Bota

2022: Më i nxehti në historinë e Britanisë dhe Francës

2022-shi renditet i pari që nga fillimi i leximeve në vitin 1900, shumë përpara vitit 2020 që mbante rekordin deri më tani, me 14,07°C

Britania e Madhe regjistroi një temperaturë mesatare vjetore prej mbi 10 gradë Celsius për herë të parë vitin e kaluar, duke konfirmuar se viti 2022 ishte viti më i nxehtë i regjistruar për vendin.

Shkencëtarët e meterologjisë kanë zbuluar se ndryshimet klimatike të udhëhequra nga njerëzit kanë bërë që temperatura vjetore e MB-së të thyejë rekord rreth 160 herë më shumë sesa kishte gjasa të ndodhte.

Të dhënat gjithëpërfshirëse të temperaturës për vitin 2022 tregojnë se vendi regjistroi një temperaturë mesatare vjetore të përkohshme prej 10,03 gradë, më e larta në të dhënat që datojnë në 1884 dhe 0,15 gradë më e lartë se rekordi i mëparshëm prej 9,88 gradësh i vendosur në 2014, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.

Kushtet e ngrohta do të ishin parashikuar një herë në 500 vjet në një klimë natyrore, pa e ngrohur planetin nga njerëzit përmes aktiviteteve të tilla, si djegia e lëndëve djegëse fosile, por tani ka të ngjarë të ndodhin çdo tre deri në katër vjet në klimën aktuale, sipas tyre.

“Për të vlerësuar ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu në vitin rekord 2022, ne përdorëm modele klimatike për të krahasuar probabilitetin e një temperature mesatare në Mbretërinë e Bashkuar prej 10 gradësh si në klimën aktuale ashtu edhe me ndikimet historike të njeriut’’, deklaroi kreu i “Met Office”, Dr. Nikos Christidis.

Franca

2022-shi është viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Francën kontinentale, me 14,5 gradë Celsius të temperaturës mesatare vjetore, konfirmoi Meteo-France, e cila e cilëson këtë rekord si një “simptomë të ndryshimit të klimës”.

“2022-shi renditet i pari që nga fillimi i leximeve në vitin 1900, shumë përpara vitit 2020 që mbante rekordin deri më tani, me 14,07°C”, specifikon Meteo-France.

“Shumë i nxehtë, viti 2022 ishte gjithashtu i jashtëzakonshëm përsa i përket thatësirës”, ​​tha Meteo-France, e cila regjistroi një deficit rekord reshjesh prej rreth 25% që nga fillimi i sondazheve në 1959.

Ky deficit, shifra e saktë e të cilit duhet të publikohet më vonë, është thuajse e lidhur me atë të matur në vitin 1989, specifikon instituti meteorologjik, i cili duhet të konfirmojë në fund të muajit se cili nga dy vjetët është më i thati.