Lajme

Gabimi që mund të shkaktojë prishjen e iPhonëve

Një studiues i sigurisë ka bërë një paralajmërim të ri për përdoruesit e iPhone, pasi ai gjeti një gabim që shkakton prishjen e pajisjeve Apple.

Gjithçka që duhet të bëni është të shkruani katër karakteret “”:: në iPhone ose iPad-in tuaj, sipas TechCrunch, i cili raportoi fillimisht defektin.

“Me sa duket, ju mund ta prishni iPhone Springboard-in shumë lehtë”, shkroi studiuesi i sigurisë Konstantin në faqen e rrjeteve sociale Mastodon, shkruan “Forbes”, përcjell albinfo.ch.

“Në iPhone-in tuaj, rrëshqisni majtas përtej të gjitha faqeve të Home Screen për të shkuar te ‘Biblioteka e aplikacioneve’. Më pas kërkoni për “”::”, shtoi ai. “Bëjeni këtë në rrezikun tuaj”.

Kur shkaktohet defekti, ai prish Springboard-in e iPhone-it tuaj (SpringBoard është aplikacioni standard që menaxhon Home Screen-in e iPhone) dhe më pas shfaq ekranin e kyçjes (lock screen). Në disa raste, ekrani bëhet i zi.

Defekti prish iPhone-in tuaj kur karakteret shtypen në shiritin e kërkimit në “Settings”, si dhe kur rrëshqisni krejt lart djathtas në Home Screen dhe shkruani karakteret në shiritin e kërkimit të “Bibliotekës së aplikacioneve”.

Me një inspektim më të hollësishëm, përdoruesit e iPhone kuptuan se gabimi mund të shkaktohet nga dikush që shkruan tri karakteret “”: të ndjekura nga çfarëdo karakteri tjetër.

Apple është kontaktuar për koment.

Mënyra e vetme për të shkaktuar defektin është nëse përdoruesi shkruan manualisht karakteret në iPhone. Kjo do të thotë se nuk është një rrezik sigurie, por një bezdi nëse arrini të shkruani gabimisht sekuencën specifike.

Me këtë në mendje, nuk mund të bëni shumë, përveçse të jeni shumë të kujdesshëm se çfarë shkruani në iPhone tuaj dhe të prisni që Apple të lëshojë një rregullim. /Albinfo.ch