Lajme
14 vjet pavarësi: Vazhdojmë tutje
Pavarësia e Kosovës ashtu sikurse edhe të gjitha zhvillimet madhore atje nuk mund të mendohen pa kontributin, shpesh, vendimtar të diasporës. Por...
14 vjet pavarësi, sa po i mbush sot Kosova, është një periudhë ende e shkurtër për të kërkuar funksionalitet të plotë nga një shtet. Kjo, sidomos kur dihet rrethimi armiqësor dhe obstruksionet që i bëhen nga një numër shtetesh në botë.
Por, 14 vjet nuk janë edhe pak që “shteti i ri i Ballkanit” siç i referohen në perëndim, të zgjidhë shumë çështje që janë nën kompetencë të qartë të autoriteteve të tij. Dhe, në këtë pikë, mjerisht, ende shumëçka po çalon, madje në një mënyrë që është e vështirë të arsyetohet. Një popull që ka varur shpresa të mëdha, ndonjëherë mbase edhe joreale, në pavarësinë e vendit, vështirë po e gjen veten në realitetin e shtetit që e sheh dhe e prek për çdo ditë. Ai është, mjerisht, jo vetëm i brishtë, që “i falet” për shkak të moshës së re por edhe me shumë mangësi.
Megjithatë, duhet besuar se përkundër gurëve të shumtë që po i fusin nën rrotë, shteti i Kosovës, në drejtimin e tij parësor, atë të shtetndërtimit po bën hapa të duhur përpara, dhe ky është proces dhe jo një akt i përnjëhershëm.
Pavarësia e Kosovës ashtu sikurse edhe të gjitha zhvillimet madhore në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare, nuk mund të mendohen pa kontributin, shpesh, vendimtar të diasporës. Prandaj diaspora me të drejtë reagon ndaj deformimeve dhe devijimeve që ndodhin në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Kështu ishte edhe me votimin pothuaj plebishitar nga ana e diasporës të strukturës së sotme udhëheqëse në zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar. Por po kështu do të jetë edhe nëse kjo strukturë devijon ose tradhton idealet përmes të cilave është ngritur në pushtet.
Diaspora nuk është e lidhur me interesa meskine, të politikës ditore dhe klienteliste me klasën politike në Kosovë, prandaj qasja e saj duhet kuptuar si më e sinqerta, në raport me politikën që zhvillohet në atdhe.
Por përkundër kësaj epërsie “morale” që i përshkruhet diasporës, edhe ajo duhet të jetë më realiste dhe të njohë kufijtë e kësaj epërsie. Ne si mërgimtarë, edhe në kulmin e “vrullit tonë patriotik” duhet të kemi parasysh se para së gjithash bëhet fjalë për Kosovën dhe për njerëzit që jetojnë atje dhe jo për garën se “kush është më patriot”. Prandaj mendimet dhe veprimet tona duhen orientuar drejt mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, atyre që përballen çdo ditë me vështirësitë jetësore dhe jo drejt floskulave idealiste e pa mbështetje në realitetin e vendit. Vështirësitë në fjalë shpesh vijnë si pasojë e veprimeve të pandërgjegjshme të klasës politike. E ato i kemi mundësuar (edhe) ne, duke dhënë votën tonë.
Përkundër të gjithave, 17 Shkurti, është dita më e madhe festive e të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe atyre që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kemi të drejtë ta prishim atë me mendime të zymta. Prandaj, U urojmë Ditën e Pavarësisë të gjithë atyre që Kosovën e ndiejnë si vend të cilit i takojnë, me të gjitha të drejtat por edhe me detyrimet përkatëse. Gëzuar!
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Shqiptari i zhdukur prej dy javësh në Austri, gjendet i vdekur në Gjermani Është gjetur pa shenja jete trupi i Agim N. me banim në Wels të Austrisë, i... -
Dita e të Drejtave të Njeriut shënohet me apel për barazi reale, qasshmëri dhe pjesëmarrje qytetare -
Vonesë në votimin me postë për diasporën -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Konsullja e Kosovës, pjesëmarrëse në ceremoninë “Escalade” në Gjenevë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Hyn në fuqi marrëveshja e re kolektive kombëtare e ndërtimit Kjo u njoftua bashkërisht nga kompanitë e ndërtimit dhe sindikatat Unia dhe Syna pas raundit të... -
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër -
Banorët e evakuuar të Brienzit mund të rikthehen të shtunën -
Qeveria zvicerane thotë se të burgosurit e huaj duhet të marrin sigurim shëndetësor -
Apartamenti më i shtrenjtë në Cyrih, kushton 24,000 CHF në muaj













