Kosova
Studentët shqiptarë në Diasporë, urë lidhjeje me atdheun
Në prani të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe deputetes Jeta Statovci, studentët në Cyrih shprehën mendimet e tyre mbi zhvillimet e fundit dhe potencialin e kontributit të tyre në Kosovë
Në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih organizoi një bashkëbisedim të veçantë me studentët shqiptarë që jetojnë në Zvicër. Kjo ngjarje ofroi një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që kanë ata si pjesë e Diasporës, duke u fokusuar në rëndësinë e angazhimit dhe bashkëpunimit me institucionet e vendit të origjinës, raporton albinfo.ch. Në prani të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe deputetes Jeta Statovci, studentët shprehën mendimet e tyre mbi zhvillimet e fundit dhe potencialin e kontributit të tyre në Kosovë.
Konsulli Vigan Berisha mirëpriti studentët shqiptarë në Zvicër dhe theksoi rëndësinë e misionit të Konsullatës. Ai shprehu: “Ky mision nuk është vetëm për të ofruar shërbime konsullore këtu, sigurisht që është misioni primar i saj, por është edhe për aktivitete të tjera, edhe për aktivitetet e shoqatave tuaja. Ne jemi këtu për të mbështetur dhe promovuar iniciativat që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit shqiptar në Zvicër, si dhe për të ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes Diasporës dhe atdheut. Kështu që llogarisni, kjo është shtëpia juaj, dhe ju jeni të mirëseardhur kurdo që e vlerësoni për të bërë aktivitete këtu ose për të realizuar ndonjë projekt që ne mund t’u ndihmojmë. Konsullata është e angazhuar për t’u bërë një qendër të fortë për bashkëpunim dhe krijim mundësish, duke inkurajuar gjithashtu dialogun dhe shkëmbimin e ideve midis studentëve dhe institucioneve. Ne besojmë se kontributi juaj është thelbësor për zhvillimin e Kosovës dhe e mirëpresim çdo iniciativë që ka për qëllim avancimin e interesave të komunitetit shqiptar në Zvicër”.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e angazhimit të rinisë shqiptare në administratën e Kosovës gjatë një takimi me studentët shqiptarë në Zvicër. Ajo shprehu hapjen e saj për të pranuar njerëz si ata në administratë për periudha të ndryshme, duke theksuar se kjo mund të zgjasë nga 6 muaj deri në 2 vjet, në varësi të nevojave dhe mundësive të studentëve.
“Jam e ndërgjegjshme që disa gjëra nuk mund t’i shpjegosh ndryshe. Nuk dua t’u zhgënjejë, por dua t’ju bëj të vëmendshëm se me kërkesa të tilla duhet të lodhni institucionet tona. Nëse shihni që nuk ka progres, ose kur ndonjë koleg jua ka dorëzuar kërkesën për nostrifikimin e diplomave dhe pas 7 muajve nuk ka marrë asnjë feedback, mos hezitoni të kontaktoni këtë konsullatë,” u shpreh Gërvalla, duke inkurajuar studentët të dërgojnë e-mail për të kërkuar llogari.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës theksoi se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të arrihet ndryshimi në administratën publike, duke e përmendur burokracinë si një sfidë të madhe.
“Burokracia është e pamëshirshme, ka fusha ku kemi progres, por gjithashtu ka fusha ku informacioni bllokohet, duke mos arritur deri te unë si ministre. Prandaj, bëhuni qytetarë aktivë, edhe pse jetoni në Zvicër. Aplikoni standardet që keni mësuar këtu dhe kërkoni përgjigje,” theksoi ajo.
Gërvalla përfundoi duke theksuar se njohuritë dhe përvoja e studentëve janë të domosdoshme për zhvillimin e Kosovës. “Është e rëndësishme të organizohemi më mirë dhe të krijojmë platforma që ju lejojnë të kontribuoni në Kosovë, kur të filloni jetën tuaj profesionale”, tha ajo.
Drin Mehmeti- student
“Sapo kam filluar studimet në master në degën e Biznesit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Luzernit. Këto janë evenimente që na mbajnë bashkë si shqiptarë dhe na ndihmojnë të jemi të informuar, edhe jashtë vendit tonë. Zvicra ka një dinamikë të lartë në punë dhe shkollim, por shpesh nuk jemi në gjendje të marrim informacionin e duhur nga Kosova. Evente si këto janë një ndihmë e madhe për të forcuar lidhjet mes nesh. Këto aktivitete rrisin dashurinë dhe vullnetin tonë për të kontribuar në shtetin tonë, duke përfituar dituri nga Zvicra dhe duke e kthyer atë në punë praktike dhe fitime financiare për Kosovën. Përfitimi është i dyanshëm. Kam pasur fatin dhe nderin të takoja Visar Robellin, një afarist të njohur të Zvicrës Qendrore. Ai na ndihmoi jo vetëm me akomodimin, por edhe për të krijuar lidhje me shumë njerëz dhe kontakte të rëndësishme, veçanërisht në botën e biznesit. E vlerësoj shumë përkrahjen e Visarit dhe të shumë shqiptarëve që janë lindur e rritur këtu për të gjithë ata që dëshirojnë të integrohen dhe të ambientohen në Zvicër.”
Delvina Morina, Kryetare e Shoqatës së Studenteve Shqiptarë në Luzern
“Shoqatën e kemi themeluar në vitin 2023 dhe jemi këtu me kryesinë e saj. Unë studioj për mësimdhënëse në shkollën e mesme këtu në Zvicër. Sot, kemi pasur përshtypje shumë interesante dhe të vlefshme si studentë, duke mësuar se çfarë kontribuon Kosova për studentët e Mërgatës në Zvicër. Mendoj se ka shumë punë për të bërë, por besoj se jemi duke ecur në drejtimin e duhur.”
Ledion Sveçla, Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Luzern
“Mendoj se ky aktivitet ishte shumë i dobishëm dhe ka pasur një impakt të madh për ne studentët që jetojmë dhe punojmë jashtë Kosovës. Një aspekt i veçantë është mundësia për të bërë intershipe në Kosovë, që na ofron një lidhje direkte me institucionet e vendit. Nuk është e lehtë të punosh për kabinetin e ministrit në Zvicër, dhe ndonjëherë idetë tona përmirësuese sfidohen. Megjithatë, tani kemi mundësi më të mira për të kontribuar, duke e ndihmuar Kosovën në këtë proces.”
Elona Imeri, Anëtare e Kryesisë së Shoqatës “Studenti” nga Cyrihu
“Si anëtare e kryesisë së shoqatës ‘Studenti’, mund të them se ky takim ka qenë shumë i vlefshëm për ne. Si gjenerata e dytë, kemi pasur mundësinë të lidhemi me Diasporën, duke mësuar për përvojat e rëndësishme në politikë dhe ekonomi. Është e jashtëzakonshme se si mund të kontribuojmë ne si Diasporë për të ndihmuar vendin tonë dhe prindërit tanë. Jemi shumë të lumtur që e kemi këtë mundësi”.
Visar Robelli, Afarist
“Evenimentin e sotëm e shoh si një mundësi shumë të mirë, pasi kemi afaristë të zotë që mund të ndihmojnë studentët tanë. Konkretisht për biznesin tim, ideja është që në kompaninë tonë të integrohen studentët, të kenë një punë gjatë pushimeve të semestrit dhe të angazhohen direkt me ndonjë mandat. Ideja për start up, nga përvoja ime, ka filluar kur kam shkuar në një Technopark në Luzern, ku ishim 3000 kompani dhe aty kam zhvilluar kompaninë time. Pyetja ime sot ishte në drejtimin e kësaj idejeje, sepse Kosova ka shumë studentë të shkëlqyer e të përgatitur mirë. Prandaj, duhet të punojmë për të nxjerrë produkte konkrete në ekonomi, jo vetëm për të përfunduar studimet, por edhe për të krijuar një produkt final që do t’i sjellë Kosovës sukses.”
Bardh Jashari, Anëtar i Kryesisë së Shoqatës “Studenti” nga Cyrihu
“ Jam në stduime pasdiplomike në Arkitekturë. Sot patëm një takim shumë interesant, veçanërisht për ne studentët, dhe besoj se na ofron shumë potencial për bashkëpunime në të ardhmen, jo vetëm në zhvillimet ekonomike, por edhe në ato kulturore. Bashkëpunimi me qeverinë dhe ministritë është i rëndësishëm, pasi studentët tanë kanë mundësinë të përfshihen aktivisht. Ne si shoqatë kemi krijuar lidhje me Konsullatën dhe Ambasadën e Kosovës, dhe kam dëgjuar për disa mundësi në zhvillimin urbanistik dhe arkitekturë. Jam shumë i hapur për bashkëpunim dhe zhvillim në atdhe.”
Puhiza Selimi, Anëtare e Shoqatës “Studenti” nga Cyrihu
“Detyra ime në Shoqatën ‘Studenti’ është menaxhimi i mediave sociale, si një pjesë e rëndësishme e komunikimit tonë. Unë studioj në Fakultetin Juridik dhe mendoj se takimi dhe bashkëbisedimi i sotëm ishin shumë produktivë. Është mirë që e kanë organizuar këtë aktivitet, pasi na dhanë mundësinë të shprehim mendimet tona. Mendimet dhe propozimet që na janë ofruar janë të vlefshme, jo vetëm për ne, por edhe për ata që në të ardhmen do të interesohen për këto tema. Personalisht, kam interes të bashkëpunoj dhe, ndoshta, të gjej mundësi për t’u inkuadruar në Kosovë, edhe pse unë vij nga Presheva.”
Jeta Statovci, Deputete
“Si Kosovë, kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me shtetin e Zvicrës. Kjo lidhje, e cila ka filluar që nga momentet e para pas shpalljes së pavarësisë, nuk është e kufizuar vetëm në aspektin politik, ku Zvicra ka ofruar mbështetje të vazhdueshme, por zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Si shtet jemi nga ato vende të pakta me të cilat kemi një bilanc pozitiv tregtar, që nënkupton se ne eksportojmë më shumë sesa importojmë. Ky është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të marrëdhënieve tona ekonomike dhe dëshmon për potencialin e madh që ka Kosova për të zhvilluar sektorin e saj ekonomik. Kjo marrëdhënie jo vetëm që ndihmon në forcimin e ekonomisë sonë, por gjithashtu krijon mundësi për rritjen e investimeve dhe zhvillimin e bizneseve tona. Prandaj, është thelbësore të vazhdojmë të forcojmë këtë bashkëpunim dhe të eksplorojmë mundësi të reja që do të sjellin përfitime të dyanshme, si për Kosovën, ashtu edhe për Zvicrën.
Në përmbyllje, Zëvendëskryeministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e regjistrimit për të gjithë qytetarët që kanë lidhje me Kosovën. Ajo ftoi studentët dhe të rinjtë të përfitojnë nga mundësia e regjistrimit përmes formularit online në: ediaspora.rks-gov.net. Ky hapi i thjeshtë është një mundësi e shkëlqyer për të mbajtur lidhje me vendin e origjinës dhe për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Angazhimi i diasporës është thelbësor për forcimin e komunitetit tonë dhe krijimin e mundësive të reja për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Regjistrimi është hapi i parë drejt një lidhjeje më të fortë dhe më produktive me vendin tonë.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve