Muzikë
30-vjetori i SHVSH “Shota”, një homazh për themeluesin e saj, Agron Bajramin
Përvjetori i 30-të, jubilar, i SHVSH “Shota” është shënuar të shtunën në Aarau, me një mbrëmje festive dhe homazhi njëherësh, kushtuar themeluesit Agron Bajrami
30 vjet në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të traditës së valles dhe këngës shqiptare, rreth 800 të rinj që kanë kaluar nëpër këtë rrugë fisnike: Ky është letërnjoftimi i shkurtër i Shkollës së Vallëzimit Shqiptar “Shota”, e njohur edhe si “Shota e Zvicrës”. E themeluar diku në tetorin e vitit 1993, “Shota” është zhvilluar me kohë në një institucion për të “mësuar ecjen shqip”, siç e prezantonte Agron Bajrami, themeluesi dhe drejtuesi i saj për 25 vjet, tashmë i ndjerë.
Përvjetori i 30-të, jubilar, i SHVSH “Shota” është shënuar të shtunën në Aarau, me një mbrëmje festive dhe homazhi njëherësh, të realizuar me përkushtim nga anëtarët dhe dashamirësit e saj, shkruan albinfo.ch.
Për fillim, në hollin e sallës së madhe të Shtëpisë së kulturës dhe kongreseve, në qytetin Aarau, valltarët e “Shotës” duke parakaluar në shoqërim të melodive të Laver Bariut kanë vendosur qirinj të ndezur para fotografisë së Agron Bajramit. Më pas, në skenë, para një publiku që kishte mbushur përplot sallën e madhe, ka filluar programi i pasur dhe i larmishëm.
Një video me vallet ndër vite, të realizuara nga Shota, që po shfaqej në sfond të skenës është shoqëruar nga Vallja e Demonstratave, Marshi i UÇK-së dhe ajo “Festë e madhe”, të luajtura në skenë, duke vendosur kështu një paralele në mes të kohëve. Pastaj në skenë janë alternuar vallet dhe fjalimet, kryesisht evokime kujtimesh për “Shotën” dhe themeluesin e saj, Agron Bajrami.
Njohësi i Shkollës së Vallëzimit “Shota”, kronisti i saj besnik që nga themelimi, publicisti dhe veprimtari Ibish Neziri është paraqitur me një fjalë të zgjeruar, mbi rëndësinë që kjo shkollë ka në ruajtjen e identitetit tonë kulturor në mërgim. Pasi ka folur për biografinë e Agron Bajramit, ai ka kujtuar rrethanat në të cilat është themeluar kjo shkollë. Në bërthamën e parë të saj ka qenë vetë familja e Agronit: bashkëshortja e tij, Liria dhe dy fëmijët, atëbotë fare të vegjël. Pastaj kjo ngrehinë zgjerohet e rritet, duke u bërë strehë e ngrohtë për rreth 800 anëtarë, sa kane frekuentuar Shotën në këto 30 vjet.
Për rolin që Shkolla e Vallëzimit “Shota” ka luajtur në ruajtjen e substancës së kulturës kombëtare në mërgim, ka folur edhe studiuesi i shquar i epikës shqiptare, profesori i ardhur enkas nga Prishtina, Zymer Neziri, shkruan albinfo.ch. Ai ka përgëzuar drejtueset e sotme të “Shotës”, Lirie dhe Shkëndije Bajrami, për punën fisnike në ruajtjen e vazhdimësisë së asaj që ka krijuar familjari i tyre i shquar, Agron Bajrami.
Mikja e njohur e shqiptarëve, e Shotës dhe e familjes Bajrami, Regula Bachmann, ka evokuar kujtimet e saj nga takimet e hershme me Agron dhe Lirie Bajramin, në kohën e themelimit të SHVSH “Shota”. Me një fjalë përshëndetjeje, publikut i është drejtuar edhe ish-ambasadori (i parë) i Republikës së Kosovës në Zvicër, Naim Malaj. Ai është ndalur në rëndësinë që rruga e hapur nga “Shota” të vazhdohet e zgjerohet më shumë, në të mirë të ruajtjes së traditës sonë kulturore.
Vazhdimi i ka takuar asaj që SHVSH “Shota” di të bëjë më së miri: vallëzimit dhe këndimit. Në skenë kanë parakaluar grupe të ndryshme të ansamblit, janë shpalosur ylbere ngjyrash të kostumeve nga të gjitha trevat shqiptare dhe janë kënduar këngë të zgjedhura nga repertori i anëtarëve të “Shotës”. Aktualisht numërohen rreth 120 anëtarë. “Valle me motive nga Shala e Bajgorës”, “Vallja e jugut”, “Valle me motive nga Kosova”, ishin vetëm disa nga to.
Ndërsa mozaiku është plotësuar edhe me këngët e kënduara nga solistët e “Shotës”, si Luljeta Fetahaj, Alim Dauti, Tana Limani e Blerta Sopaj etj. Një melodi me violinë, të këngës së njohur të Nexhmije Pagarushës, “Baresha”, e ka interpretuar Erlis Fetaj, shkruan albinfo.ch. Ndërsa kori simpatik i fëmijëve të veshur me kostume kombëtare po ashtu ka kënaqur publikun me këngët kushtuar atdheut, të interpretuara me përkushtim.
Ndër specifikat që kanë veçuar gjithmonë SHVSH “Shota” ka qenë kultivimi dhe ruajtja e traditës së interpretimit me instrumente të lashta muzikore shqiptare. Kështu, që nga fillimet e Shotës, pjesë e ansamblit ka qenë edhe mbase e vetmja grua shqiptare që ekzekuton me lahutë, Ajshe Muriqi-Fetaj. Ajo u paraqit edhe në mbrëmjen jubilare, me një këngë kushtuar Mic Sokolit. Një lahutar tjetër, i cili i është bashkuar “Shotës” tani vonë, është edhe Kristian Zefi.
Shkodrani me pamje impozante, i veshur me kostume të bukura kombëtare malësorësh, po ashtu ka kënduar një këngë me lahutë, shkruan albinfo.ch. Por, e veçanta e pranisë së tij në këtë mbrëmje ishte edhe ekspozimi që ai i ka bërë në hollin e sallës, të eksponateve të çmuara e të rralla nga tradita materiale e popullit shqiptar. Në këtë ekspozitë të vogël dhe shumë interesante, Zefi ka prezantuar armë, stoli dhe veshje të vjetra shqiptare, nga koleksioni i tij i pasur.
Paraqitja në skenë e Shqipe Bajramit me këngën “Papa”, kushtuar babait të saj, Agron Bajrami, ka prekur emocionet e të pranishmëve që, krahas përvjetorit të “Shotës”, po i bënin homazh edhe themeluesit, të saj, Agronit.
Në përmbyllje, bashkëthemeluesja dhe tani menaxherja e SHVSH “Shota”, Lirije Bajrami, ka falënderuar publikun dhe të gjithë miqtë, mysafirët, anëtarët dhe familjarët e tyre për nderimin që, me praninë e tyre masive, po i bënin “Shotes” dhe Agron Bajramit.
Po kështu edhe koreografja dhe valltarja Shkëndije Bajrami ka përshëndetur të pranishmit, duke falënderuar për kontributin që të gjithë po jepnin për të ruajtur vazhdimësinë e “Shotës”. “Kjo shkollë, e cila ka filluar të quhet natyrshëm “Shkolla Agron Bajrami” tashmë është bërë një institucion më vete, i kulturës sonë kombëtare…”, ka thënë veç tjerash znj. Bajrami.
I gjithë programi i mbrëmjes ka pasur një rrjedhë të mirë e spontane, falë edhe moderimit profesional e të përkushtuar nga Ramadan Morina dhe Zana.
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, shfaqjet e fishekzjarreve, të tilla si ato të mbajtura në 1...
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë