Kriza në Ukrainë

220 milionë njerëz do të vuajnë nga uria për shkak të luftës në Ukrainë

Alarmi është lëshuar nga Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara

Numri i njerëzve që vuajnë nga uria dhe kequshqyerja në mbarë botën mund të shkojë në 220 milionë. Kjo për shkak të mungesës së ushqimit dhe kostos së lartë të produkteve bazë të shkaktuara nga kriza e vazhdueshme në Ukrainë.

Në një intervistë, zëvendës drejtori, Maurizio Martina, tha se numri i njerëzve që vuajnë nga uria në botë ishte në rritje edhe përpara konfliktit, duke prekur rreth 200 milionë në 53 vendeve, vitin e kaluar, raporton Cnn, përcjell Albinfo.ch.

Ai paralajmëron se lufta në Ukrainë do ta përkeqësojë dhe më tej situatën. Numri i njerëzve të uritur mund të rritet me 18 milionë, sipas vlerësimeve të para të Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë të OKB-së.

Martina shton se 6 milionë tona grurë dhe thuajse 14 milionë tonë misër janë bllokuar në portet e Ukrainës dhe çdo vonesë në shpërndarjen e këtyre dërgesave do të rrisë paqëndrueshmërinë në sigurinë ushqimore globale.

Për të zgjidhur këtë situatë, duket se do të ndërhyjë Bashkimi Europian. Brukseli po shqyrton nisjen e një misioni detar për të shoqëruar anijet e ngarkuara me grurë e misër nga Ukraina përtej Detit të Zi, që është rrethuar nga minat e vendosura nga anijet dhe nëndetëset ruse.

Këtë e raporton El Pais, duke cituar burime pranë Unionit, në kuadër të samitit të së hënës në Bruksel ku, kujton e përditshmja spanjolle, do të trajtohet kriza ushqimore.