Lajme
Plot 25 vjet: Zvicra kujton ardhjen e refugjatëve të luftës nga Kosova
Nga ajo ditë sot janë mbushur plot 25 vite dhe me këtë rast, radioja e SRF ka realizuar një kronikë të gjatë, me dëshmitarë të asaj kohe
28 shkurti i vitit 1998, merret si ditë e fillimit të luftës në Kosovë, në kuptimin e fillimit të ikjes masive të shqiptarëve nga dhuna e shtetit dhe paramilitarëve serbë. Një numër shumë i madh i tyre qe arratisur në Zvicër, duke e përballur këtë shtet me njërën ndër krizat më të mprehta të refugjatëve, në historinë e tij, shkruan albinfo.ch.
Nga ajo ditë sot janë mbushur plot 25 vite dhe me këtë rast, radioja e transmetuesit publik të Zvicrës, SRF ka realizuar një kronikë të gjatë ku, duke marrë deklarimet dhe evokimet e palëve të ndryshme nga ajo periudhë dramatike pasqyron shumë nga faqet e kësaj krize. Në emisionin përkatës flasin Barbara Burri Sharani, eksperte sociale nga Cyrihu, po ashtu e angazhuar një kohë për institucionet zvicerane në Kosovë, e martuar me një shqiptar nga Kosova dhe Hamit Zeqiri, po ashtu ekspert social, nga Lucerni.
Në portalin e srf.ch jepet materja e gjerë e kësaj kronike, pjesë nga e cila, albinfo.ch e sjell në gjuhën shqipe, me shkurtime.
Kur lufta në Kosovë u përshkallëzua në fund të shkurtit të vitit 1998, filloi një arratisje e paparë për në Zvicër. Brenda dy viteve, më shumë se 50,000 persona nga Kosova aplikuan për azil. Në vazhdim, nga tre küende të ndryshme rrëfejnë tre nga të prekurit e asaj kohe.
Basrie Sakiri-Murati: Nuk do ta harroj kurrë këtë solidaritet në Zvicër
Në vizitën e parë pas luftës në Kosovë, e përballur me gërmadhat
“Ishte një ndjenjë e pabesueshme pafuqie për të parë imazhet e tmerrshme të luftës, në televizion,” kujton Basrie Sakiri-Murati. Ajo i përket diasporës së madhe kosovare-shqiptare, e cila jetonte në Zvicër para shpërthimit të luftës. Vlerësimet flasin për mbi 150,000 njerëz.
Sakiri-Murati ishte arratisur në vitin 1989 për shkak të ndjekjes për aktivitetet e saj politike në Kosovë. Kur erdhi në Zvicër, ajo ishte 18 vjeçe. Kur shpërtheu lufta nëntë vjet më vonë, ajo ishte tashmë plotësisht e integruar në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Basrija tashmë kishte një punë të qëndrueshme dhe kishte krijuar familje. Sakiri-Murati thotë se më parë e kishte pasur të vështirë të mbante lidhje me familjen e saj në Kosovë. Për shkak të luftës, ajo ishte plotësisht e varur nga lajmet e radios dhe televizionit: “Shpesh kaloja netë pa gjumë para televizorit dhe mendoja për skenarët më të këqij”. Dhe, më e keqja e mundshme u bë realitet: prindërit e saj vdiqën në luftë.
“Nuk e di se si i mbijetova gjithë kësaj. Më duhej të funksionoja si punëtore dhe nënë e dy fëmijëve të vegjël”, thotë ajo. Miqtë e saj në Zvicër e ndihmonin: “Të njohurit vinin dhe pa u kërkuar të më përqafonin. Mbikëqyrësja ime në punë më dha mbështetje të plotë. Nuk do ta harroj kurrë këtë solidaritet në Zvicër”.
Por ajo kujton edhe reagimet negative për refugjatët: “Për shembull, më është dashur të dëgjoj komente të tipit se `njerëzit në Ballkan po shkatërrojnë veten dhe se Zvicra tani duhet t’i ushqejë`”.
Lufta përfundoi më 10 qershor 1999. Vetëm pak javë më vonë, Sakiri-Murati vizitoi Kosovën. Ishte hera e parë që kur ishte arratisur, dhjetë vjet më parë. Një kthim përfundimtar nuk ishte më një çështje për të. Ajo ishte shumë e ankoruar në Zvicër. Dhe një fillim i ri në Kosovën e shkatërruar ishte shumë i paimagjinueshëm.
Sot Basrie Sakiri-Murati është 51 vjeç dhe jeton në Bernë. Ajo punon në infermieri dhe si përkthyese. Në vitin 2019 u botua libri i saj “Gjurmë të mbetura” (libri është i shkruar gjermanisht “Bleibende Spuren), i cili tregon për arratisjen e saj nga Kosova.
Jean-Daniel Gerber: “Fytyra e politikës së azilit” në Zvicër
“Ishte e qartë se nëse do të kishte një përshkallëzim në Kosovë, shumë refugjatë do të synonin Zvicrën”, thotë Jean-Daniel Gerber, përcjell albinfo.ch. Ai kishte qenë drejtor i atëhershëm i Zyrës Federale për Refugjatët (BFF) që nga vjeshta 1997: “Megjithatë, nuk ishte e parashikueshme se sa ashpër do të vepronte udhëheqja serbe dhe sa e madhe do të ishte lëvizja e refugjatëve”.
Realiteti ishte ky: Në vitin 1998 dhe 1999, Zvicra pranoi më së shumti refugjatë kosovarë në raport me numrin e popullsisë së saj, mbi 50,000 njerëz. Kishte strehimore për azil që ishin të rezervuara për raste të tilla dhe u futën shpejt në funksion. Por për shkak të numrit të madh të njerëzve, strukturat ishin të mbingarkuara.
Komunave u duhej të lironin hotelet bosh, ambientet e mbrojtjes civile apo palestrat në një kohë shumë të shkurtër, po ashtu. “Ishte një sfidë e madhe. Por, arritëm të sigurojmë që askush të mos flinte jashtë”, thotë Gerber.
Një sfidë tjetër për z. Gerber ishte se në vend po ndizej një debat i nxehtë për azilin, trasnmeton albinfo.ch. Në verën e vitit 1998 hynë në fuqi masa më të rrepta. Referendumi dhe fushata pasuese e votimit, e bënë sistemin e azilit një temë të përhershme. Debati u nxit më tej nga një nismë për azilin e nisur nga SVP në fillim të vitit 1999.
“Ishte një atmosferë tepër e ngarkuar, e cila vihej re edhe në kontakt me popullatën”, kujton Gerber. Kjo arriti kulmin në vjeshtën e vitit 1998 me një sulm me zjarrvënie në një banesë të planifikuar në Bronschhofen SG, përcjell albinfo.ch. Vetë Gerber ka marrë kërcënime të panumërta dhe është vënë nën mbrojtjen e policisë.
Megjithatë, qëndrimi negativ ka ndryshuar në një kohë të shkurtër, thotë Gerber: “Njerëzit e vunë re: po vinin familjet, dhe jo të rinjtë, për të kërkuar punë. Bëhej fjalë për njerëzit që ishin në vështirësi të madhe”. Në pranverën e vitit 1999, Këshilli Federal vendosi që të gjithë refugjatët nga Kosova të pranohen kolektivisht. Ata ishin lejuar të qëndrojnë në Zvicër për momentin.
Në të njëjtën kohë, një punë tjetër filloi për Gerber-in: planifikimi i kthimit të refugjatëve. “Ne e dinim që refugjatët donin të ktheheshin. Por ne e dinim gjithashtu se sa më gjatë të qëndrojnë njerëzit në Zvicër, aq më i vështirë do të jetë kthimi”, thotë ish-shefi i BFF-së.
Prandaj Këshilli Federal ndaloi pranimin kolektiv menjëherë pas përfundimit të luftës. Populli duhej të kthehej. Kishte edhe stimuj: ata që u kthyen në vitin 1999 morën një shumë prej 2000 CHF dhe ndihma materiale për rindërtimin e shtëpive të tyre, trasnmeton albinfo.ch. 80 për qind e refugjatëve janë kthyer në Kosovë. Jean-Daniel Gerber kishte qëndruar në krye të Zyrës Federale për Refugjatët deri në vitin 2003. Më pas u bë drejtor i Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike. Sot ai është 76 vjeç dhe në pension.
Selim Ramosaj, ish refugjat: Në Zvicër mësova se si të fle i qetë dhe të zgjohem i qetë”
Ramosaj (me këmishë të kaltër), në mesin e refugjatëve të tjerë, në Zvicër
“Doja të shkoja në Zvicër sepse të afërmit më kishin thënë shumë gjëra të mira”, thotë Selim Ramosaj. Kur shpërtheu lufta ai ishte 21 vjeç dhe student në Prishtinë. Ai duhej të braktiste studimet sepse duhej të shërbente për UÇK-në, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Duke parë fuqinë superiore të ushtrisë serbe, Ramosaj vendosi të arratisej në vjeshtën e vitit 1998. Zgjati disa javë derisa erdhi nga Shqipëria, përmes Italisë, në Zvicër. Në Zvicër, Ramosaj kaloi si shumë refugjatë: filloi një odise e vogël. Stacioni i tij i parë ishte një shtëpi azili në Bazel, më pas u dërgua në Bernë, më vonë në Neuenegg dhe më në fund ai jetoi në Wiler afër Utzensdorf në një shtëpi azili.
“Ishte vërtet e vështirë në fillim sepse nuk e dija gjuhën”, kujton ai. Më vonë ai kreu një kurs të gjermanishtes. Kjo e ndihmoi shumë. Ramosaj jo vetëm që e mësoi shpejt gjermanishten, por e flet ende pothuajse rrjedhshëm.
Sfidë për Ramosajn mbeti: “Nuk më lanë të punoja. Do të kisha dashur të kisha bërë diçka këtu”, përcjell albinfo.ch. Për të qëndruar aktiv, Ramosaj ka punuar në një revistë të Kryqit të Kuq – vullnetarisht dhe pa pagesë. Ramosaj flet për këtë kohë si më të mirën të rinisë së tij: “Mësova se çfarë do të thotë të jetosh në liri, të respektohesh si njeri, sa bukur është të jetosh së bashku me kombësi të tjera. Dhe në Zvicër mësova se si të fle i qetë dhe të zgjohem i qetë”. Ai kishte takuar këtu vetëm njerëz të hapur dhe miqësorë.
Prandaj ai do të kishte qëndruar me kënaqësi edhe pas përfundimit të luftës. Megjithatë, autoritetet e detyruan të largohej nga vendi në tetor 2000. Ai e kujton këtë kthim në Kosovë si shumë të vështirë: “Isha duke qëndruar para rrënojave të shtëpisë sonë. Ne duhej të rindërtonim gjithçka nga e para”.
Sot Selim Ramosaj është 46 vjeç. Ai jeton me familjen e tij në Deçan dhe punon si nëpunës banke. Po të kishte mundësi do të kthehej sot, thotë ai. Kryesisht për t’u dhënë fëmijëve të tij një perspektivë më të mirë. Tani po bëhen gati 25 vjet që kur ai u arratis në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Ramosaj ka qenë në Zvicër vetëm një herë gjatë kësaj kohe, kur ka vizituar një kushëri në Bazel. Ai thotë: “Sot e mendoj kohën në Zvicër si një ëndërr që nuk u realizua”.
Kush e njeh gjermanishten, dialektin zviceran, mund ta dëgjojë emisionin në këtë link: https://www.srf.ch/kultur/gesellschaft-religion/schweiz-und-kosovo-krieg-als-die-fluechtlinge-aus-dem-kosovo-kamen
(Fotot: srf.ch).
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Tubimet e partive në diasporë, ambasadori gjerman në Kosovë del me reagim Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar në lidhje me fushatat që po zhvillohen në...
-
Manifestim kulturor për festat e nëntorit, organizuar nga KMSHZ
-
LAPSH në Gjenevë, kërkon ndihmë për nxënësit e Shkollës Shqipe
-
Limaj në Gjermani tha se mbështetja e mërgimtarëve është forcë për Kosovën
-
Bedri Hamza takon mantelbardhët shqiptarë në Zvicër, i quan mjekë me përvojë të jashtëzakonshme
Jeta në Zvicër
-
Dy të tretat e zviceranëve të papunë gjejnë sërish punë Shumë njerëz që kanë shteruar përfitimet e tyre, gjejnë sërish punë. Por shanset nuk janë të...
-
Studimi që zbulon dallimet në kulturën ushqimore midis Zvicrës dhe fqinjëve
-
Migros Aare shfuqizon ditët e zbritjes për pensionistët
-
Libri “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999”, një monument kundër harresës
-
Ku do të bjerë borë në Zvicër këtë javë