Shkurt.ch

15.000 policë të huaj në Zvicër?

“Ne në polici mund të punësojmë të huaj”, pa shtetësi zvicerane, duke ua lehtësuar procedurën e natyralizimit

Kryetari i ri i Federatës së Zyrtarëve Policorë të Zvicrës, Jean Marc Widmer ka deklaruar se Zvicrës i nevojiten edhe 15 mijë policë të tjerë për t`i plotësuar nevojat e sigurisë. Sipas tij, Zvicra, për 8 milionë banorët e saj ka nevojë për gjithsej 31 mijë policë.

Mirëpo, siç ka thënë ai për gazetën Sonntags Blick, në mesin e zviceranëve nuk ka mundësi të rekrutohet një numër kaq i madh i policëve.

Për këtë arsye “ne mund të punësonim të huaj”, njerëz pa shtetësi zvicerane, ka deklaruar Widmer, duke kërkuar lehtësim të procedurës së natyralizimit për ta.

“Gjermanët, francezët ose austriakët me leje të përhershme qëndrimi (C), pasi kanë jetuar pesë vite në Zvicër, mund të bëhen policë. Ata do të kualifikoheshin në një shkollë njëvjeçare policore dhe, ende para se të jipnin betimin, të fitonin shtetësinë e Zvicrës. Federata do të duhej të financonte këtë kualifikim, sipas Widmer.