Lajme
30 vite pune “për Atme dhe Fe” të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër
Motoja “Për atme e fe”, ka qenë dhe është parimi që udhëheq punën e këtij misioni, u tha në prezantimin e historisë së tij, gjatë shënimit festiv të jubileut 30 vjeçar, mbrëmë, në Lucern
30 vite më parë, drejtuesit e Ipeshkvisë më të madhe katolike të Zvicrës, asaj të Bazelit, ishin marrë vesh me Dioqezën e Kosovës që shqiptarët e besimit katolik që jetonin në Zvicër të themelonin misionin e tyre, shqiptar, në këtë vend. Kështu nis historia e këtij misioni, i cili, i themeluar fillimisht në Lucern dhe i drejtuar nga Don Aleksandër Kola, u rrit, duke u shoqëruar së shpejti me dy misionet tjera, në Sirnach dhe Aarau.
Motoja “Për atme e fe”, ka qenë dhe është parimi që udhëheq punën e këtij misioni, u tha disa herë në prezantimin e historisë së tij gjatë shënimit festiv të jubileut 30 vjeçar, mbrëmë, në Lucern, shkruan albinfo.ch. Kjo, siç u theksua me këtë rast, do të thotë që karakteri kombëtar është pjesë e pashkëputshme, madje këtu, në mërgim, vetë thelbi i ekzistimit të misionit. Është kështu sepse ruajtja e gjuhës dhe traditave kombëtare fiton peshë më të madhe, në komunitetet jashtë vendit të prejardhjes.
Don Anton Ukaj
Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, si orator i parë i mbrëmjes, në një fjalë të frymëzuar, të mbajtur në gjermanishte, ka nënvizuar rëndësinë e veçantë të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër dhe në përgjithësi, misioneve jashtë vendit. Ai me këtë rast, duke ju referuar përvojës së tij si i biri i një “gastarbajteri”, (babai i tij kishte punuar në Austri) ka folur për sakrificat që mërgimtarët kanë marrë përsipër për të mbajtur familjet e tyre, në atdhe.
Po ashtu, malli për prindin e kryefamiljarin, i familjarëve që jetonin në Kosovë, ishte i madh. “Një karrige e zbrazët duhej të ruhej për babanë në çdo festë…”, tha Imzot Gjergji, duke përkujtuar se më vonë, me bashkimet familjare, mjerisht mbetën bosh jo vetëm karriget por edhe shtëpitë e tëra. Por, ai ka shtuar se edhe kjo ka anën e saj të mirë: nëse para disa dekadash shqiptarët në Zvicër e gjetiu punonin vetëm si punëtorë krahu, sot ata i gjen në të gjithë lëmenjtë e jetës dhe shumë më të avancuar në shoqërinë e vendit pritës.
Ipeshkvi i Kosovës, Monsinjor Dodë Gjergji
Thomas Huber, përfaqësues i kishës vendore në Luzern ka folur për diversitetin që mbretëron në Kantonin, qytetin dhe Kishën Katolike të Lucernit, diversitet të cilit i kontribuojnë edhe shqiptarët që jetojnë këtu, shkruan albinfo.ch. Ai është ndalur edhe në hollësi lidhur me mënyrën e financimit të misioneve katolike të komuniteteve të huaja në Lucern, duke thënë se shpreson që ajo të vazhdojë edhe më tutje.
Thomas Huber, përfaqësues i kishës vendore në Luzern
Ndërsa kryetari i qytetit të Lucernit, Beat Züsli në fjalën e tij ka thënë se vlerëson lart kontributin e Misionit Katolik Shqiptar të Lucernit për punën e tij jo vetëm sa u përket shërbimeve fetare por edhe për integrimin e popullatës shqiptare në Lucern dhe në Zvicër. Ai ka vënë në pah se qyteti të cilin ai e drejton “më i bukuri në Zvicër”, siç u tha këtu disa herë, është mjedis multikulturor dhe i hapur për kulturat e etnitë e ndryshme që bashkëjetojnë aty.
Kryetari i qytetit të Lucernit, Beat Züsli
Një telegram urimi manifestimit me rastin e jubileut të Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës i ka ardhur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në tekstin e gjatë dhe përmbajtjesor të telegramit, kryeministri kishte përgëzuar Misionin për punën e madhe që ka bërë përgjatë këtyre 30 viteve, në shërbim të besimtarëve dhe sidomos, në shërbim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare në mërgim.
Ai ka vlerësuar lartë përcaktimin e misionit për vlerat që i njohim nën sintagmën “Për Atme e Fe”, e cila përcillet që nga prelatët e vjetër, të mëdhenj shqiptarë si Pjetër Bogdani, deri te Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Patër Anton Harapi e deri tek dinjitarët e sotëm shqiptarë të Kishës Katolike.
Është lexuar po ashtu edhe kumtesa e Don David Xhuxhës, përgjegjës i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, i cili nuk ishte i pranishëm në tubim.
Më tutje, publiku në sallë ka dëgjuar me interesim të madh fjalën përshëndetëse dhe vështrimin e deputetes kantonale të Lucernit, njëherësh kandidate për ekzekutivin e qytetit të Lucernit, Ylfete Fanaj. Tema për të cilën ka ligjëruar ajo ishte “Integrimi dhe kontributi i shqiptareve në shoqërinë helvetike”.
Ylfete Fanaj, deputete kantonale e Lucernit
Fanaj ka përkujtuar kohën kur, si vajzë 9 vjeçe i ishte bashkuar familjes për të jetuar në Zvicër, gjegjësisht në qytetin Sursee të Kantonit të Lucernit. Duke përgëzuar misionin për 30 vjetorin e tij, ajo ka nënvizuar se për nder të këtij evenimenti, “sonte jam veshur kuq e zi”.
Deputetja e sotme dhe kryetarja në mandatin e kaluar, e Parlamentit Kantonal të Lucernit, ka folur edhe për kontaktet e saj me komunitetin shqiptar katolik dhe vetë misionin, kontributin e të cilit e vlerëson lartë. Fanaj është shprehur se, ndonëse nuk i takon besimit katolik, ka mendim shumë të lartë për bashkatdhetarët e këtij besimi dhe për punën e misionit, veç tjerash, edhe në drejtim të integrimit të shqiptarëve në vendin ku jetojnë.
Don Lush Gjergji, i njohur si biografi kryesor i Nënë Terezës, është paraqitur me kumtesën e tij “Të nxitur nga Nënë Tereza, për vepra dashurie, bamirësie”, në 25 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës. Ai, në këtë punim, është ndalur veç tjerash, në kontributin që shëmbëlltyra e Nënë Terezës ka dhënë për njohjen e vlerave të kombit shqiptar në botë. Don Lush Gjergji po ashtu ka përkujtuar vitin 1990, kur shqiptarët nisën një aksion të pashembullt deri atëherë, atë të pajtimit të gjaqeve, si një mesazh për unifikimin e kombit, etj.
Don Lush Gjergji
Në përmbyllje, kreu i Misionit Katolik Shqiptar në Lucern, Don Anon Uka ka falënderuar pjesëmarrësit dhe mysafirët për kontributin e dhënë në organizimin e aktiviteteve jubilare në 30 vjetorin e misionit.
Nga programi artistik
Në mes të fjalimeve dhe kumtesave që u mbajtën gjatë akademisë solemne janë prezantuar disa pika muzikore, të përzgjedhura me shije dhe profesionalizëm nga pianistja e shquar Ermira Zyrakja-Lefort. Ajo kishte koncipuar një program të larmishëm me këngë të njohura nga repertori tashmë klasik i muzikës shqiptare si “Moj e bukur Arbëri”, “Shqipëri o vendi im”, “Kur t`jemi bashkë ne të dy”, etj. Këto dhe këngë të tjera u kënduan me nivel dhe përkushtim nga solistët Afërdita Krasniqi dhe Shpejtim Krasniqi. Ata u shoqëruan me piano nga Ermira Zyrakja-Lefort dhe me kitarë, nga Bashkim Krasniqi, të gjithë të ardhur enkas nga Gjeneva.
Çun Lajçi
Pjesë e programit artistik të mbrëmjes ishte edhe aktori i shquar nga Prishtina, Çun Lajçi, i cili deklamoi me frymëzim pjesë nga “Lahuta e Malcis`” të poetit kombëtar, Gjergj Fishta.
Një kujtim i përbashkët
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Kenan Ramadani ndërsa nga Ambasada e Kosovës ishte i pranishëm sekretari i ambasadës, Gjenis Haxhimehmeti.
Sot në Sursee, ka vazhduar manifestimi i jubileut, me meshën shenjte dhe me program artistik.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve