Shqipëria

300 afganët e parë pritet të mbërrijnë sot në orën 17:00 në Shqipëri

Rreth 2 mijë afganë pritet të mbërrijnë në Shqipëri

300 afganët e parë pritet të vijnë në Shqipëri rreth orës 17:00.

Afganët që kanë bashkëpunuar me NATO-n ndihen të kërcënuar dhe janë larguar nga Afganistani. Destinacioni përfundimtar i tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë që në vendin tonë të qëndrojnë përkohësisht deri sa të pajisen me vizë.

Pas negociatave të bëra me SHBA-në, Shqipëria ka pranuar të presë afganët, të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët. Mësohet se shumë prej tyre do të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti. Veç Qytetit Studenti, një tjetër skenar përfshin edhe strehimin e një pjesë të tyre në disa hotele në qytetin bregdetar të Durrësit, edhe pse kapacitetet e strukturave akomoduese janë më të kufizuara për shkak të fluksit të turistëve.

Talebanët morën kontrollin e Afganistanit para dy ditësh pas tërheqjes së trupave amerikane. Udhëheqësit afganë dhe bashkëpunëtorët me vendet e huaja janë larguar nga vendi, pasi atje u rrezikohet jeta nga hakmarrja e talebanëve. Mijëra afganë kanë pushtuar aeroportin e kryeqytetit, Kabulit, i cili është ende nën kontrollin e forcave ndërkombëtare, në përpjekje për t’u larguar nga vendi.