Kosova

3 policë të lënduar dhe 30 persona të arrestuar nga aksioni në veri

Në mesin e të arrestuarve ka policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë

Sipas informatave të KMDLNj-së në Mitrovicë, që nga ora 5:00 njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një aksion me ç’rast janë arrestuar dhe ndaluar 30 persona, kryesisht policë të Kosovës të uniformuar të përkatësisë etnike serbe.

Në mesin e të arrestuarve ka policë shqiptarë dhe kontrabandistë shqiptarë dhe serbë.

Strukturat paralele kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada, raporton “Kosova Press”.

Deri më tani me armë zjarri janë plagosur tre policë shqiptarë, njëri është plagosur prapa shpine, i cili është në gjendje më të rëndë dhe gjendet në Kirurgji, tjetri e ka hundën e thyer dhe gjendjet në ORL, kurse tjetri ka gërvishtje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë, përcjell albinfo.ch.

KMDLNj e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur. Për dallim nga herët e tjera, përgjigja e qytetarëve serbë për mobilizim ka qenë shumë më i vogël.

KMDLNj e dënon ashpër dhunën ndaj policëve të Kosovës nga grupe dhe individë të armatosur që deri më tani kanë qenë të paprekshëm.

KMDLNj kërkon që ata që plagosën policët e Kosovës sa më shpejt të sillen para organeve të drejtësisë.