Futboll

50 mijë tifozë kuqezi pritet të jenë në stadium në Gjermani

Shqipëria do të zbresë në fushën e “Signal Iduna Park” në orën 21:00 të mbrëmjes së të shtunës për të luajtur ndeshjen e parë të fazës finale në Euro2024, përballë Italisë së Luciano Spalletit.

Djemtë kuqezi janë përgatitur maksimalisht për sfidën dhe po aq seriozisht e kanë marrë prezencën e Kombëtares në Europianin e Gjermanisë, edhe tifozët shqiptarë.

Sipas ESPN-së, e cila i referohet burimeve, UEFA dhe autoritetet gjermane po përgatiten për mbi 50,000 tifozë shqiptarë në impiantin prej 80,000 vendësh të Dortmundit.

“Edhe pse Signal Iduna Park mban rregullisht mbi 81,000 spektatorë për ndeshjet e klubit, stadiumi do të ketë një kapacitet të reduktuar prej 62,000 tifozësh gjatë Euro 2024 dhe burimet e UEFA-s kanë thënë se një numër i madh biletash të seksionit neutral për ndeshjen hapëse të Grupit B janë blerë nga tifozët shqiptarë. Shumë shqiptarë që jetojnë në Gjermani kanë blerë biletat për ndeshjen e parë të vendit të tyre që shkon në një turne madhor për herë të dytë që nga Euro 2016, ndërsa kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë për shkak të shumicës dërrmuese të biletave të blera nga tifozët shqiptarë”, shkruan ESPN.

Pikërisht ky numër tifozësh kundër Italisë, sipas ESPN do të jetë kontigjenti më i madh udhëtues i çdo skuadre tjetër përveç vendit pritës.

Më tej media amerikane për të treguar se interesi i shqiptarëve për Europianin është tepër i lartë, nënvizon faktin se Parlamenti ka pezulluar punimet për 10 ditë për të mundësuar që ministrat dhe deputetët të marrin pjesë në ndeshjet e grupit B kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.