Shkurt.ch

188 ish ushtarë mbeten pa armë

Policia ushtarake ka marrë obligim që deri një fund të këtij viti t`ua marrë armët 188 ish ushtarëve me probleme

 

Nga rasti i rëndë që ndodhi para një muaji kur një rezervist në rrethinën e Bernës me armën e ushtrisë vrau një polic, ushtria zvicerane ka nxjerrë mësime të rëndësishme.

 

Vrasësi qe liruar nga armata në vitin 2007 për arsye shëndetësore por arma nuk i ishte marrë.

 

Ushtria e Zvicrës do t`ua marrë armët ushtarakëve rezervë të cilët për ndonjë arsye janë treguar të paaftë ose të padenjë për të mbajtur armë. Me këtë qëllim policia ushtarake ka marrë obligim që deri një fund të këtij viti t`ua marrë armët 188 ish ushtarëve me probleme, ka thënë komandanti i Ushtrisë së Zvicrës Andre Blattmann.

 

Po ashtu ushtria do t`i rishikojë të gjitha vendimet e dhjetë viteve të fundit mbi paaftësinë ose padenjësinë e ushtarakëve, për të vendosur pastaj nëse ata duhet të dorëzojnë armën ose jo.