Kosova

200 personave u njihet statusi i viktimave seksuale

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar 911 aplikacione dhe ka marrë vendim për 323 raste, prej së cilave 200 personave u është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale të luftës. 

Në shënimin e njëvjetorit të punës së tij, Komisioni ka bërë po ashtu të ditur se 123 personave u është refuzuar ky status, derisa janë pranuar 100 kërkesa për rishqyrtim, gjysma e së cilave janë rishqyrtuar dhe është vendosur për to, ndërsa më shumë se 50 aplikacione të tjera janë në shqyrtim e sipër. 

Komisioni Qeveritar me këtë rast iu bën thirrje institucioneve të vendit, organizatave joqeveritare, mediave dhe të gjithë qytetarëve që ta mbështesin këtë proces. Për më tepër, Komisioni Qeveritar iu bën thirrje të gjithë personave, të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre ligjor.