Muzikë
25 vjet të Ansamblit “Vatra”, një monument kulture në mërgatë
Përvjetori i Ansamblit "Vatra" u kurorëzua me botimin e librit “Çerekshekulli i Ansamblit VATRA në Bylah”, të shkruar nga gazetari dhe publicisti Xhevdet Kallaba
Në Höri (Hëri), afër Bylahut, në kantonin e Cyrihut rreth tri dekada me radhë mbahen manifestime të ndryshme, të organizuara nga klubi kulturor “Vatra”. Si në shumë lokalitete të tjera të Zvicrës edhe në Cyrher Unterland jeton një numër i madh i shqiptarëve me prejardhje nga Kosova, Kosova Lindore dhe Maqedonia e Veriut. Pjesë përbërëse e këtij klubi ishte edhe Ansambli “Vatra”, i cili vitin e kaluar kremtoi 25-vjetorin e themelimit. Dhe, pikërisht ky përvjetor u kurorëzua me përgatitjen e një libri monografik, duke përfshirë një pjesë të madhe nga aktiviteti i ansamblit përgjatë këtij çerekshekulli. Libri mban titullin “Çerekshekulli i Ansamblit VATRA në Bylah” dhe është shkruar nga gazetari dhe publicisti Xhevdet Kallaba.
Ky manifestim jubilar u shoqërua nga një program kulturor-artistik i përgatitur nga Ansamblit Vatra.
Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij të Kosovës një fjalë rasti e mbajti njëri nga shtyllat e këtij ansambli dhe së fundmi edhe ish-kryetari i tij, z. Nexhmedin Isufi.
Në paraqitjen e tij z. Isufi, i emocionuar, por edhe krenar për angazhimin e tij dhe të gjithë ansamblit tha: “Gjatë bashkudhëtimit tim me ansamblin “Vatra” më ka rënë të mbaj shumë shpesh fjalime e prezantime, por kurrë nuk kam qenë më i plotësuar sikur sot. Vazhdimisht jam brengosur që poleni i mbledhur nëpër lule do të mbetet pa u bërë mjaltë. Tashmë, siç po e shihni edhe vetë, para nesh e kemi mjaltin, pra e kemi librin e botuar me titull “Çerekshekulli i Ansamblit VATRA në Bylah”. Uroj që, falë angazhimit të gjeneratave pasardhëse, në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore në mërgatë, çdo çerekshekull të prodhojë nga një libër të këtillë!”.
Më tutje, z. Nexhmedin Isufi përkujtoi të pranishmit për rrjedhën e themelimit dhe të funksionimit të klubit, i cili që nga 17 prilli i vitit 1993 u bë oda kulturore dhe artistike e shqiptarëve të Bylahut me rrethinë. Madje, brenda klubit funksiononin edhe seksione, siç ishte seksioni i futbollit, i shahut, i pingpongut, i bilardos dhe i Shoqërisë Kulturore Artistike, e, që të gjithë vepronin me logon e përbashkët “Vatra”. Kryetari i parë i këtij klubi ishte z. Hysen Berisha i cili u pasua edhe nga kryetarë të tjerë, si: Besim Balaj, Ajet Miftari, Bajram Aruçi etj.
Është bërë shumë për të ardhur deri këtu ku jemi
Por në këtë ngjarje z. Isufi më shumë shpalosi rrugëtimin e ansamblit “Vatra” dhe ktheu kujtesën që në ditët e para të themelimit të ansamblit. “Kur e kthej kujtesën prapa, më duhet ta them hapur – kemi bërë shumë punë për të ardhur deri në këtë pikë ku jemi sot. Periudha e vitit 1994-1996 ishte tejet sfiduese për drejtuesit e klubit, sidomos në rekrutimin e valltareve dhe valltarëve.
Për të rinjtë e të rejat angazhimi në ansambël ishte një aktivitet shtesë, çka shumë prindër mendonin se fëmijët e tyre do ta humbisnin hapin në shkollimin e rregullt, përkundër dëshirës së madhe që kishin për t’u bërë pjesë e Shoqërisë Kulturore Artistike “Vatra”. Sidoqoftë, këmbëngulja e themeluesve, pastaj ndihma shtesë edhe e ish-profesionistëve të ansamblit “Shota” nga Prishtina, siç ishin Fatmire Kajtazi, Agron Bajrami, Xhemali Berisha, pastaj unë, Arsim Berisha e më vonë edhe Nexhat Sahitaj, u thyen shumë barriera, gjë që ndikoi fuqishëm në ngritjen e elanit për punë të vazhdueshme të ansamblit “Vatra”.
Nexh Isufi
Ansamblin e bën edhe më të fuqishëm anëtarësimi i motrave Aruçi, dhe sidomos angazhimi i Bajram Aruçit, i cili angazhohej paralelisht edhe në hapjen e shkollës shqipe në rrethinën e Bylahut, por sidomos në avancimin e ansamblit “Vatra” të Bylahut, të cilin e udhëhoqi me devotshmëri deri në vdekjen e tij të parakohshme.
Kjo qasje e artistëve ndaj valltareve e valltarëve të rinj, kishte nxitur kureshtjen e prindërve, te të cilët ishte rritur edhe më shumë besimi dhe vullneti për t’i dërguar fëmijët e tyre në SHKA “Vatra”. Dhe, vërtet, ky seriozitet i punës së ansamblit kishte familjarizuar tashmë edhe shumë femra, që do të ndihen dhe do të veprojnë si të ishin një familje. Kjo sillte edhe cilësi në përgatitjen dhe ekzekutimin e valleve”, shtoi z. Isufi.
Fatmire Kajtazi
Në vazhdim të fjalës së tij Nexhmedin Isufi kërkoi ndjesë që nuk mund t’i zinte në gojë të gjithë ata që kontribuuan në rritën dhe zhvillimin e ansamblit “Vatra”, por kërkoi leje që ta përmendte njërin i cili i dha shpirt këtij ansambli, e, ai ishte balerini dhe valltari i palodhshëm, tashmë i ndjeri, Rrustem Selca.
Përmendja e emrit të Rrustem Selcës, sikur ndau frymën e z. Isufi, por edhe të të gjithë atyre që bashkëpunuan me të, nga emocionet për njeriun që parakohshëm u nda nga vallja, u nda nga Vatra, e u nda nga kjo botë për të mbetur përherë në kujtesën e dashamirëve të valles shqipe.
Ish-kryetari dhe valltari i devotshëm i “Vatrës”, z. Nexhmedin Isufi përkujtoi të pranishmit se frytet e investimit të tij dhe të grupit janë parë gjatë gjithë këtij çerekshekulli, duke e përfaqësuar denjësisht trashëgiminë tonë kulturore, jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani, Francë, Kosovë, Kroaci, Shqipëri e gjetiu.
“Gjithsesi, ju do të njiheni më gjerësisht me shumë aktivitete të përfshira në libër, por nuk po mund pa i shpalos para jush edhe disa të arritura me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Pra, ansambli Vatra u dëshmua si tejet i suksesshëm në festivalet e shumta të organizuara në Zvicër, dhe sidomos në Festivalin e Berlinit ku u shpërblyem me vendin e parë; disa herë u mirëpritëm në festivalin e Klinës “I këndojmë lirisë”, pastaj në festivalet e Rijekës dhe të Pulës në Kroaci, pa harruar edhe suksesin e dëshmuar në festivalin mbarëkombëtar në Gjirokastër, në vitin 2009”, apostrofoi këtë sukses të “Vatrës”, në fjalën e tij z. Isufi.
Nexhmedin Isufi, me këtë rast e nga ky vend, publikisht falënderoi autorin Xhevdet Kallaba për kontributin e dhënë në realizimin e këtij libri monografik, duke i dëshiruar suksese edhe në të ardhmen e tij publicistike e jetësore.
Udhëheqësi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati
Më pas konferencieri Shaban Haliti fjalën ia kaloi kryetarit aktual të Ansamblit “Vatra”, z. Lulzim Krasniqit. Ai u uroi mysafirëve mirëseardhje ndërkaq falënderoi të gjithë aktivistët e “Vatrës” për kontributin e tyre përgjatë gjithë këtij çerekshekulli. Z. Krasniqi dha shpresë se ky ansambël do të vazhdojë të ekzistojë falë vullnetit të mirë të shumë fëmijëve, të rinjve dhe prindërve të tyre, të cilët janë të entuziazmuar në ruajtjen e vlerave kombëtare shqiptare në mërgatë.
“Aktivistët e ansamblit `Vatra` kanë kontribuar ndër vite në ngritjen e traditës dhe kulturës shqiptare. Kontributi i tyre i dhënë ka ngritur lart identitetin tonë kombëtar e artistik. Përmes kësaj monografie jemi munduar të përmbledhim punën tonë ndër vite, si një ansambël artdashës që jemi. Me punën tonë kemi bërë mrekulli dhe vazhdojmë akoma të punojmë më shumë, me pasion dhe devotshmëri drejt rrugës së artit që nuk do të shuhet kurrë”, ka thënë veç tjerash, Lulzim Krasniqi, kryetar i Ansamblit “Vatra”, Bylah.
Lulzim Krasniqi, kryetar i Ansamblit “Vatra”, Bylah
Sipas rendit, fjala iu dha autorit të librit, z. Xhevdet Kallaba. Kallaba, fjalën e tij e nisi në formë të bashkëbisedimit për të thënë: “Nëse më pyesni se a e kam pasur të vështirë ta ndërtoj këtë kullë prej fjalësh, përgjigja ime është – jo, madje e pata fare të lehtë. Po, si është e mundur do të pyeste dikush, ndërkaq unë do t’i përgjigjem: ishte fare thjeshtë, sepse vullneti për t’u shkruar ky libër ishte i dyanshëm. Nga njëra anë qëndronin aktorët aktualë të udhëheqjes së Ansamblit Vatra, pra: Luli, Nexhi, Arsimi, Rexha, Shabani, Zhuja, Dritoni, etj, të cilët më furnizonin me materiale nga arkivat e tyre, kurse nga ana tjetër isha unë me arkivin personal që e ruaja me xhelozi, në Kosovë.”
Më tutje z. Kallaba falënderoi edhe kryetarin e parë të klubit kulturor “Vatra”, z. Hysen Berisha për ndihmesën e dhënë në furnizim me materiale, por edhe aktorët tjerë si: Arsim Berisha, Nexhmedin Isufi, Rexhep Dreshaj, Lulzim Krasniqi, si dhe të gjithë ata bashkëveprimtarë dhe opinionistë të ansamblit “Vatra”, që kontribuuan përgatitjen e këtij libri në një afat goxha të shpejtë, prej rreth gjashtë muajsh, por që për shkak të pandemisë përurimi i tij u shty për qershor të vitit 2022.
Autori, duke nënshkruar librin
Në vazhdim, rreth librit folën edhe shkrimtarët e publicistët Gani Bytyqi e Nezir Ibishi, të cilët vlerësuan lartë angazhimin e publicistit Xhevdet Kallaba, duke uruar që këtë formë të arkivimit të trashëgimisë kulturore në monografi të këtilla ta bëjnë edhe shoqatat dhe klubet tjera në mërgatë.
Përurimin e librit si dhe aktivitetin çerekshekullor të Ansamblit “Vatra” e përshëndetën edhe Shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastrati dhe konsullja Shukrije Ramadani, pastaj ish-ambasadori i Kosovës në Zvicër, Shkëlqesia e Tij z. Naim Malaj, dhe ish-konsulli Dr. Salih Safa, valltarja shumëvjeçare e “Vatrës” zonja Fatmire Kajtazi, gazetari Rexhep Rifati etj.
Rexhep Rifati, gazetar
“Të gjithë keni dhënë një pikë në detin e madh të kulturës sonë”
Me këtë rast Shukrije Ramadani, në fjalën e saj të rastit tha: “ Të gjithë nga ju keni dhënë një pikë në detin e madh të kulturës sonë. Të gjithë nga ju jeni roje të veçanta të aktiviteteve tona, dhe kjo që është më e mira për të falënderuar z. Kallaba që vërtet ka bërë një punë shumë të madhe në librin e tij, duke i vënë në korniza të veçanta të sintetizuar aktivitetin e shoqatës, apo thënë më mirë të ansamblit Vatra.
Konsullja, Shukrije Ramadani
Po aq sa ka ndikuar arsimi shqip në Zvicër ju them lirisht se ka ndikuar çdo shoqatë e krijuar nga ju të dashur bashkatdhetarë, udhëheqës të shoqatave, ashtu ka ndikuar çdo shoqatë që vërtet të ruhet identiteti kulturor, të ruhet tradita jonë dhe të ruhet kënga dhe vallja jonë shqipe. Ju lumtë! Shpresoj se gjeneratat e reja të dinë ta çmojnë këtë aktivitet, ta ruajnë si duhet, dhe shteti i Kosovës do të bëjë më shumë në lidhje me ruajtjen dhe mbështetjen e këtyre aktiviteteve”, tha mes tjerash zonja Ramadani në manifestimin jubilar të ansamblit “Vatra” nga Bylahu.
Përurimin e librit dhe këtë manifestim jubilar e përshëndeti edhe ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Shkëlqesia e Tij z. Naim Malaj. Ai tha se gjithmonë ka qenë i impresionuar dhe i emocionuar nga mënyra se si këta të rinj, që janë lindur këtu në Zvicër, që përballen me sfida të ndryshme të integrimit në kultivimin e kulturës vendore mbajnë me krenari kostumet tona popullore tradicionale. Sigurisht që kjo është meritë e stafit të ansamblit Vatra, të prindërve e të fëmijëve, të cilët me punë vullnetare dhe me sakrifica të shumta kanë arritur suksese të shfaqen para opinionit tonë e të huaj, duke i afirmuar edhe më tepër vlerat dhe kulturën tonë.
Ish ambasadori, Naim Malaj
Sot është sigurisht një ditë feste, një ditë gëzimi, dhe në ditë të tilla ne mund të bëjmë përmbledhje, mund të bëjmë bilance të të arriturave të fitoreve të sukseseve, por le të shërbejë kjo edhe për të shënuar edhe disa pyetje që lidhen me mërgatën tonë; cili do të jetë roli i shoqatave tona kulturore siç është Vatra, Shkolla e Vallzimit “Shota” etj. që veprojnë në Zvicër për vite të tëra pas dhjetë viteve; a do të flasim për një etapë prej dhjetë-njëzet vitesh, a do të jemi të lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe viset tjera shqiptare siç janë të lidhura sot; a mos jemi në një fazë të heshtur të fillimit të asimilimit tonë si komunitet në Zvicër.
Rexhep Dreshaj, Lulzim Krasniqi dhe Nexh Isufi me konsullin Sami Kastrati
“Vatra” është një monument kulture
Në fjalën e tij, ish-konsulli i Kosovës, z. Salih Sefa tha: “Përveç fjalës sime përshëndetëse desha edhe ta zbërthejë fjalën Vatra. Çka domethënë Vatra? Vatra është shtëpia ku lindemi dhe rritemi; Vatra është çerdhja e të ardhmes së njerëzimit; Vatra është atdheu ynë; Vatra është ajo që këtu në Zvicër secilit na ka munguar dhe na mungon, por na e kemi tash e 25 vjet me radhë, një gjysmë çerekshekulli, kemi ansamblin Vatra që me vallen e tyre, me muzikën e tyre ngjallën shumë nga ata që sot nuk ekzistojnë; me vallet e tyre ngjallën komandantin legjendar Adem Jasharin, me vallet e tyre ngjallën të gjithë dëshmorët e kombit, me vallet e tyre na mbajnë gjallë të gjithëve dhe na lejojnë që ne sot të festojmë këtë jubile të jashtëzakonshëm.
Dr. Sali Sefa, ish konsull i Kosovës në Cyrih
Prandaj, të nderuar bashkatdhetarë të mi kjo që bëri Vatra është një monument, është një punë aq e madhe, aq e vlefshme sa nuk mund kurrsesi as në një libër e as në një monografi të thuhet krejt, por duhet t’i themi vetëm një fjalë: të vazhdojë me punën e saj në çerekshekullin e dytë dhe me ju bashkë, me shoqatat tjera që i shoh, si me shoqatën Dardania, me shoqatën Troja, me ikonën e shoqatave shqiptare në Zvicër Shotën dhe Lirijen që është e pranishme këtu”.
Andi Krasniqi
Për angazhim dhe bashkëpunim me ansamblin “Vatra”, kryesia e “Vatrës”, në këtë manifestim jubilar, ndau edhe disa mirënjohje dedikuar shoqatave, ansambleve dhe individëve, si për: Shoqatën Bashkimi; Ansamblin “Arbëresha”; Shkollën e Vallëzimit “Shota”; Shoqatën “Drita”; Shoqatën “Sharri”; Shoqatën “Trojet”; Ansamblin “Dardania”; Shoqatën “Plisat”; Shoqatën “Zhegra”; Shoqatën “Rinia”; LAPSH-in; aktorin Adem Kicaj etj.
Përurimin e librit e begatoi një program i ngjeshur kulturor-artistik me valle, këngë e recitime nga ansambli “Vatra” në Bylah.
Programin e kanë drejtuar Shaban Haliti dhe Albulena Rizanaj-Krasniqi.
Lura Morina interpretoi këngën “Trim mbi trimat – Gjergj Kastrioti”, Andi Krasniqi vjershën “Shqiponja”, pastaj u luajtën disa valle nga të rriturit dhe të rinjtë e ansamblit “Vatra”, por edhe u ekzekutuan këngë nga Emin Racaj, Berat Shala, Gjon Ukaj etj.
Në fund, valltarëve të “Vatrës” iu bashkëngjitën edhe qytetarët e shumtë për të luajtur disa valle të përbashkëta në sallën e madhe të Hërit.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras” Në mbledhjen e 20 nëntorit 2024, Këshilli Federal miratoi mesazhin për nismën popullore “Po ndalimit të...
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie