorit./Albinfo.ch