Bota

29 të mbijetuar e 38 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan

29 persona kanë mbijetuar, pasi aeroplani i “Azerbaijan Airlines” shpërtheu në flakë, pasi u rrëzua pranë qytetit Aktau të Kazakistanit, të mërkurën paradite.

Në fluturim ishin 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit. 38 nga ta kanë vdekur, sipas zëvendëskryeministrit të Kazakistanit, Kanat Bozumbayev.

Autoritetet kazake thanë se të mbijetuarit, që besohet se përfshijnë dy fëmijë, po trajtohen në një spital. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka thënë se disa janë në gjendje kritike.

Aeroplani ishte nisur nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në qytetin rus të Groznyt në Çeçeni. Sipas vlerësimit fillestar, të dy pilotët kanë vdekur në përplasje, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.